Licensa që Banka e Shqipërisë i dha Agasit dhe Beqirit

Banka e Shqipërisë i hoqi licencën “Soft & Solution” vetëm një muaj pas goditjes së grupit “Agasi- Beqiri”, ndërsa dokumentet dhe raportet institucionale tregojnë aktivitet të dyshimtë për vite me radhë në tregun e parasë elektronike…

Pas hetimit të SPAK për tenderët në AKSHI, një tjetër hallkë e rrjetit del në dritë. Kompania “Soft & Solution”, e licencuar si institucion i parasë elektronike “ALPAY”, humbi licencën në shkurt 2026. Dokumentet tregojnë se aktiviteti kishte nisur pa licencë, ndërsa raportet e institucioneve flasin për rrezik të lartë në transaksione financiare dhe kontroll të dobët mbi këtë sektor.

Dosja e SPAK për grupin “Agasi Beqiri” nxori në pah një skemë të konsoliduar ndikimi mbi AKSHI-n dhe mbi tenderët e shërbimeve digjitale dhe sigurisë kibernetike, me vlera që arrijnë miliona euro. Hetimi tregoi një rrjet kompanish, pasurish dhe interesash që për vite kanë funksionuar si një sistem i mbyllur për përfitime publike.

Por dokumentet që dalin tani në dritë tregojnë se kjo nuk ishte e vetmja linjë aktiviteti.

Një tjetër hallkë e këtij rrjeti ka qenë sektori financiar jo bankar, konkretisht aktiviteti i parasë elektronike përmes kompanisë “Soft & Solution” sh.p.k., e njohur në treg me emrin “ALPAY”.

Më 26 nëntor 2021, Banka e Shqipërisë i dha kësaj kompanie licencën nr. 51 për të operuar si institucion i parasë elektronike. Kjo licencë i hapte rrugën një game të gjerë shërbimesh, portofole digjitale, transferta, pagesa faturash dhe transaksione financiare në shkallë të gjerë.

Por vetëm katër vite më vonë, më 4 shkurt 2026, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, me vendimin nr. 918, i hoqi kësaj kompanie licencën.

Koha e këtij vendimi nuk është rastësi. Ai erdhi vetëm një muaj pas goditjes së grupit “Agasi Beqiri” nga SPAK.

Dokumentet dhe raportet institucionale tregojnë se aktiviteti i kësaj kompanie nuk ka qenë linear. Sipas të dhënave të përmendura në material, “Soft & Solution” ka ushtruar aktivitet edhe pa licencë në periudhën 2018–2021, kur ishte në pronësi formale të një tjetër personi. Më pas, kompania kaloi në pronësi të Ermal Beqirit dhe u licencua nga Banka e Shqipërisë.

Kjo do të thotë se kemi një aktivitet që ka nisur jashtë rregullit dhe më pas është futur brenda sistemit të licencuar.

Por problemi nuk mbaron këtu.

Raportet e institucioneve të specializuara të hetimit financiar dhe të sigurisë, sipas materialit, kanë ngritur shqetësime serioze mbi funksionimin e këtij subjekti në tregun e parasë elektronike. Në këto raporte flitet për risk të lartë në gjurmueshmërinë e transaksioneve, për mundësi të lëvizjes së fondeve jashtë kontrollit dhe për përdorim të platformës në aktivitete të dyshimta financiare.

About Krye Redaktor

Check Also

Qeveria, ligj për të sjellë 30 milionë euro bitcoin të krimit nga Belgjika

Qeveria shqiptare ka miratuar një projektligj, i cili bën të mundur sjelljen e kriptomonedhave të …