Skandali i vjedhjes/ Brukseli nuk ka folur, si gënjen ministri i Ramës me afatet për IPARD III

Bujqësia shqiptare ka hyrë në vitin e tretë të pezullimit të fondeve IPARD III nga Bashkimi Evropian për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Që nga korriku i vitit 2023, kur Komisioni Evropian ndërpreu rimbursimet për IPARD II dhe pezulloi IPARD III, qeveria shqiptare ka paralajmëruar disa herë rikthimin e afërt të financimeve.

Së fundmi, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se fondet do të çelen brenda 6-mujorit të parë të vitit.

“Ne i kemi bërë detyrat tona, çfarë na është kërkuar nga Bashkimi Evropian. Jemi në datën 9 mars (Bruksel), për të vazhduar hapat e mëtejshëm që ne brenda 6 mujorit të parë të kemi IPARD III,”  u shpreh Salla.

Por a ekziston një vendim zyrtar nga Komisioni Evropian që konfirmon këtë afat?

Qeveria shqiptare ka deklaruar disa herë se fondet IPARD do të rihapen “së shpejti” apo brenda një afati të caktuar. Në çdo rast të mëparshëm, Komisioni Evropian ka sqaruar se procedura ishte ende në proces dhe se nuk kishte një datë të përcaktuar.

Edhe sot, pas deklaratës së ministrit Salla, nuk ka një konfirmim publik nga Komisioni Evropian për hapjen e IPARD III brenda 6-mujorit të parë apo për disbursimin e miliona eurove këtë vit.

Çfarë dihet deri tani?

Komisioni Evropian ka përsëritur vazhdimisht se rifillimi i fondeve për bujqësinë shqiptare varet nga përmbushja e masave korrigjuese dhe garantimi i mbrojtjes së interesave financiare të BE-së. Ndërkohë, hetimi penal në Shqipëri, i trajtuar nga SPAK, vijon prej vitesh pa rezultate konkrete.

Programi IPARD III parashikon rreth 146 milionë euro për bujqësinë shqiptare. Por pezullimi i tij është një vendim formal i Komisionit Evropian dhe vetëm një vendim tjetër formal mund ta heqë atë.

Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar nga Brukseli që:

konfirmon përfundimin e procedurës,

shpall heqjen e pezullimit,

apo nënshkrimin përfundimtar të Marrëveshjes së Financimit.

Premtime të përsëritura

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet shqiptare shpallin një afat për hapjen e IPARD III.

Në korrik 2023, ministrja e atëhershme e Bujqësisë, Frida Krifca, e cilësoi pezullimin si “procedurë administrative normale”, duke sugjeruar se raste të ngjashme kishin ndodhur edhe në vende të tjera të BE-së. Por Komisioni Evropian reagoi për Faktoje.al se “nuk ka pasur raste të ngjashme”, duke e cilësuar masën ndaj Shqipërisë si të paprecedentë.

Në maj 2024, zëvendësministri i bujqësisë Dhimitër Kote deklaroi se IPARD III do të ishte funksional në vitin 2025. Edhe kjo deklaratë u përgënjeshtrua nga Komisioni Evropian, i cili sqaroi se procedura ishte ende në vazhdim dhe nuk kishte një datë për rikthimin e fondeve. Zëdhënësi për tregtinë dhe bujqësinë pranë KE-së, Olof Gill, theksoi se ndërprerja e rimbursimeve mbetej në fuqi deri në një njoftim tjetër.

Në vitin 2025, kryeministri Edi Rama deklaroi se bëhej fjalë vetëm për “parregullsi” dhe jo për dyshime korrupsioni. Por dokumentet dhe përgjigjet zyrtare të KE-së kanë theksuar se pezullimi u bazua në informacion të marrë në kuadër të një hetimi të OLAF, jo thjesht në auditime rutinë.

Përfundim

Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante. Përmes programit IPARD II, i cili u zbatua gjatë viteve 2014 dhe 2020, Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro fonde. Dhe teksa vendi priste të niste mbështetjen në bujqësi përmes IPARD III me 146 milionë euro grante, Komisioni Evropian vendosi pezullimin bazuar në dyshimet për korrupsion.

Pa një vendim zyrtar nga Komisioni Evropian, deklaratat për çeljen e fondeve IPARD III mbeten premtime politike të njëanshme.

Deri në momentin që Brukseli të shpallë zyrtarisht heqjen e pezullimit, çdo afat i shpallur nga qeveria shqiptare për rikthimin e fondeve është i pakonfirmuar dhe, bazuar në precedentët e viteve të fundit, rrezikon të mbetet thjesht propagandë. /Faktoje.al/

About Redaksia

Check Also

Berisha: Protestat tona ia kanë shpëtuar faqen kombit! Më 20 shkurt do të përmbushim misionin tonë

Kryetari i PD, Sali Berisha u ka bërë thirrje banorëve të Sukthit dhe Durrësit që …