Kryetari i PD, Sali Berisha, në Foltoren para godinës së qeverisë u shpreh se Rama ishte ai që sfidoi shqiptarët dhe ndërkombëtarët, duke deklaruar se lufta kundër korrupsionit është më e dëmshme se vetë korrupsioni.
Gjatë fjalës së tij në foltoren e kësaj të hëne, 2 mars, Berisha tha se një deklaratë e tillë është e padëgjuar më parë, ndërsa shtoi se shqiptarët nuk do t’i tolerojnë vjedhjet.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, një mirënjohje të pakufishme për ju, njerëz idealistë, guximtarë që mblidheni këtu çdo të hënë për t’u rikujtuar shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo se java është e idealistëve, e guximtarëve, e kryengritësve.
Dua të përshëndes gjithashtu me shumë mirënjohje ata dhjetëra mijëra qytetarë për marshin e tyre epik të paparë më parë në rrugët e Tiranës, në të cilin ata dhanë mesazhin e një qytetarie të pamposhtur, e njerëzve që janë të vendosur në misionin e tyre.
Mirënjohje të pakufishme!
Të dashur miq, duhet të flasim hapur, t’i themi gjërat siç janë.
Vendi po hyn në një fazë kritike si asnjëherë më parë.
Edi Rama, siç e shihni, pasi është kapur, është vërtetuar si kryehajduti i kombit, deklaroi publikisht se korrupsioni do të mbrohet, nuk do të luftohet.
Deklaroi publikisht para secilit shqiptar se lufta kundër korrupsionit është me dëmshme se vetë korrupsioni.
Me këtë ai u tha qytetarëve shqiptarë se asgjë në botë nuk më pengon të vazhdoj t’u vjedh me të gjithë pushtetin që kam.
Kjo ishte deklarata më e padëgjuar ndonjëherë në historinë e një vendi.
Por ndonjëri që mund të mendojë se kjo është një deklaratë pa substancë, i them se jo, e keni gabim.
Kjo deklaratë është bërë në një kohë kur shqiptarët kanë bërë protesta më të fuqishme kundër vjedhjes së tyre, kundër mbrojtjes së korrupsionit.
Kjo deklaratë është bërë kur komuniteti ndërkombëtar ka sjellë në Tiranë ministra kryesorë të Europës, ka sjellë në Tiranë komisionerë të Komisionit Europian.
Ka sjellë mesazhet më të prera, më të qarta se vjedhjet e qytetarëve shqiptarë nga qeveria nuk do i tolerojmë.
Në tërë historinë e shtetit, kurrë ndonjëherë komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë lëvizja të tilla kaq të fuqishme.
Përveç kësaj, dy delegacione për mbledhje faktesh, njëri i Parlamentit Europian i përbërë nga deputetë të gjithë spektrit politik. Përfaqësuesit e 30 partive politike të qendrës së djathtë ishin këtu për mbledhje faktesh.
Thashë ministra, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, ministri për Europën i Gjermanisë, komisionari për ligjet i KE, erdhën këtu për të dhënë mesazhin se korrupsioni nuk mund të mbrohet.
Se shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve për Shqipërinë.
Cila ishte përgjigjia e Edi Ramës?
Përgjigjia e Edi Ramës ishte se lufta kundër korrupsionit sjell më shumë probleme se vetë korrupsioni.
Nuk ka sfidë më të rëndë se kjo.
Nuk ka sfidë më poshtëruese për shqiptarët se kjo.
Gazeta RD