Deputeti i PD, Bardh Spahia e ka konsideruar një situatë alarmante mungesën e shërbimit të analizave laboratorike në të 19 spitalet publike të vendit, për shkak të mbarimit të fondeve të parashikuara në kontratën koncesionare.
Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Spahia tha se, pas datës 20 të çdo muaji kalendarik, “nuk mund të ofrohet asnjë lloj analize laboratorike nëpërmjet koncesionit, pasi mungojnë fondet”.
Kjo situatë, sipas tij, vë në rrezik serioz shëndetin e pacientëve, përfshirë edhe rastet urgjente, pasi koncesionari vendos kufij mujorë për kryerjen e analizave dhe nuk i tejkalon ato.
“Të nderuar qytetarë, kolegë deputetë, se sa rëndësi i jepni çështjeve me rëndësi jetike për qytetarët, siç janë problematikat e shëndetësisë, e treguat edhe sot kur me forcën e kartonëve vendosët të bashkoheni në tre, ë, të bashkoni tre interpelanca në vetëm një, për të shmangur në këtë mënyrë llogaridhënien dhe transparencën për qytetarët shqiptarë.
Zonja ministre, ajo që prej kohësh thuhej nëpër korridoret e spitaleve publike, nga mjekët nën zë, por edhe nga vetë pacientët, me frikën se mund të humbisnin vendin e punës nëse flisnin hapur, tashmë u tha edhe nga ju publikisht. Pas datës 20 të çdo muaji kalendarik, nuk mund të ofrohet asnjë lloj analize laboratorike nëpërmjet koncesionit të laboratorëve, pasi mungojnë fondet. Sipas deklaratës suaj publike, jeni duke analizuar të dhënat dhe në bazë të këtyre të dhënave do të gjeni edhe zgjidhje.
Pasi po nuk kuptuat problemin, nuk keni si t’i jepni edhe zgjidhjen. Kjo, pasi, siç vetë ju e keni pohuar, duke qenë se vini nga fusha e të dhënave, e njihni mirë mënyrën se si do t’i adresonit këtë problem. Po është normale që vetëm pas gjashtë vitesh nga funksionimi i një prej katër koncesioneve të sistemit shëndetësor, ju pranoni problemin.
Për vite me radhë, këtë problem e ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm opozita, por edhe mjekët, madje edhe pacientët. Mungesë e theksuar në kryerjen e analizave laboratorike në të gjithë 19 spitalet publike, përfshirë këtu edhe QSUT-në. Rrezik për moskryerjen edhe të analizave urgjente, pasi koncesionari vendos kufij për tejkalimin e planit të parashikuar.
A është normale për ju, zonja ministre, që deri tani janë shpenzuar më shumë se 60% e fondit prej 13 miliardë lekë, apo 135 milionë euro, dhe ende pacientët nuk marrin shërbimin e analizave laboratorike, apo aq më keq, rrezikojnë të mos i kryejnë ato edhe për rastet urgjente? Pasi koncesionari e ndalon shërbimin pas datës 20 të çdo muaji kalendarik. A e dini, zonja ministre, se kjo situatë po rrezikon çdo ditë jetë njerëzish?
A e kuptoni dëmin që ka mungesa e ofrimit të analizave laboratorike tek çdo qytetar shqiptar? Pasi do t’i duhet të paguajë para ekstra nga xhepi për të mos rrezikuar shëndetin dhe jetën e tij. A e dini ju, zonja ministre, meqë deklaroni se jeni e apasionuar pas të dhënave, se sipas Bankës Botërore, qytetarët shqiptarë paguajnë deri në 60% para nga xhepi për shpenzimet shëndetësore.
Shtatë herë më shumë sesa mesatarja e vendeve të BE-së dhe gati 2.5 herë më shumë sesa ajo e rajonit. Dhe me këto shpenzime të larta, qytetarët rrezikojnë, përveçse shëndetin, të zhyten edhe në varfëri të përhershme. Zonja ministre, kam një pyetje të drejtpërdrejtë që kërkon një përgjigje për hir të transparencës jo vetëm ndaj nesh, por ndaj qytetarëve shqiptarë.
A është ky problem i konstatuar rishtazi apo e keni të mbartur dhe nga ish-kolegët tuaj ministra të shëndetësisë? A ndjeni përgjegjësi së bashku me ish-kolegët tuaj ministra për të njëjtin dikaster, se nuk keni ofruar zgjidhje të kësaj situate shqetësuese tashmë prej vitesh me radhë? Zonja ministre, meqë ju publikisht pohuat se do ta adresoni këtë situatë brenda vitit, çfarë mendoni të bëni për këtë situatë? A do të kërkoni shtim të buxhetit për koncesionarin apo do të sanksiononi spitalet të zbatojnë tavanet e analizave sipas planeve mujore?
Zonja ministre, kanë kaluar tashmë një muaj nga deklaratat tuaja dhe sigurisht, në hulumtimin dhe në mbledhjen e të dhënave, duhet të keni një informacion në lidhje me performancën financiare të koncesionarit të analizave laboratorike. A mund të na jepni të dhëna se sa është fitimi neto vjetor i këtij koncesionari për vitet e operimit deri tani? Pra, në periudhën nga viti 2020 deri në 2025. Zonja ministre, besoj se jeni në dijeni që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një sërë auditimesh në fushën e shëndetësisë, me në fokus kontratat koncesionare dhe ato për kontratat e analizave laboratorike.
A mund të na thoni zbatueshmërinë e rekomandimeve që janë paraqitur nga KLSH ndaj ministrisë që ju drejtoni, apo edhe ndaj FSDKSH-së? Për sa i përket specifikisht koncesionit të analizave laboratorike. Ku jemi me këto rekomandime dhe për çfarë janë drejtuar këto rekomandime? Zonja ministre, unë nuk mendoj se fundi i këtij viti do të jetë vërtet fundi i problematikave në shëndetësi”, u shpreh Spahia.
Gazeta RD