Lideri i opozitës, Sali Berisha, paralajmëroi vazhdimin e protestave paqësore, duke theksuar se qytetarët shqiptarë nuk do të lejojnë që Edi Rama t’i vërë nën kontroll dinjitetin dhe vullnetin e tyre.
Ai bëri thirrje që shqiptarët të dalin masivisht në sheshe për të kundërshtuar, siç tha, regjimin armik të shqiptarëve dhe për të mbrojtur interesat e tyre kundër abuzimeve të dyshes Rama-Balluku.
Berisha: Së treti!
Ju jeni dëshmitar të jehonës së jashtëzakonshme europiane dhe botërore të protestës së 22 Marsit. Mediat më të mëdha të botës, agjencitë më të mëdha, rrjetet televizive, gazetat më të mëdha paraqitën gjerësisht revoltën e qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë, ndaj dyshes së korruptuar Rama-Balluku.
Pra, në protestë shndriti zëri i qytetarëve shqiptarë që mbrojnë me dinjitet interesat e tyre nga një grusht hajdutësh të papërgjegjshëm dhe nxiu, nxiu si me zift figurat e urryera të shqiptarëve, Edi Rama dhe Lubi Balluku.
Unë garantoj qytetarët se PD është e vendosur që stinën e kryengritjes paqësore ta vazhdojë me vendosmërinë më të madhe dhe se nuk do të tolerojë kurrë, që një dyshe hajdutësh të vazhdojnë të vjedhin, të pangopur duke përdorur mandatet e tyre si thika krimi, mburojë për vjedhjet e tyre.
Edi Rama vërtetë në një betejë me një prokuror guximtar, duhet ta them këtu, përdori gjithë pushtetin ekzekutiv për të mposhtur dhe për ta vënë, tani siç del në pah, në kontroll total SPAK-un, por nuk do të verë kurrë nën kontroll, vullnetin e qytetarëve shqiptarë, dinjitetin e tyre, vendosmërinë e tyre për tu ndarë me këtë të keqe të madhe.
Ndaj dhe njëherë ftoj shqiptarët, në datën dhe orën e caktuar që do të jetë shumë e shpejtë, të dalim në shesh në kryengritjen më të fuqishme që të çojmë Shqipërinë drejt fitores, drejt përmbysjes së këtij regjimi armik të shqiptarëve.
Gazeta RD