Zhupa: Një ligj me porosi për të monopolizuar arsimin nga një subjekt privat!

Deputetja e PD, Ina Zhupa, gjatë fjalës së saj në Kuvend u shpreh se projektligji i ri i Ministrisë së Arsimit synon t’i japë Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), një organizatë private, kontrollin e arsimit në Shqipëri.

Zhupa shprehet se pasi AADF mori nën menaxhim Butrintin, Durrësin, Gjirokastrën dhe Elbasanin, tani kjo organizatë synon të vendosë dorën mbi Qendrën e Shërbimeve Arsimore dhe mbi të gjithë funksionet kyçe të arsimit, duke përfshirë provimet e maturës, licencimin e mjekëve dhe mësuesve, tarifat për shërbime dhe njohjen e diplomave të studentëve që studiojnë jashtë.

Fjala e Ina Zhupës

Mirela Kumbaro pasi e futi AADF-në në trashëgiminë kulturore, duke e bërë koncesionare kudo — në Butrint, në Durrës (TID-BID), në Gjirokastër, në Elbasan — tani po bën një ligj tjetër të ngjashëm për fushën e arsimit, ku do ta fusë AADF-në me të dyja këmbët në arsim. Merr klientët e saj kudo me vete, sic merr drejtorët.

Një projektligj i ri, i depozituar në Kuvend, parashikon shkrirjen e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA), një strukturë që de jure quhet shtetërore, por mban “vulën” dhe kontrollin e AADF-së.

Relacioni shkruan: “Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF)…”. Qëkur qenka normale që në shtetin shqiptar ligjet të hartohen nga një organizatë private për interesat e veta?

Nga AADF do të varen:Tezat e Maturës Shtetërore, pra fati i mijëra maturantëve çdo vit; Provimet e Shtetit, licencimi i mjekëve, infermierëve dhe mësuesve; Tarifat, sa do të paguajë çdo shqiptar për të marrë një vërtetim apo për të dhënë një provim; Njohja e diplomave të studentëve që studiojnë jashte.

Njësoj si në ligjin e trashëgimisë, ngrihet Këshilli Drejtues i Agjencisë së re. Sipas projektligjit, ky bord nuk do të ketë vetëm zyrtarë shtetërorë, por edhe “përfaqësues të partnerëve strategjikë/donatorëve”. Kjo do të thotë se AADF do të jetë vendimmarrëse.

Hiqni dorë nga kjo praktikë, që nuk e ka askush: të dorëzohen çelësat e arsimit, si e drejtë kushtetuese, te një subjekt privat. Edhe meqë keni merakun se kanë emrin “amerikan”, po ju informoj me një përgjigje të Ambasadës Amerikane, e cila konfirmon se AADF nuk ka lidhje me politikat shtetërore apo institucionet e shtetit amerikan. Është një OJF private, së cilës ju po i jepni në dorë rolin e ministrive dhe, përtej tyre, detyrime kushtetuese që janë tagër i shtetit.

About Redaksia

Check Also

Analisti: Rasti i Irena Gjokës është një nga kulmet më të errëta që provon se çfarë është SPAK

Nga Ndriçim KULLA Çfarë mund të ndodhë në një çast në historinë e një shoqërie kur …