Presidenti Meta në kafazin e dënimit, një skenë makabre e një drejtësie të kohëve më të errëta

Nga Ndriçim KULLA

Kur drejtësia pushon së qeni një mekanizëm i ftohtë institucional dhe shndërrohet në një skenë ku pushteti, i zhveshur nga çdo ndrojtje, vendos të luajë dramën e tij më të errët, jo për të zbuluar të vërtetën, por për ta deformuar atë deri në pikën ku publiku nuk arrin më të dallojë nëse po sheh një gjyq apo një ritual ndëshkimi të parapërcaktuar, pluralizmi politik ka mbaruar. Dhe pikërisht ky çast duket se u materializua në trajtimin që iu bë Ilir Meta, një figurë që, pavarësisht qëndrimeve apo polemikave që mund ta kenë shoqëruar gjatë karrierës së tij, nuk mund të zhvishet nga statusi i një personaliteti publik pa u cenuar njëkohësisht vetë ideja e rendit kushtetues dhe e dinjitetit institucional.

Pamja e transmetuar, e ngjeshur me simbole të errëta dhe të përpunuara me një kujdes që nuk i përket spontanitetit të drejtësisë, por regjisë së një pushteti që kërkon të mbjellë frikë, rikthente në mënyrë të pashmangshme kujtesën e një tjetër drame evropiane, atë të Aldo Moros, jo sepse rrethanat janë të njëjta, por sepse imazhi i një njeriu të izoluar, sikur kishte jetuar nën torturë në kampet e përqendrimit, i ekspozuar si objekt dhe jo si subjekt i drejtësisë, krijon të njëjtin ankth të thellë: atë të një sistemi që e ka humbur kufirin midis ligjit dhe spektaklit të dhunës simbolike.

Në këtë skenë, ku xhami i kafazit nuk është thjesht një element sigurie, por një metaforë e tejdukshme e ndarjes midis njeriut dhe të drejtave të tij, midis individit dhe dinjitetit që duhet ta shoqërojë edhe në momentin më të rëndë të përballjes me drejtësinë, ajo që trondit nuk është vetëm forma, por qëllimi që ajo formë sugjeron: një proces që nuk synon të dëgjojë, por të shfaqë; të frikësojë dhe të nënshtrojë.

Drejtësia, kur është e vërtetë, nuk ka nevojë për skenografi; ajo nuk kërkon kafaze për të bindur, nuk ka nevojë për koreografi për të imponuar autoritetin e saj dhe, mbi të gjitha, nuk e trajton asnjë të akuzuar si një figurë që duhet poshtëruar publikisht përpara se të gjykohet, pasi vetë procesi i drejtë është garancia e vetme e legjitimitetit të saj; ndërsa në rastin konkret, ajo që u pa ishte një përmbysje e këtij parimi, një transformim i sallës së gjyqit në një hapësirë ku njeriu shfaqet i reduktuar, i kontrolluar, i ekspozuar, si për të dhënë një mesazh që shkon përtej tij dhe u drejtohet të gjithëve: pushteti ka forcën të të shndërrojë në simbol frike.

Në këtë kuptim, nuk është më vetëm çështja e një individi, por e një tmerri që po vendoset, e një precedenti që, nëse pranohet në heshtje, rrezikon të bëhet norma e re, ku çdo kundërshtar potencial, çdo figurë që perceptohet si rrezik për ekuilibrat e pushtetit, mund të trajtohet jo si subjekt i ligjit, por si objekt i një mase ndëshkuese që paraprin çdo vendim gjyqësor; dhe pikërisht këtu lind shqetësimi më i thellë, sepse drejtësia që paragjykon përpara se të gjykojë, që shfaq përpara se të dëgjojë, që ndëshkon përpara se të provojë, nuk është më drejtësi, por një instrument i frikës.

Në sfondin e kësaj drame që zhvillohet pa britma, por me një intensitet të heshtur që e bën edhe më të rëndë, qëndron hija e një regjimi që përpiqet të ruajë veten jo përmes besimit që frymëzon, por përmes pasigurisë që përhap, duke krijuar një realitet ku qytetarët nuk shohin më institucione të pavarura, por mekanizma që mund të aktivizohen në çdo moment për të prodhuar spektakle të tilla, të dizajnuara për të treguar forcë dhe për të mbjellë dorëzim.

Në këtë teatër të errët, ku çdo detaj duket i menduar për të përforcuar pamjen e rreme të pushtetit, figura e Edi Rama shfaqet jo domosdoshmërisht si një aktor i drejtpërdrejtë në skenë, por si regjizori i një atmosfere ku drejtësia dhe politika janë një dhe ndërthuren në një mënyrë që e bën të pamundur të dallosh se ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra; dhe pikërisht kjo ndërthurje, kjo mjegull që mbulon kufijtë institucionalë, është ajo që e bën edhe më të frikshëm perceptimin e asaj që ndodhi.

Sepse kur një ish-president trajtohet si një figurë që duhet të izolohet fizikisht dhe simbolikisht në mënyrë të tillë që të krijojë asociacione me forma ekstreme të kriminalitetit apo terrorit, deri në atë pikë sa imazhi i tij të mund të kujtojë, në mënyrë të pavetëdijshme, figura të lidhura me organizata si ISIS, atëherë kemi kaluar te drejtësia demonizuese.

Në këtë kontekst, ajo që mbetet është një ndjesi e thellë e padrejtësisë, jo domosdoshmërisht në kuptimin e pafajësisë apo fajësisë së individit, por në mënyrën se si trajtohet ai, në mënyrën se si i mohohet një minimum dinjiteti që duhet të jetë i panegociueshëm në çdo sistem që pretendon të jetë demokratik; dhe kjo ndjesi, e akumuluar në ndërgjegjen kolektive, është shumë më e rrezikshme se çdo konflikt politik, sepse ajo gërryen besimin, shkatërron legjitimitetin dhe hap rrugën për një realitet ku drejtësia nuk shihet më si mbrojtje, por si kërcënim.

Kështu, ajo që u pa nuk ishte thjesht një seancë gjyqësore, por një akt që mbart në vetvete një domethënie më të thellë, një sinjal se balancat janë zhvendosur, se kufijtë janë zbehur dhe se pushteti është i gatshëm të përdorë çdo mjet për të ruajtur veten, edhe nëse kjo do të thotë të sakrifikojë parimet mbi të cilat duhet të mbështetet vetë ekzistenca e tij; dhe pikërisht këtu qëndron tragjedia e vërtetë, një tragjedi që nuk ka nevojë për britma për të qenë e tillë, sepse ajo zhvillohet në heshtje, në normalizimin gradual të një realiteti ku e jashtëzakonshmja bëhet e zakonshme dhe ku padrejtësia fillon të duket si rend.

Ky është momenti kur shoqëria duhet të pyesë me urgjencë veten jo për fatin e një individi, por për fatin e saj, sepse mënyra se si trajtohet më i ekspozuari sot është paralajmërimi më i qartë për mënyrën se si mund të trajtohet kushdo nesër; dhe nëse ky paralajmërim kalon pa u kuptuar, atëherë ajo që mbetet nuk është më një sistem drejtësie, por një regjim që e përdor drejtësinë si maskë, ndërsa pas saj fshihet një mekanizëm i ftohtë dhe i pamëshirshëm i kontrollit.

Këtu, mbetet nuk është prova nëse një njeri është fajtor apo i pafajshëm, por nëse një shoqëri pranon që dinjiteti të zëvendësohet nga frika dhe gjykimi, sepse në çastin kur drejtësia fillon të duket si ndëshkim i parashkruar dhe jo si kërkim i së vërtetës, atëherë nuk është më një individ që vihet në provë, por vetë kufiri që ndan shtetin nga regjimi.

About Redaksia

Check Also

(Ç)mitizimi i Diasporës…

Nga Iva V.GRILLO Dalja e një profesionisteje të fushës së drejtësisë në podcastin autoreferencial të …