Shefi i zjarrfikësve, Arben Cara ka folur për mediat lidhur me zjarrin e përmasave të mëdha që ka përfshirë kompleksin “Arlis sh.p.k” ‘Arlis’ i Armand Lilos. në Tiranë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në godinë, fasada e të cilëve është shkrumbuar totalisht.
Cara tha për mediat se flakët janë vënë nën kontroll dhe është arritur lokalizimi i zjarrit, duke shmangur përhapjen në kullat përreth.
Sipas tij, në operacion janë angazhuar të gjitha kapacitetet në dispozicion, ndërsa puna vijon intensivisht për shuarjen e plotë të vatrave që ndodhen brenda banesave.
Sa i përket dëmeve, Cara tha se ende nuk ka një bilanc të saktë për numrin e apartamenteve të shkrumbuara, megjithatë, bëhet me dije se zjarri ka përfshirë të gjithë pjesën verilindore të pallatit, nga kati i parë deri në katin e fundit.
“Kemi angazhuar të gjitha kapacitetet që kemi për të bërë të mundur lokalizimin e flakëve. Është akoma shumë herët për të thënë që zjarri është fikur, pasi po punohet në të gjitha drejtimet për të lokalizuar vatrat e zjarrit që ndodhen brenda banesave. Kemi bërë të mundur lokalizimin e zjarrit që të mos përhapet në kullat përreth. Tirana është angazhuar me të gjitha kapacitetet e plota, mbi 50 zjarrfikës nga Bashkia Tiranë, nga Vora dhe nga Kamza. Zjarrfikësit e ushtrisë janë këtu.
Në orën 16:52, nga salla e policisë, ne kemi marrë lajmërimin për një zjarr në këtë kompleks dhe më pas unë kam komunikuar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e emergjencave civile, ministrin e Brendshëm dhe kemi bërë të mundur angazhimin e forcave që tashmë po punojnë intensivisht për lokalizimin e vatrave.
Nuk mund të flasim për sa apartamente janë shkrumbuar, pasi do të bëhet një bilanc më vonë, por mund të themi se zjarri ka përfshirë të gjithë pjesën e verilindjes së pallatit, nga kati i parë deri në katin e fundit, është përfshirë i gjithë.”– tha Cara.
Drejtori i Policisë, Skënder Hita tha se ende nuk është bërë bilanci përfundimtar i zjarrit, ndërkohë theksoi se disa punonjës të shërbimit zjarrfikës kanë pësuar djegie të lehta gjatë ndërhyrjes.
“Tani ende nuk kemi bërë bilancin përfundimtar. Janë paraqitur punonjës të shërbimit zjarrfikës, kanë djegie të vogla, janë angazhuar të gjitha forcat dhe kemi bërë menaxhimin dhe koordinimin me forcat e tjera. Ende nuk janë kontrolluar të gjitha banesat. Është ende herët për të mësuar nga ka lindur zjarri, por do të kryhen të gjitha veprimet hetimore duke këqyrur pamjet e kamerave të sigurisë nëse kanë mbetur”, tha Hita.
Gazeta RD