Vlora po kthehet dita-ditës në një qytet të pajetueshëm!

Deklaratë e PD, Dega Vlorë nga Sekretari Funksional, Rezenbrik Serjani

Qyteti i Vlorës po përballet me një situatë të pazakontë. Vitet e fundit, Vlora po kalon një krizë të jashtëzakonshme urbane dhe infrastrukturore.

Një qytet i cili po kthehet dita-ditës në një qytet të pajetueshëm.

Të gjitha akset, rrugët e sheshet e saj kanë dalë jashtë çdo funksioni, duke bllokuar dhe penalizuar qarkullimin dhe përditshmërinë e këtij qyteti. Dhe kjo situatë nuk është rastësi.

Ajo vjen si rezultat i papërgjegjshmërisë, keqmenaxhimit dhe abuzimit korruptiv nga ana e Bashkia Vlorë. Ky institucion e ka lënë jetën urbane dhe infrastrukturore në mëshirë të fatit. Gropa gjithandej, pluhur e baltë, si dhe mungesë e çdo parametri urban.

Rasti më konkret është rruga që është pas shpinës sime, e cila për muaj të tërë është shndërruar në një ngërç trafiku dhe në një vendburim pluhuri, kaosi dhe papastërtie. Bashkia e justifikon këtë situatë me pseudopunimet dhe projektet e saj, por kjo nuk është gjë tjetër, thjeshtse rezultat i korrupsionit.

Sot Vlora nuk është më Vlorë, sepse në krye të bashkisë drejton arroganca, korrupsioni, keqmenaxhimi, abuzimi dhe vulgariteti. Sot Vlora, si pasojë e këtij keqmenaxhimi institucional, e një bashkie të kalbur dhe të zhytur në zullume e korrupsion, dita-ditës po jeton një çorganizim të organizuar, të orkestruar dhe të udhëhequr nga bashkia e turpit dhe e korrupsionit.

Krahas kësaj situate kaotike, Bashkisë Vlorë i shkon ndërmend që 20 rrugët kryesore të qytetit, së bashku me 3 sheshe kryesore, edhe pse jashtë çdo parametri funksional, t’u aplikojë tarifë pagese për çdo vendparkim.

Partia Demokratike, dega Vlorë, e cila tërësisht ka qenë në krah të qytetarëve vlonjatë, duke denoncuar aferat korruptive që janë bërë këto vite në kurriz të këtij qyteti, do të vazhdojë denoncimet nga terreni, ditë pas dite, në të gjitha nyjet infrastrukturore, aty ku janë plagët më të mëdha urbane dhe nga ku përkeqësohet jeta e qytetit, duke ua bërë të qartë qytetarëve vlonjatë se kaosi në Vlorë ka vetëm një përgjegjës: Bashkia Vlorë, kryetaren e bashkisë dhe drejtuesit e saj, të cilët dita-ditës po kthehen në pashallarë, duke abuzuar me këtë qytet.

Vlora meriton dinjitet, përulësi dhe punë të mira, larg arrogancës e vulgaritetit që e kanë mbërthyer këto vite.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Rama do e ndajë veten, Lubinë dhe Lindat e tij në qytetarë mbi ligjin, kurse të tjerët në qytetarë nën ligjin

Lideri i opozitës, Sali Berisha paralajmëroi se, Rama do vendosë veten, Ballukun dhe bashkëshorten e …