Tabaku: Mazhoranca po rishkruan rregulloren për të kontrolluar Kuvendin!

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare, tha se ndryshimet e propozuara në rregulloren e Kuvendit përbëjnë një tjetër hap drejt kufizimit të rolit të opozitës dhe cenimit të parimeve bazë të funksionimit parlamentar.

Ajo theksoi se procesi po zhvillohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, pa konsultim të gjerë dhe në kundërshtim me frymën e bashkëjetesës politike.

“Në kalendar mazhoranca propozoi që të prezantohen dhe ndryshimet e rregullores mbas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese përsa i përket shkeljes së kushtetutës që kryetari i Kuvendit ka kryer për procedurën e ndjekur për ndryshimin e komisioneve hetimore.

Mazhoranca na njoftoi që pret që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të zbardhet. Unë nuk e di se çfarë informacioni ka mazhoranca që ne nuk e kemi, që Gjykata Kushtetuese do të zbardhë vendimin.

Ne e kundërshtuam dhe nuk ramë dakord për të kryer një seancë shtesë në javën e gjelbër, vetëm me justifikimin që Gjykata Kushtetuese do të zbardhë këtë vendim.

Dua t’i njoftoj të nderuar kolegë që ndryshimet e rregullores, të cilat Partia Demokratike i çoi në Gjykatë Kushtetuese me një vendim të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë opozitës për shkelje të rregullave të parlamentit, janë, unë besoj, rasti më flagrant se si rregullat e bashkëjetesës në këtë parlament janë shkelur me dy këmbë.

Partia Demokratike i qëndron faktit që rregullorja e parlamentit duhet patjetër të ketë ndryshime konsensuale.

Ndryshimet e reja të prezantuara nga Partia Socialiste shkelin edhe të drejtat e komisioneve, por edhe të kryetarëve të komisioneve të opozitës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër krijojnë një komision, sikur po ndahen vilajete këtu në parlament.

Njëri i nënës e tjerët të njerkës. Për këtë arsye, në konferencën e kryetarëve u diskutua që në qoftë se Gjykata Kushtetuese do ta zbardhë vendimin, ne do të kryejmë një seancë në fund të muajit prill.

Në qoftë se Gjykata Kushtetuese nuk e zbardh vendimin, atëherë ne do të vazhdojmë normalisht me kalendarin e propozuar ku java e gjelbër do të jetë javën e tretë të prillit.

Por dua t’ju njoftoj që ky diskutim në konferencën e kryetarëve, duke pasur parasysh që kishte në bazë vetëm ndryshimet e rregullores, është e nevojshme që të sqarohemi që për ne, ndryshimet e rregullores të njëanshme, ndryshime të cilat marrin hapësirën e opozitës, ndryshime të cilat nuk janë dakordësuar dhe nuk janë diskutuar me një proces të gjerë konsultimi, janë edhe në shkelje të të gjitha parimeve të bashkëjetesës në këtë parlament.

Në këtë parlament në fakt shumë gjëra kanë ndryshuar, që nga hapësira që ka opozita, koha e debatit, mocionet, interpelancat, komisionet hetimore.

Ndërkohë që me ndryshimet e rregullores, jo vetëm ato të parat, por njëkohësisht dhe ndryshimet e reja që mazhoranca ka propozuar, edhe hapësirën që kanë komisionet që drejtohen nga opozita, edhe kjo do të ngushtohet. Koha e diskutimeve do të ngushtohet. Njëkohësisht do të ngushtohen edhe të gjitha hapësirat e tjera opozitare”, tha Tabaku.

About Redaksia

Check Also

Si Balla gënjeu në sallën e gjyqit, tentoi të ndryshojë dëshminë përballë Malltezit

Deputeti socialist, Taulant Balla, gënjeu edhe në sallën e gjyqit ku u thirr për të …