Shqipëria një shtet ku pushteti ekzekutiv sillet si kolonizator ndaj çdo pushteti tjetër

Nga Ilda ZHULALI

Vendimi i BE për të nisur hartimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi duhet lexuar drejt. Europa ka vendosur të zgjerojë perimetrin e saj të sigurisë dhe vlerave pikërisht kur është nën presionin më të madh që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Kur Moska investon në destabilizim dhe Pekini në varësi ekonomike, zgjerimi bëhet domosdoshmëri strategjike.

Përfshirja e Islandës në një paketë zgjerimi me Malin e Zi është një taktikë e zgjuar për të vjelë miratimin e atyre parlamenteve dhe elektorateve skeptike apo jo-fort-dashamirëse ndaj Ballkanit Perëndimor. Trajtimi i njëkohshëm dhe në bllok (Mal i Zi dhe Islandë) thuajse garanton anëtarësimin, sepse një vend demokratik, i zhvilluar, i qëndrueshëm dhe i pakundërshtueshëm si Islanda, e bën votën e “jo-së” pothuajse të pamundur.

Shqipëria nuk është në këtë paketë.

Raporti IBAR nuk miratohet që prej shkurtit. Ky është fakti teknik. Por fakti politik është më i thellë. Bashkimi Evropian ka ndërtuar me kujdes mekanizma të rinj mbrojtës enkas për të mos importuar brenda vetes atë që ka parë të ndodhë kur dyert hapen para se “mysafirët” të jenë në rregull. Me gjithë diplomacinë e kujdesshme, Brukseli nuk mund të shprehë në dokumente zyrtare atë që e thotë troç në korridore. Një shtet ku pushteti ekzekutiv sillet si kolonizator ndaj çdo pushteti tjetër, ku sundimi i së drejtës konceptohet si nënshtrim ndaj të fortit, ku zgjedhjet janë një nocion pakuptim, përkthehet në një problem të ri brenda kufijve të Unionit. Askush nuk ka oreks për probleme të këtij lloji. Aq më pak tani, kur euroskepticizmi po jeton ditët e veta më të mira.

E megjithatë rrugëzgjidhja ekziston. Por kalon detyrimisht përmes guximit politik që nuk ka të bëjë me Brukselin, por me Tiranën. Qeverisja e Tiranës e ka të qartë se është krejtësisht e pambrojtshme, as edhe me argumentin gjeopolitik.

Një qeveri kujdestare me mandat të ngushtë dhe të qartë do të ishte e vetmja mundësi për të na kualifikuar në minimumin e pranueshmërisë.

Dritarja gjeopolitike është e hapur. Mali i Zi po kalon nëpër të. Shqipëria po qëndron jashtë. Jo se Europa e ka mbyllur derën, por sepse dikush brenda ka vendosur që çelësin ta mbajë në xhep.

Dritaret nuk mbeten të hapura përgjithmonë…

About Redaksia

Check Also

Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja/ Berisha: Humbje e madhe për kulturën shqiptare

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep …