SPAK deklaron se Karçanaj ka marrë 200 mijë euro ryshfet, të vendosura në kuti me shishe vere për të shmangur dyshimet për shkak të pozicionit që mbante në AKSH. Rezulton se ajo jetonte me qira të ulëta, por faktet kanë treguar se këtë pasuri ia kishte dhënë me qira të ulët në çështje nderi Agasit.
SPAK konfirmon lidhjen e Ergys Agasit me Elvis Doçin, i njohur si Visi i Pojës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si kreu i një grupi kriminal që trafikonte kokainë. Vna.al raporton se hetimet e prokurorisë që çuan në sekuestrimin e 40 milionë eurove pasuri të Agasit, Ermal Beqirit, të dy të dyshuar si krerë të grupit kriminal që vepronte brenda AKSHI-t dhe Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoreshë e institucionit, rezulton se Agasi po planifikonte të ndërtonte një kompleks luksoz në periferi të Tiranës bashkë me Visin e Pojës si bashkëinvestitor.
Lidhur me një sipërfaqe toke në Farkë rezulton se: Pasuria me nr.73, ndodhur në zonën kadastrale 3091, e llojit Arë me sipërfaqe 10 300 m², ndodhur në Njësinë Administrative Farkë, Tiranë, vol.2 fq.128. Kjo pasuri e paluajtshme ka kaluar në pronësi me kontratën e shitjes nr. 11/10 rep/kol datë 08.02.2021 mbajtur para notere E. J midis shtetasve A. Lamja, H. Lamja, Q. Lamja etj si shitës, shtetasit A dhe N Alliu si dhënës pëlqimi dhe shtetasve Ergys dhe Megi Agasi si blerës, me çmim shitje 55.000 Euro ose 6 EUR m2, të cilat do të derdhen në llogarinë e posaçme ESCROE të noteres hapur.
Gjithashtu më vonë, më datë 02.03.2021 shtetasit A. Alliu dhe N. Alliu kanë shkëmbyer pjesën e tyre takuese në pasurinë e mësipërme me pasurinë 744/4 ZK 3091 në pronësi të shtetasit Ergys Agasi dhe M. Agasi me kontratën e shkëmbimit me nr. 18/16 rep/kol, mbajtur pranë noteres Enina Juniku. Më datë 06.03.2021 lidhet kontratë sipërmarrje (për marrjen për investim të një sip toke) midis shtetasit Ergys Agasi dhe M. Agasi si pronarë të truallit dhe subjektit “Eldemar Construction” me nipt L01714506V me ortak dhe administrator shtetasit Elvis Doçi, për të realizuar një bashkëinvestim në realizimin e një projekti ndërtimor “Kompleksi rezidencial Vila” me sip zhvillimore 10 300 m2, ku pala pronare e truallit do të përfitojë 50% të sipërfaqes së përgjithshme ndërtimore të objektit të parashikuar në projektin që do të miratohet”, thuhet në dosjen e SPAK.
Kjo lidhje mes Ergys Agasit dhe Elvis Doçit duket me një konfirmim të akuzave që ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka bërë ndaj kryeministrit Rama dhe lidhjeve me klanin Troplini në Durrës, që drejtohet nga Xhevdet Troplini, i njohur si Poja.
Arben Ahmetaj ishte ai që e prezantoi Ergys Agasin publikisht si njeriun në hije pas Edi Ramës, në rolin e koordinatorit të krimit të organizuar dhe si ndërmjetës mes bandave kriminale dhe kryeministrit.
“A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve. Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias” – tregoi Ahmetaj në rrëfimin për RAI3.
Gazeta RD