Në njoftimin zyrtar dërguar mediave për këtë ngjarje, thuhet se Lilo është thjesht nën hetim, për shkatërrim të pronës nga pakujdesia, njësoj si punonjëset e supermarketit “Big Market” nga ku dyshohet se nisi zjarri.
Nuk dihet arsyeja e tërheqjes së policisë për ta arrestuar Lilon, por burime brenda policisë thanë për Zoom.al se ai është një person me lidhje të forta politike dhe në sistemin e drejtësisë. Lilo është kunat i ish -ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafa, autorit të Reformës në Drejtësi dhe klient i preferuar i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Por teksa Lilo gëzon i qetë lirinë, në pranga kanë përfunduar katër persona të tjerë.
Ata janë: inxhinieri i kompanisë “Arlis Ndërtim”, Enver Ademi, kontraktori i fasadës Altin Furtuna, administratori i pallatit Agron Cara dhe menaxherja e Big Market që ndodhej në katin e parë të pallatit, Razie Sula.
Hetimet për shkaqet e zjarrit janë ende në vijim dhe autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet e zjarrit dhe përgjegjësitë përkatëse të personave të përfshirë.
Nga zjarri i rënë ditën e djeshme, 11 persona u paraqit në spital me probleme shëndetësore për shkak të asfiksisë.
Ndërsa dëmet materiale janë të mëdha. Paraprakisht bëhet fjalë për rreth 30 apartamente të djegur plotësisht.
Gazeta RD