Xhaferri: Rama e ka kthyer Shqipërinë në një çiflig personal

Deputeti i PD, Besart Xhaferri, njëkohësisht kryetari i Forumit Rinor, gjatë fjalës së tij, u shpreh se, protesta nuk është vetëm kundër qeverisë, por është një dëshmi se ‘shpirti i qytetarëve nuk blihet dhe nuk mposhtet’.

Në fjalën e tij, Xhaferri e përshkroi qeverisjen si të ndikuar nga korrupsioni dhe oligarkia, duke akuzuar se të ardhurat publike nuk shkojnë për shërbime thelbësore si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura, por përfitohen nga një grup i kufizuar interesash.

Fjala e Xhaferrit

Të dashur qëndrestarë, të rinj dhe të reja, qytetarë të lirë të Tiranës dhe Shqipërisë.

Sot jemi mbledhur në këtë shesh, jo thjesht për të protestuar kundër një qeverie, por për të dëshmuar se shpirti i shqiptarit nuk blihet, nuk mposhtet dhe nuk dorëzohet përballë një regjimi që po na vjedh të tashmen dhe po na vret të ardhmen.

Vetëm dje, në parlamentin e Shqipërisë, ne ngritëm zërin për një vërtetë të hidhur që po rrezikon jetën e qytetarëve tanë çdo ditë. Folëm për fasadat e rrezikshme, për polisterolin që po i kthen pallatet e Tiranës në mina me sahat, duke rrezikuar jetë njerëzish për shkak të babzisë dhe korrupsionit me lejet e ndërtimit.

Por a nuk është e gjithë qeverisja e Edi Ramës fiks si ato fasada prej polisteroli? Një shtet i lyer me bojrat e ndezura të propagandës, i bukur për t’u parë nga jashtë, por thellësisht i kalbur, i korruptuar dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm nga brenda.

Mjafton një shkëndijë e vetme e së vërtetës, mjafton pak drejtësi e pakapur, që i gjithë ky pushtet prej fasade të shkrumbohet dhe të bjërë në tokë.

Të nderuar miq, ata e kanë kthyer Shqipërinë në një çiflig personal. Paratë e taksave tuaja, djersa e prindërve tanë, nuk shkojnë për shkolla më të mira, nuk shkojnë për spitale ku gjen shërim, as për rrugë dhe as për siguri publike. Ato shkojnë drejt dhe në xhepat e një grushti oligarkësh dhe pushtetarësh, përmes tenderave sekret dhe koncesioneve fantazmë.

E çfarë po i ofrojnë rinisë sonë sot? Çfarë po ofrojnë bashkëmoshatarëve të mi? Vetëm dy rrugë, nënshtrimin ose emigrimin.

Shpopullimi i Shqipërisë nuk është një aksident i historisë, nuk është as edhe një fenomen global siç duan t’jua shesin. Është një projekt i mirëmenduar i këtij sekti në pushtet, për të zbrazur vendin nga të rinjtë rebelë, nga profesionistët e ndershëm, nga mendjet e lira që nuk pranojnë të ulin kokën dhe të kthehen në patronazhistë të bindur.

Por unë si kryetar i Forumit Rinor dhe bashkë me gjithë ju këtu, sot ju them, ne nuk do të ikim. Ky është vendi ynë, kjo është toka jonë. Shqipëria nuk është e varfër, Shqipëria është e vjedhur.

Ne nuk mund t’ia lëmë atdheun tonë atyre që e trajtojnë si plaçkë tregu. Rinia e këtij vendi nuk ka lindur për t’u bërë forcë pune e lirë nëpër rrugët e Evropës. Ne kemi inteligjencën, forcën, arsimimin dhe kurajën për ta bërë Shqipërinë një vend të begatë, të denjë për familjet tona.

Por për ta bërë këtë duhet të shëmbim murin e pandëshkueshmërisë. Duhet të ngremë një kryengritje morale dhe qytetare, një rebelim kundër të keqes që na ka zënë frymën.

Ne jemi këtu për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jemi këtu për t’i thënë atyre që fshihen pas dyerve të atyre godinave të pushtetit që ky pushtet i takon sovranit, i takon popullit dhe jo bandave.

Mos kini frikë nga makineria e tyre e propagandës. Ata duken të fortë vetëm kur ne jemi të përçarë, vetëm kur ne heshtim. Por shikoni këtë shesh sot, shikoni forcën e bashkimit. Ky lumë njerëzish është tmerri i tyre më i madh.

Le të jetë ky 17 Prill, dita kur ne i themi mjaft fasadës së kalbur. Dita kur i themi mjaft vjedhjes së shpresës. Dita kur dëshmojmë se Partia Demokratike dhe opozita shqiptare janë e vetmja alternativë e vërtetë për ta rikthyer këtë vend në shinat e Evropës.

Ngrihuni, bashkohuni, mos u dorëzoni! Sepse e nesërmja u përket atyre që guxojnë, atyre që nuk heshtin, atyre që e duan Shqipërinë.

Zoti ju bekoftë ju, Zoti e bekoftë rininë shqiptare,

Zoti e bekoftë Shqipërinë! Fitore!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Protesta tjetër do caktohet shumë shpejt, kryengritja jonë paqësore nuk njeh të zmbrapsur!

Pyetje: Si do të vijojë protesta juaj? Sali Berisha: Patjetër, shumë shpejt. Do të caktohet …