Jemi në mes të krizës së naftës, Rama vështron yjet!

Nga Bujar Leskaj

Kriza e re energjetike, e shkaktuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe bllokimi i përkohshëm i kalimit të naftës nga Ngushtica e Hormuzit, ka sjellë një rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, ndërsa shumica e vendeve të rajonit kanë ndërmarrë masa për të mbrojtur konsumatorët dhe ekonominë nga goditja e çmimeve, mbrojtja e konsumatorit shqiptar në Shqipëri mbetet për turp më dobëta në rajon dhe ndër më të dobëtit në Evrope dhe botë!

Vendet e rajonit masa konkrete, Shqiperia monitoron tregjet!

Rritja e ndjeshme e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka detyruar shumicën e qeverive europiane të ndërmarrin masa për të mbrojtur konsumatorët dhe ekonomitë e tyre. Në rajonin e Ballkanit dhe në Europën Jugore, vende si Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut, Serbia, etj., kanë nisur ndërhyrje fiskale dhe rregullatore, për të kufizuar efektet e krizës energjetike mbi qytetarin dhe bizneset. Qeveria e sektit Rama është e vetmja në rajon që nuk ka ndërmarrë masa konkrete për të zbutur rritjen e çmimeve të karburanteve.
Qeveria greke ka vendosur masa për të frenuar spekulimet në treg, duke vendosur një tavan për marzhin e fitimit të kompanive të karburanteve dhe supermarketeve për një periudhë tre mujore. Sipas vendimit të qeverisë, pikat e karburantit në Greqi mund të aplikojnë një fitim maksimal prej 12 cent për litër mbi çmimin e shumicës, ndërsa bizneset që tejkalojnë kufijtë e lejuar përballen me gjoba deri në 5 milionë euro. Qeveria (e djathtë) argumenton se qëllimi është të ndalohet përfitimi i padrejtë gjatë një periudhe pasigurie ekonomike dhe rritjeje të çmimeve.
Edhe në Itali, kryeministrja Giorgia Meloni ka deklaruar se ekzekutivi po shqyrton uljen e akcizës së karburantit, duke përdorur të ardhurat shtesë nga TVSH-ja, që vijnë si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës. Qeveria italiane ka paralajmëruar edhe rritje taksash për kompanitë energjetike që përfitojnë nga kriza, me qëllim frenimin e spekulimeve në treg dhe financimin e paketave mbështetëse për familjet dhe bizneset. Autoritetet italiane kanë theksuar se prioriteti është mbrojtja e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe stabiliteti ekonomik i vendit të tyre.
Maqedonia e Veriut ka deklaruar se do të ulë akcizën e karburanteve, për të lehtësuar ndikimin në standardin e jetesës së qytetarëve. Në të njëjtën kohë, Komisioni Rregullator i Energjisë i vendit vendosi çmimet maksimale të karburanteve, të cilat rishikohen periodikisht, në bazë të lëvizjeve të tregut ndërkombëtar. Edhe Mali i Zi ka reduktuar përkohësisht disa taksa në çmimin e naftës, kurse Serbia ka vendosur tavan mbi çmimin e karrburanteve.
Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, në Shqipëri nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete fiskale ose rregullatore për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve. Qeveria është kufizuar kryesisht në monitorimin e tregut dhe në deklarata për ndjekjen e situatës në tregjet ndërkombëtare.

Rama vendos të mos mbrojë, kur familjet shqiptare dëmtohen më shumë nga rritja e karburantit

Shqipëria është një nga vendet më të varura në Evropë dhe në botë, nga importi i karburanteve. Tek ne, çmimi i naftës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në inflacion dhe në koston e jetesës. Një shqiptari i duhen 7.2% e të ardhurave ditore për të blerë 1 litër karburanti, ndërsa nje greku 2.5% e të ardhurave ditore, një italiani 1.5% e të ardhurave ditore dhe një maqedonasi 4%. Çmimi i rritur i naftës dhe pasojat e tij rëndojnë më shumë pikërisht tek familjet shqiptare, duke shtuar në progresion gjeometrik mundësinë që ato të bien në varfëri.
Ndërkohë që çmimi i naftës tek ne ka arritur në 200 lekë për litër, ose 2.1 euro, në Maqedoninë e Veriut është vetëm 1.55 euro. Vendi ynë ka sot çmimin më të lartë në rajon, më të lartë edhe nga Greqia apo Italia.
Shqipëria është vendi që më shumë se te tjerët ka nevojë për një ndërhyrje të qeverisë në zbutjen e taksimit mbi naftën. Dhe është vendi i vetëm në rajon ku qeveria e sektit Rama nuk ka ndërhyrë!
Në Shqipëri, mekanizmat e kontrollit të tregut, transparenca e formimit të çmimeve dhe politikat fiskale për amortizimin e goditjeve të jashtme janë formale ose inekzistente. Ndërsa vendet në rajon, më gjerë në Evrop dhe në botë po ndërhyjnë përmes (i) uljes së përkohshme të taksave mbi karburantet, (ii) vendosjes së kufijve të përkohshëm të marzheve të fitimit dhe subvencioneve për sektorët më të prekur, sekti në pushtet tek ne nuk bën asgjë. Monitoron tregjet ndëkombëtare. Praktikisht, vështron yjet, sikurse do të thoshte Arçibald Xhozef Kronin i madh.
Një nga treguesit më të dukshëm të dobësisë së mbrojtjes së konsumatorit ose mbrojtjes gati zero të tij tek ne, është niveli i lartë i çmimeve të karburanteve në Shqipëri krahasuar me rajonin, pavarësisht se të ardhurat mesatare janë më të ulëta. Shqipëria sot litrin e naftës e ka 1.95-2.05 euro, Kosova 1.6-1.7 euro, Maqedonia e Veriut 1.55 euro, Mali i Zi 1.65-1.75 euro, ndërsa Serbia 1.70.-1.80 euro. Diferenca prej 20–40 cent për litër përkthehet në një barrë shumë më të madhe për familjet dhe bizneset shqiptare. Tek ne, gjysma e çmimit të karburantit janë taksa, gjë që kufizon shumë mundësinë e uljes së çmimeve për konsumatorin.
Rritja e çmimeve të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në disa sektorë kyç, si në transportin dhe logjistikën, në bujqësi, turizëm dhe në koston e mallrave ushqimore. Në një ekonomi si e jona, që mbështetet shumë në transportin rrugor dhe importet, rritja e çmimit të karburanteve ka efekt zinxhir në gjithë ekonominë.

xxx

Pa reforma reale në strukturën e taksave, transparencën e tregut dhe forcimin e institucioneve rregullatore, çdo krizë ndërkombëtare energjetike do të vazhdojë të godasë më rëndë familjet dhe ekonominë shqiptare. Mirëpo këto masa nuk ka ndërmend t’i marrë sekti Rama në pushtet, pse ai e ka mendjen vetëm si të vjedhe dhe të varfërojë shqiptarët.

About Redaksia

Check Also

Rama dhe termometri i Niqkës

Nga Agim XHAFKA Na pikoi në zemër kur Ladin, djalin e Niqkës, fqinjës sonë, e sollën …