Rama e ka katandisur Shqipërinë në parajsë piraterie dhe produktesh të fallsifikuara!

Nga Bujar Leskaj

Pavarësisht se votoj pro projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në traktatin e Singaporit mbi ligjin e markave tregtare, bërë në Singapor, më 27 mars 2006”, si një hap pozitiv për vendin, pasi synon harmonizimin e procedurave të ndryshme administrative të markave tregtare, dua të tërheq vëmendjen dhe të denoncoj papërgjegjshmërinë ekstreme dhe indiferencën totale të sektit Rama në pushtet, të cilat e kanë shndërruar prej vitesh tashmë vendin në një parajsë të piraterisë së markave tregtare dhe shitjes së produkteve të falsifikuara.

Pirateria dhe produktet e falsifikuara: problem madhor i ekonomisë sonë

Pirateria e markave tregtare dhe tregtimi i produkteve të falsifikuara mbetet një nga problemet më të mëdha të ekonomisë shqiptare. Megjithëse Shqipëria ka miratuar një kuadër ligjor të përafruar me Bashkimin Evropian për mbrojtjen e pronësisë industriale dhe markave tregtare, në praktikë tregu shqiptar vijon të jetë i mbushur me mallra të falsifikuara, imitacione të markave të njohura dhe produkte të importuara në mënyrë informale.
Kudo në qytetet dhe fshatrat tona gjen veshje, këpucë, parfume, aksesorë, pajisje elektronike apo produkte kozmetike që mbajnë logo të markave ndërkombëtare, por që në realitet janë produkte të falsifikuara. Tregjet informale, dyqane të vogla, shitje online në rrjete sociale dhe platforma të tregtisë elektronike janë kthyer në kanale kryesore të shpërndarjes së këtyre produkteve.
Kjo dukuri përbën një problem madhor që dëmton rëndë ekonominë. Pirateria e markave tregtare nuk është thjesht një çështje estetike apo morale. Ajo ka pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, pasi (i) dëmton bizneset e ndershme që paguajnë taksa dhe respektojnë ligjin, (ii) ul të ardhurat fiskale të shtetit, duke qenë se shumica e tregtisë së produkteve të falsifikuara zhvillohet në informalitet, (iii) pengon investitorët e huaj, të cilët e shohin mungesën e mbrojtjes së markës si një rrezik serioz, si dhe (iv) dëmton konsumatorët, të cilët shpesh blejnë produkte me cilësi të dobët, pa garanci dhe potencialisht të rrezikshme për shëndetin.
Në sektorin e kozmetikës, ilaçeve, produkteve ushqimore apo pjesëve të automjeteve, falsifikimi mund të sjellë pasoja edhe më të rënda. Një parfum i falsifikuar mund të shkaktojë alergji të rënda, ndërsa një pjesë e falsifikuar e makinës mund të rrezikojë jetën dhe një ilaç i falsifikuar mund të mos ketë asnjë efekt terapeutik.

Zbatim zero i ligjit për mbrojtjen e markave tregtare

Shqipëria ka ligje për mbrojtjen e markave tregtare dhe pronësisë industriale, por problemi kryesor mbetet zbatimi. Kontrolli i tregut është i kufizuar, inspektimet janë të rralla dhe shpesh të përqendruara vetëm në raste sporadike. Kjo indiferencë totale është e qëllimshme nga sekti në pushtet, si një favor që i bëhet ekonomisë informale dhe piraterisë .
Edhe kur zbulohen produkte të falsifikuara, ndëshkimet janë të ulëta ose procedurat zvarriten për vite të tëra. Bizneset që shesin produkte të falsifikuara shpesh rifillojnë aktivitetin pas pak kohe.
Lufta kundër piraterisë kërkon bashkëpunim mes Doganave, Policisë së Shtetit, Tatimeve, Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut, Prokurorisë dhe gjykatave. Në praktikë, ky koordinim ose është tejet formal, ose mungon krejtësisht.
Ka raste kur doganat bllokojnë një sasi mallrash të dyshuara si të falsifikuara, por më pas procedurat gjyqësore zgjasin aq shumë, sa mallrat humbin vlerën ose çështja mbyllet pa rezultat.

Sekti Rama: garantor i tregut të madh informal

Ekonomia informale në Shqipëri mbetet me herë më e lartë, krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian dhe me vendet e tjera të rajonit. Pikërisht informaliteti krijon terren ideal për shitjen e mallrave pa faturë, pa origjinë të qartë dhe pa kontroll.
Shitja online e ka shtuar më tej problemin. Në rrjetet sociale mund të gjenden qindra faqe që reklamojnë “produkte origjinale” me çmime shumë të ulëta, ndërkohë që në shumicën e rasteve bëhet fjalë për imitacione.
Sekti Rama në pushtet ka bërë sehirxhiun. Institucionet ligjzbatuese tek ne nuk e kanë trajtuar ansjëherë këtë problem me përparësinë e duhur. Ndërkohë që janë bërë deklarata për luftën kundër informalitetit dhe për afrimin me standardet e Bashkimit Evropian, rezultatet konkrete në mbrojtjen e markave tregtare mbeten të kufizuara.
Problemet kryesore që evidentohen janë (i) numri i ulët i kontrolleve në treg, (ii) mungesë transparence mbi sasitë e mallrave të sekuestruara, (iii) dënime të rralla penale për falsifikim të markave. (iv) mosfunksionim efektiv i mekanizmave të monitorimit të tregtisë online dhe (v) burime të pamjaftueshme njerëzore dhe financiare për institucionet përgjegjëse.
Për më tepër, bizneset që përfaqësojnë marka ndërkombëtare shpesh ankohen se duhet të ndjekin vetë procedurat ligjore, duke mbuluar kostot e ekspertizës dhe proceseve gjyqësore.

  xxx

Mbrojtja e pronësisë intelektuale është një nga kushtet kryesore të Bashkimit Evropian për vendet që synojnë anëtarësimin. Raportet e progresit të BE-së për Shqipërinë kanë theksuar në mënyrë të përsëritur nevojën për forcimin e zbatimit të ligjit në këtë fushë.
Shqipëria nuk po arrin të luftojë në mënyrë efektive piraterinë e markave tregtare kjo po ndikon negativisht jo vetëm në klimën e investimeve, në zhvillimin e biznesit formal, por është bërë pengesë e pakapërcyeshme në negociatat me Bashkimin Evropian dhe në imazhin e vendit si ekonomi në zhvillim dhe e besueshme.

V.O Eshte diskutimi i menduar per seancen e te enjtes, 2 prill 2026, qe nuk u mundesua per shkak te prishjes se seances nga provokatori i shumices parlamentare T.Balla.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Irena me 5 mbiemra falsifikoi edhe kombësinë e saj! Dumani i hapi çështje pa emër dhe ia mbylli me emër

Kryetari i PD, Sali Berisha, në një prononcim për mediat pas daljes nga SPAK tha …