Kryetarja e degës nr. 9 të PD në Tiranë, Eda Grimçi, gjatë protestës së opozitës iu drejtua qytetarëve me një fjalim ku bëri thirrje për reagim dhe pjesëmarrje aktive kundër, siç tha ajo, padrejtësive dhe largimit të të rinjve nga vendi.
Ajo u shpreh se protesta përfaqëson “zërin e qytetarëve të lodhur dhe të zhgënjyer”, ndërsa theksoi se të rinjtë po detyrohen të emigrojnë dhe se në vend, sipas saj, mungon meritokracia.
Grimçi: Të dashur qytetarë, që keni guximin të jeni sot këtu. Të dashura nëna, motra, prindër, të rinj të këtij vendi. I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. Ky nuk është një fjalim, është një thirrje për çdo shqiptar. Një thirrje për ty që je lodhur nga mashtrimi dhe propaganda, për ty që ke heshtur shumë gjatë, por sot po paguan heshtjen, për ty që ndjen çdo ditë padrejtësi në kurriz, por sërish gjen forcë të ngrihesh çdo mëngjes. Ju drejtohem me respekt dhe me përgjegjësi të plotë juve që jeni sot këtu, sepse të dalësh në protestë sot kërkon guxim, kërkon zemër, kërkon vendim për të mos heshtur më. Ju që jeni sot këtu, jeni zëri i atyre që nuk flasin dot. Jeni forca e atyre që janë të lodhur, por nuk dorëzohen. Jeni jehona e një populli të vjedhur dhe të tallur. Shikoni rreth e rrotull. Ky që sheh, nuk është turmë.
Kjo është ndërgjegje. Jemi njerëz të lirë, jemi njerëz që nuk përkulen, që nuk shiten, që nuk tremben. Sepse liria nuk negociohet, dinjiteti nuk blihet dhe frika mbaron sot. Unë sot nuk jam këtu si politikane, atë e bën doktor Berisha. Unë sot jam këtu si nënë që nuk pranon të rrisë fëmijët në një vend ku largimi shihet si mundësi. Prandaj, nga ky shesh, së pari ju drejtohem pikërisht nënave, atyre që çdo ditë përcjellin fëmijët me lot në sy në aeroport.
Atyre që jetojnë mes mallit dhe frikës për të ardhmen e tyre. Çohuni për fëmijët tuaj, mos lejoni t’ua largojnë. Jam këtu si bijë e dy prindërve që meritojnë dinjitet, respekt, shërbime dhe jo mashtrime apo bonuse gjysma gjeje të këtij mashtruesi këtu. Mendoni për vete. Sot ju drejtohem prindërve, gjyshërve tanë që keqpërdoren në çdo fushatë. Mendoni për fëmijët tuaj, të cilët me paratë e fituara me mund nëpër botë, duhet të kujdesen edhe për juve. Mos i lejoni më t’ju poshtërojnë, reagoni kundër hajdutëve, mos i votoni më. Mbi të gjitha, ju drejtohem të rinjve, atyre që sot janë në shesh, por dhe atyre që janë jashtë e nuk mund të jenë sot me ne. Ju jeni arsyeja pse kjo betejë nuk ndalet. Ju jeni shpresa, energjia. Mos i dëgjoni kur ju thonë se jeni brez dembelësh e indiferentësh. Këtë duan këta që ju të mendoni, pasi kanë frikë nga ju. Reagoni e mos i lejoni t’ju marrin ëndrrat, shpresën, punën, mundësinë. Mos ikni nga ky vend me valixhe në duar e me dhimbje në zemër. Kjo nuk është mundësi, jo. Kjo është tragjedi, ky është popullim, kjo është vrasje e të ardhmes.
Shkolla pa kushte, arsimi i shitur, mësues të detyruar të bëhen ushtarë politikë. Të rinj që mësojnë me dhimbje vetëm një gjë, që në këtë vend nuk fiton më i miri, por më i lidhuri, më patronazhisti. Dhe ti, sipas tyre, duhet të heshtësh. Po deri kur? Kështu nuk është jetë, është poshtrim. Në çdo shtëpi shqiptare ka një plagë. Ka një djalë larg, ka një vajzë larg, ka një nënë që pret një telefonatë, një baba që mban lotët nga pamundësia dhe nga frika për një vend të mjerë pune. Mjaft më. Ndërkohë, këta, këta pasurohen, këta vjedhin. Këta sillen si pronarë të këtij vendi. Mjaft më me nënshtrim dhe frikë, sepse nga sot, këta duhet të kenë frikë nga ju. Kanë frikë nga ty, nga zëri jot, nga qëndresa jote, sepse e dinë që vetëm kur ne të zgjohemi, këta do të largohen nga pushteti i vjedhur. Unë e kam parë frikën e këtyre. I kam parë sa trima janë.
Gazeta RD