Deputetja e PD, Ledina Alolli, gjatë një vizite në fshatin Rëmenj të njësisë administrative Buçimas në Pogradec, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar të një rruge të ndërtuar vetëm pak muaj më parë. Sipas saj, investimi prej rreth 800 milionë lekësh ka rezultuar problematik dhe përbën një rast flagrant abuzimi me fondet publike, duke rrezikuar sigurinë dhe jetën e banorëve të zonës.
Ledina Alolli: Së bashku me kryetarin e PD të degës Pogradec jemi sot këtu fshatin Rëmenj në njësinë administrative Buçimas për të parë nga afër problematikën e rrugës.
Pamjet tregojnë se çfarë ka ndodhur me rrugën e cila është një abuzim me investimet publike dhe një model i pastër i korrupsionit.
Kjo rrugë është inaguruar vetëm pak muaj më parë një investim që ka kushtuar 800 milionë lekë dhe siç e shihni rezultati është i dukshëm çka do të thotë që banorët e kësaj zone kanë probleme të mëdha sepse jeta e tyre është e pasigurt kur kalojnë këtu, një problematikë që është shfaqur edhe kohë më parë.
Kjo rrugë do të shkaktojë problematika të mëtejshme të cilat mund të vinë deri më bllokimin e kësaj lagjeje për të komunikuar me pjesën tjetër.
Ju bëjmë thirrje organeve kompetente për të marrë masa.
Të ndërhyjnë te kjo rrugë në mënyrë që të sigurojnë jetën e banorëve por ju bëjmë thirrje gjithashtu që të shohin mënyrën e kryerjes së punimeve dhe të marrin në dorëzim dosjen e cila reflekton punimet që janë kryer në këtë rrugë dhe përgjegjësinë e kompanisë së punimeve.
Gazeta RD