Intervista-Vjosa Osmani/ Kërkova që të vazhdonim si “binom i shpresës” për Kosovën, por…

Çim Peka: Për të marrë vesh çfarë po ndodh. Arsyet e refuzimit të emrit të Vjosa Osmanit për presidente, kur ndërkohë, e vetmja kandidate që teorikisht, edhe me deklarata publike, kishte 81 deputetë në sallë, ishit ju. Ndërkohë që ajo që ofroi zoti Kurti me argumentin se ju nuk i keni të sigurta 81, ofronte vetëm 66. Kur jeni takuar për herë të fundit me Albin Kurtin dhe kur ka thënë jo-në e prerë, argumentin dhe a e keni kushtëzuar kryeministrin Kurti për rikandidimin tuaj?

Presidentja OsmaniAbsolutisht nuk e kam kushtëzuar asnjëherë. E tëra që kam kërkuar, apo më mirë të them, propozuar, është që të më jepet një shans që të shkojmë në sallë dhe ta provojmë. Ta shohim sa deputetë po mblidhen, meqënëse unë kisha nga diskutimet individuale me deputetët, kisha garanca prej tyre se ata nuk do të bojkotojnë, sepse llogariteni tash, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kishin ngritur dorën dhe kishin marrë pjesë në votim edhe për Slavko Simiqin. Një nënkryetar, për të cilin ka edhe aktakuzë për shkelje të rendit kushtetues. Dhe ata nuk donin deputetët që ta bojkotonin Vjosa Osmanin. Dhe natyrisht që kishte një pozitivitet, një qasje pozitive dhe unë isha e bindur se që bëhen numrat. Por edhe sikur mos të bëheshin, unë e tëra çfarë kërkoja ishte që të shkojmë deri në sallë dhe ta provojmë. Ajo nuk do të na dërgonte automatikisht në zgjedhje. Thjesht do ta shihnim, në qoftë se janë 79, gjë që nuk do të ishin, ju siguroj, do të ishin më shumë se 80. Por edhe sikur të ishin në në një rast kështu të paparashikuar, ne prapë nuk do të shkonim automatikisht në zgjedhje. Do të mund të tërhiqeshim dhe pastaj të provonim me kandidatë të tjerë. Çfarë ndodhi në fakt ishte që prapa shpinës sime punohej me shumë kandidatë të tjerë. Dhe unë e kuptoja nga televizioni që po punohet me kandidatë të tjerë, përderisa mua më thuhej provo, provo, provo me i bindë opozitën dhe kur deputetë të caktuar të opozitës mua më thanë që do të rrinë në sallë dhe ai ishte numri i mjaftueshëm, pastaj m’u kërkua që t’i bëj 85. Pra, gjithmonë ngrihej kushti, edhe pse një gjë e tillë nuk është fare e nevojshme. 80 janë të mjaftueshme, por asnjëherë asnjë kusht, ta sqaroj. Po thuhet që kinse unë i kam kërkuar garancë kryeministrit për 80 vota. Nuk është e vërtetë. Nuk i kam kërkuar atij garancë. Kam kërkuar përkrahjen e tij dhe natyrisht që unë punoja edhe me me opozitën, që ta arrijmë atë 80-shen në sallë dhe përkrahjen e 66 deputetëve të koalicionit. Pra, kjo është çështja. Pastaj thuhet që i ke kërkuar që me i dhënë LDK-së ministri. Kjo është një gënjeshtër. Kurrë nuk i kam kërkuar askujt që qoftë LDK-së, qoftë partive të tjera t’ia jap ndonjë ministri. Kurrë s’kam kërkuar që të bëhet ndonjë koncesion as me deputetë individualë, as me deputetë të komuniteteve jo shumicë. Kam kërkuar thjesht të flasim me ta dhe t’ua shpjegojmë pse është në interes të Kosovës që ky, që na njihnin në në publik dhe në popull si binom i shpresës, që ky binom i shpresës ta vazhdojë punën e përbashkët, sepse rizgjedhja ime si presidente do të nënkuptonte edhe vazhdimin e qeverisë, vazhdimin e sigurt, pa asnjë pengesë. Pa asnjë pengesë të vetme, por me suksese të plota, me suksese të shumta. Pra, nuk i kam kërkuar asnjë kusht, asnjë koncesion, dhe pastaj kur thuhej që i ka refuzuar nënshkrimet, jo, nuk kam refuzuar unë nënshkrime. Çfarë më është thënë, diku dy netë, mos gabofsha, para skadimit të afatit, dy-tri netë, ishte, dhe kjo ishte pasi m’u komunikua mungesa e përkrahjes nga ana e kryeministrit, dhe po flas për mungesën e përkrahjes së atyre 57 votave. M’u tha, eja dhe futu si kandidate vetëm formalisht, si oponente e zotit Konjufca, me të cilin unë kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Dhe ta shohim se si po rrjedh. Por unë kur i pyeta pse kemi nevojë unë dhe zoti Konjufca të jemi kundërshtarë? Kënd e përkrahni ju? A e kam unë përkrahjen tuaj në një votë të tillë? Natyrisht që një përkrahje e tillë nuk m’u dha sepse unë jam presidente e Republikës dhe do të ishte absurde.

About Krye Redaktor

Check Also

Gjykata Kushtetuese pezullon vendimin e Osmanit për shpërndarjen e Parlamentit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes …