Shtyhet sërish seanca në GJKKO për pushimin e hetimeve për Irena Gjokën. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 4 maj, në orën 11:00.
Shkak për shtyrjen u bë mungesa e prokurorëve të çështjes. Pas seancës, avokati Genc Gjokutaj e cilësoi situatën një “çudi të madhe” dhe “ironike”, duke zbuluar një detaj që e quan “skandal juridik”.
Sipas avokatit, në tabelën elektronike të njoftimit të gjyqeve, për këtë çështje nuk figuron asnjë person nën hetim. “Te rubrika e personit shkruhet ‘nuk ka person në hetim’. Pra, këta e kanë filluar çështjen dhe e kanë mbaruar pa person në hetim”, deklaroi Gjokutaj para mediave. Ai shtoi se mbrojtja e ka ngritur këtë shqetësim që në fillim, duke argumentuar se një procedim penal nuk mund të nisë pa një emër të regjistruar, pasi ose ka një autor ose nuk ka.
“Edhe nga pikëpamja formale, ky është një skandal juridik. Megjithatë, kjo i përket ndërgjegjes së atyre të cilët e marrin përsipër ta bëjnë,” tha ai.
I pyetur nëse do të kërkojë shqyrtimin e çështjes në një tjetër gjykatë, avokati u shpreh se fillimisht duhet të zhvillohet seanca dhe më pas pala mbrojtëse do të ngrejë të gjitha pretendimet për parregullsitë procedurale, përfshirë edhe çështjen e kompetencës së gjykatës.
Genc Gjokutaj: Seanca u shty në datën 4 maj në orën 11:00. Do të vijojmë me seancën. Nuk pati ndonjë zhvillim. Pjesa tjetër ne ishim prezentë, gati për të vijuar gjykimin. Është një çudi e madhe sepse kjo është një çështje e cila ka një sensitivitet shumë të lartë.
Është edhe ironike dhe për të qeshur por edhe për të qarë, fakti që në tabelën e njoftimit të, tabelën elektronike të njoftimit të gjyqeve, ky gjykim, te rubrika e personit shkruhet, nuk ka person në hetim. Pra, këta e kanë filluar çështjen dhe e kanë mbaruar pa person në hetim. E kuptoni? Dhe ne këtë alarm e kemi thënë që në fillim. Nuk mund të ketë çështje pa regjistruar një emër sepse këtu nuk diskutohet që ka ndodhur një ngjarje për të cilën nuk dihet autori. Këtu ose ka autor ose nuk ka autor. Ai person duhet të kishte këtë cilësi, duhet të pyetej me atë cilësi dhe pastaj le të konkludonte prokurori. Pra, edhe nga pikëpamja formale, ky është një, një skandal juridik. Megjithatë, kjo i përket ndërgjegjes së atyre të cilët e marrin përsipër ta bëjnë.
Pyetje: Zoti Gjokutaj, do ta, do kërkoni që të shqyrtohet në një tjetër gjykatë, jo në gjykatën e posaçme si kërkesë?
Genc Gjokutaj: Po ne ta hapim njëherë seancën. Ky ishte problem. Pastaj ne do t’i ngremë të gjitha problemet që lidhen me këtë procedim. E kupton? Këtu ka probleme që nga kompetenca e gjykatës edhe pasojat pastaj që vijnë pas saj.
Pyetje: Irena Gjoka ishte vetë e pranishme në seancë?
Genc Gjokutaj: Po s’ka persona në hetim pra. Shiko, Irena do të mbahet larg shqetësimeve, larg gjykimeve, e kupton? Sepse Irena u duhet prapë këtyre.
Gazeta RD