Deputeti i PD, Belind Këlliçi, nga foltorja e Kuvendi deklaroi se i është drejtuar disa herë Bankës së Shqipërisë për çështjen e licensimit të “Jet Bank”, por nuk ka marrë përgjigje për kërkesën e fundit.
Ai njoftoi se i ka dërguar një shkresë të tretë guvernatorit Gent Sejko, duke kërkuar transparencë mbi procesin dhe verifikimet e kryera për aksionerët e bankës, e cila konsiderohet si e para dixhitale në vend.
Këlliçi: I jam drejtuar Bankës së Shqipërisë në muajin janar me një kërkesë zyrtare për të cilën jam njoftuar me shkrim në muajin shkurt. Në datë 30 mars i jam drejtuar me shkresën e dytë Bankës së Shqipërisë dhe tashmë në tejkalim të afateve, pasi nuk kam marrë përgjigje, po detyrohem që nga salla e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë t’i drejtohem zyrtarisht guvernatorit të Bankës dhe t’ia bëj me dije dhe publikut, me një shkresë të tretë, në lidhje me disa pyetje që më shqetësojnë si deputet i Kuvendit të Republikës, për të cilat i gjithë opinioni publik kërkon përgjigje. Duke qenë se kjo është banka e parë dixhitale në vend, do të ishte e udhës që në fakt drejtues të Bankës së Shqipërisë të dilnin dhe të bënin transparencë të plotë për këtë proces. Jo të flasë banka, apo jo të fshihet Banka e Shqipërisë pas bankës private, por të dalin zyrtarët e Bankës së Shqipërisë dhe t’i japin përgjigje pyetjeve që u janë drejtuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Për më tepër, e informoj dhe njëherë Bankën e Shqipërisë se, në datë 30/03, i jam drejtuar me një kërkesë për informacion me shkresë numër 360/2 protokoli, kërkesë për të cilën ende sot që flasim mbetem në pritje të një përgjigjeje. Javën e kaluar jam vënë në dijeni të disa të dhënave shumë të rëndësishme në lidhje me shoqërinë Banka Jet dhe aksionerin e Jet Holdings BV, të regjistruar në Qipro, Constador LTD. Banka Jet është regjistruar në datën 23 korrik 2025, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me aksioner të vetëm shtetasin izraelit Idan Avishai. Sipas akt-themelimit, kjo shoqëri do të administrohet nga Këshilli i Administrimit, ku pjesë përbërëse e këtij këshilli do të jenë shtetasit Idan Avishai, kryetar, Oliver Hemmer dhe Rami Solomon. Në datën 12 nëntor 2025, Idan Avishai ka shkarkuar Oliver Hemmer-in nga Këshilli i Administrimit. Më datë 3 dhjetor 2025, Banka e Shqipërisë ka marrë vendimin për dhënien e miratimit paraprak për licensimin e bankës Jet Bank në Republikën e Shqipërisë. Në datën 26 janar të vitit 2026, Idan Avishai, ky shtetas izraelit, i ka shitur 100% të aksioneve kompanisë Jet Holdings BV.
Kjo shoqëri rezulton e regjistruar në Hollandë, në vitin 2025. Në datën 12 shkurt 2026, Banka e Shqipërisë i është përgjigjur shkresës sime të parë, me numër protokolli 720/1, ku ndër të tjera ka cituar se Banka e Shqipërisë, nga vlerësimi i dokumentacionit të paraqitur nga Jet Holdings BV Hollandë, e cila është shoqëria që do të zotërojë 100% të kapitalit të bankës së supozuar Jet Bank, krijoi bindjen se Jet Bank do të ushtrojë veprimtarinë e saj në përputhje të plotë me kërkesat e parashikuara në kuadrin ligjor dhe rregullativ në fuqi. Sa më sipër, bazuar në nenin 8 të ligjit 8550 datë 18 nëntor 1999 për statusin e deputetit, kërkoj zyrtarisht të informohem si më poshtë vijon. Pyetja një, në cilën datë është bërë aplikimi për licensimin e Jet Bank? Dy, cili ka qenë aksioneri në momentin e aplikimit? Tre, në cilën datë jeni informuar për shitjen e aksioneve nga shtetasi Idan Avishai drejt kompanisë Jet Holdings BV?
Katër, sipas të dhënave në QKB, shitja e aksioneve ka ndodhur në datë 26 janar dhe ndërkohë Banka e Shqipërisë më është përgjigjur në datën 12 shkurt. A mjaftojnë 15 ditë për të kryer të gjitha verifikimet e parashikuara në kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi? Pesë, Oliver Hemmer ka mbajtur funksionin drejtues në kompaninë Banka Jet dhe Constador LTD në momentin e aplikimit. A keni kryer ju si Bankë e Shqipërisë verifikime për këta shtetas? Gjashtë, sipas një dokumentacioni të Ministrisë së Brendshme gjermane, shtetasi Oliver Hemmer është drejtues dhe ortak i kompanisë GRF Europe OU, kompani e cila vepronte për llogari të ENG Bulgaria, në pronësi të Gal Barak. Gal Barak rezulton i dënuar në Austri për ngritjen e një skeme mashtrimi, shumë famoze në Europë, me kompaninë 4xFX, nëpërmjet së cilës kanë përfituar mbi 200 milionë euro nga shtetas austriakë, gjermanë, zviceranë dhe të tjerë. Pjesë e kësaj skeme ka qenë dhe shtetasi Oliver Hemmer me kompaninë GRF Europe OU. A janë kryer verifikimet për këtë shtetas nga ana juaj?
Shtatë, Jet Holdings BV ka regjistruar në QKB kompaninë Jet Tech. Kjo kompani është regjistruar pranë Durana Tech Park. Pyetja sërish është, a do të kryejë kjo kompani shërbime për bankën e licensuar Jet Bank? Tetë, asnjë nga aksionerët nuk ka asnjë eksperiencë bankare dhe janë kompani të krijuar rishtazi duke hyrë si aksionerë të kompanisë Banka Jet vetëm pasi ju keni dhënë miratimin paraprak si Bankë e Shqipërisë. Si e krijuat bindjen dhe si vendosët për herë të parë të licensoni një bankë në Shqipëri me aksionerë individë apo kompani me zero eksperiencë bankare, kur qartazi ligji dhe rregullorja në fuqi e ndalojnë këtë gjë në mënyrë kategorike? Zoti Gent Sejko, guvernator i Republikës së Shqipërisë, siç jeni në dijeni, Shqipëria ka hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Në këtë proces, Banka e Shqipërisë ka një sërë detyrimesh në kuadër të grup-kapitujve 1, atyre themelorë, dhe grup-kapitullit 2, tregut të brendshëm. Për të siguruar që legjislacioni shqiptar dhe zbatimi i tij janë në përputhje të plotë me legjislacionin dhe praktikat europiane.
Çdo bankë e licensuar nga ju në momentin e anëtarësimit do të jetë pjesë e sistemit bankar europian. Për këtë arsye ju shtroj këto pyetje. A është bërë miratimi paraprak dhe licensimi i kësaj banke në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe atë europian? Dy, a mund të pengojë apo vonojë ky licensim mbylljen e këtij grup-kapitulli për vendin tonë? Tre, a janë në dijeni institucionet europiane për licensimin e kësaj banke në territorin e Republikës së Shqipërisë? Po kështu, Shqipëria është në proces shqyrtimi në raundin e gjashtë të vlerësimit të komitetit Moneyval, me fokus efikasitetin e zbatimit të ligjeve ekzistuese. Edhe për këtë çështje kam dy pyetje si më poshtë vijon.
A mendoni se praktikat e ndjekura në rastin e Bankës Jet do të ndikojnë në këtë vlerësim? Dhe pyetja e dytë, a keni raportuar ju për këtë rast? Bashkëlidhur kësaj shkrese, që është e treta drejtuar Bankës së Shqipërisë, kam përcjellë të gjithë informacionin e bërë publik nga ana ime, mbi të cilin kam kërkuar në mënyrë urgjente që Banka e Shqipërisë të kryejë verifikime dhe të bëjë transparencë publike mbi eksperiencën dhe kontrollin e kryer prej saj për aksionerët dhe palët e lidhura me të.
Për transparencë për opinionin publik, bashkëlidhur, kjo është shkresa zyrtare që i kam drejtuar Bankës së Shqipërisë, e mbase mund të dalë historia që nuk kanë njoftim, e përcjellë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me numër protokolli 360/3 datë 22/04, pra ditën e djeshme, dhe bashkëlidhur, nëse nuk e kanë parë ende, që flitet për një person të përfshirë në një skemë zhvatjeje të 200 milionë eurove të qytetarëve dhe taksapaguesve europianë, kam bashkëlidhur dokumentat zyrtarë të Ministrisë Federale të Brendshme gjermane.
Kjo është faqja e parë, faqja e dytë e këtij dokumenti zyrtar të Ministrisë së Brendshme gjermane, si dhe i kam bashkëlidhur regjistrin e korporatave të Qipros ku figuron e regjistruar kompania që sot zotëron 71.5% të aksioneve të bankës së parë dixhitale në Shqipëri, Jet Bank, Constador LTD, dhe ku drejtor dhe sekretar i kësaj kompanie figuron shtetasi Oliver Hemmer. Deri sot që flasim unë kam marrë vetëm një reagim nga Jet Bank, por në fakt kjo nuk është një çështje e Jet Bank.
Kjo është një çështje e institucioneve shqiptare, e Bankës së Shqipërisë, e Agjencisë së Inteligjencës Financiare, e Shërbimit Informativ Shqiptar dhe e të gjithë institucioneve të Republikës sonë, për të cilat ato duhet të japin përgjegjësi para qytetarëve dhe duhet të bëjnë transparencë. Të dalë Banka e Shqipërisë, të dalë kushdo institucion zyrtar që është pjesë e këtij zinxhiri verifikimi dhe të bëjë transparencë për qytetarët e Republikës së Shqipërisë në lidhje me paratë e tyre.
Gazeta RD