Kushtetuesja shfuqizon ndryshimet në Kuvend: Procedura e përshpejtuar cenoi të drejtat e opozitës

Gjykata Kushtetuese ka shpallur të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e Kuvendit të Shqipërisë të datës 16 shtator 2025, i cili ndryshoi Rregulloren e brendshme duke rritur numrin e komisioneve parlamentare nga 8 në 11. Me një vendim unanim për pranimin e kërkesës, trupa gjykuese i ka dhënë të drejtë grupit të deputetëve të pakicës, duke argumentuar se nxitimi i shumicës për të kaluar ndryshimet brenda 24 orëve asgjësoi të drejtën e opozitës për debat dhe vendimmarrje të informuar.

Vendimi i Gjykatës i jep fund një përplasjeje institucionale të nisur që në fillim të legjislaturës së re, kur 30 deputetë të shumicës socialiste propozuan dhe votuan brenda së njëjtës ditë ndryshimin e strukturës së komisioneve.

Beteja kushtetuese dhe argumentet e palëve

Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese u depozitua nga jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit, të përfaqësuar nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dhe avokati Marash Logu. Ata argumentuan se vendimmarrja e shpejtë, e futur në rendin e ditës më pak se 24 orë nga zhvillimi i seancës dhe heqja e së drejtës së fjalës nga Kryetari i Kuvendit, përbënte një shkelje të rëndë të të drejtave që burojnë nga statusi i deputetit.

Nga ana tjetër, Kuvendi u mbrojt me argumentin se Rregullorja është një akt i brendshëm organizativ dhe se veprimi i shpejtë diktohej nga nevoja për të miratuar aktet për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, ky pretendim u rrëzua nga Gjykata pas analizimit të dokumentacionit.

“Fakti që komisionet parlamentare janë konstituuar në datën 24.09.2025, ndërsa ligjet janë miratuar kohë më vonë, nuk e mbështesin prapësimin e Kuvendit, ndaj Gjykata nuk e konsideron të justifikuar nevojën e urgjencës,” vëren Gjykata Kushtetuese në arsyetimin e saj.

Procedura pamundësoi debatin parlamentar

Gjykata theksoi se megjithëse Kuvendi ka autonomi për të rregulluar funksionimin e tij të brendshëm, ky pushtet vetërregullues nuk mund të përdoret për të shtypur zërin e pakicës. Informimi i deputetëve vetëm ditën e seancës plenare i zhveshi ata nga e drejta thelbësore për të përgatitur amendamente dhe për të diskutuar.

“Mënyra e thirrjes së Kuvendit në seancë plenare, si dhe procedura e përshpejtuar e miratimit të ndryshimeve të Rregullores kanë sjellë cenimin e parimit të demokracisë përfaqësuese në drejtim të lirisë së shprehjes së deputetëve të pakicës parlamentare,” theksohet në vendimin përfundimtar.

Në analizën e saj, trupa gjykuese shton një standard të rëndësishëm për jetën parlamentare, duke u shprehur qartë mbi kufijtë e shumicës:

“Pushteti vetërregullues nuk duhet të bëhet premisë që të drejtat e deputetëve të cenohen në atë masë që do të çonte drejtpërdrejt në cenimin e parimit të demokracisë përfaqësuese.”

Efektet e vendimit

Për të mos krijuar një ngërç të menjëhershëm në punimet e Parlamentit, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që efektet shfuqizuese të këtij vendimi të hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Kjo periudhë tranzitore i lë kohë Kuvendit që të riorganizojë strukturën e komisioneve të tij parlamentare në përputhje të plotë me procedurat e rregullta dhe standardet e kërkuara nga ky vendim për të drejtat e pakicave në parlament.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Rama sulmoi protestuesit paqësorë njësoj si Asadi në Siri! Kurrë në Europë nuk janë parë pamje të tilla

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Edi Rama sulmoi protestuesit paqësorë njësoj si Asadi …