Kryetari i PD, Sali Berisha, duke folur në Foltoren para kryeministrisë u shpreh se, demokratët do t’i kthejnë shqiptarëve dinjitetin, që të votojnë të lirë.
Sipas tij, Edi Rama është i mbaruar, pasi gjatë takimit në Dibër, ai u kërkoi atyre që ta mbrojnë.
Berisha tha se, ne kemi një program, së pari t’u kthejmë dinjitetin shqiptarëve, të votojnë si qytetarë të lirë. Askush më mirë se ne, që kemi vuajtur diktaturën më të egër nuk e di se gjithçka fillon me votën e lire.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë të gjithë ju që çdo të hënë mblidheni këtu si zëri i vërtetë i shqiptarëve.
Mblidheni këtu si dëshmia e papajtueshmërisë me regjimin e këtij armiku të egër të shqiptarëve, të qytetarëve, të mbarë vendit.
Të dashur miq, pasi refuzoi dhe përdori si mburojë 83 mandatet e krimit, Edi Rama në mbrojtje të dosjes së tij dhe Lubi Ballukut, është bërë për çdo shqiptar më armik, më i rrezikshëm se kurrë ndonjëherë më parë.
Me këtë vendim ai u faktoi shqiptarëve se nuk do të lërë vendim pa marrë, veprim pa kryer për të shpëtuar lëkurën e tij.
Sepse e vërteta është, prapa fustanit të Lubisë qëndron lëkura e Edi Ramës, të lidhur përjetësisht në krim dhe vjedhje si ata, nuk mund të gjesh të tjerë.
Edi Rama e ndjen këtë, ka një panik të madh, ka një tmerr nga qytetarët.
Dy ditë më parë në Dibër u bëri thirrje socialistëve të Dibrës të na mbroni nga këta dhe ata, me atë gjuhën e tij prej ordineri, pra e ndjen veten të përfunduar.
E ndjen të përfunduar se e ka shumë të qartë se nuk ka qytetarë dibranë, nuk ka qytetarë shqiptar që mund të mashtrohet dhe mund të pranojë moralin e hajdutit të Edi Ramës.
Nuk ka dibran, nuk ka shqiptar që nuk konstaton se jeta e tij bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Se xhepat e tij zbrazen gjithnjë e më shumë.
Se çmimet e dyqaneve rriten vazhdimisht.
Se e ardhmja për fëmijët e tij në Shqipëri bëhet e pamundur.
Ndaj dhe kërkon mbrojtje.
Ne ftojmë shqiptarët, ne ftojmë çdo qytetar shqiptar të bashkohemi në këtë betejë vendimtare.
Kjo betejë është vendimtare.
Ne nuk do pranojmë kurrë që ky person që mund t’i vësh 100 epitete, të mbajë peng shqiptarët dhe Shqipërinë.
Ne kemi një program, së pari t’u kthejmë dinjitetin shqiptarëve, të votojnë si qytetarë të lirë.
Askush më mirë se ne, që kemi vuajtur diktaturën më të egër nuk e di se gjithçka fillon me votën e lirë.
Dhe ne, të gjithë sa jemi këtu, mijëra e mijëra të tjerë, të bashkohemi si luftëtarë të votës së lirë, si misionarë të votës së lirë.
Gazeta RD