Qershia ja kaloi bitcoin-it!

Nga Lutfi DERVISHI

Lajmi se një kilogram qershi në Tiranë doli në treg me 36 euro kilogramin u prit me shqetësim të thellë në Monako.

Sepse kur një kg qershi në Tiranë shkon në 49 dollarë, pyetja për elitën financiare të Mesdheut bëhet shumë serioze: a po humbasim avantazhin strategjik si vend i shtrenjtë?

Në një vend si principata e Monakos ku 70% e banorëve janë milionerë, çmimi nuk është problem, është çështje reputacioni.

Sa për BE-në, situata është edhe më delikate.

Në Komisioni Europian po analizohet seriozisht ky zhvillim. Jo në kapitullin e bujqësisë, por në atë të filozofisë ekonomike.

Sepse një vend që shet kokrrën e qershisë më shtrenjtë se frëngu pulën, ka bërë një hap të madh: ka kaluar nga ekonomia prodhuese, ajo e dijes, e të dhënave, e vëmendjes tek ekonomia e absurdit.

Kjo nuk është pak për një vend ku absurdi duket se e ka ndarë mendjen te pije kafen tri herë në ditë. Madje, zyra e Rekordeve Guinness ka dorëzuar dorëheqjen përballë çmimit tonë: tashmë ky institucion do të riemërohet zyrtarisht si ‘Rekordi i Qershisë së Tiranës’.”

Në Këshillin Europian Gjermania, po mendon të tërhiqet nga qëndrimi i fortë për IBAR. Duhet ta pranojmë jemi në një fazë të re – tha një zyrtar nga Berlini.

Burime zyrtare, thonë se qeveritë, deri dje, skepikte janë impresionuar: “Një vend që arrin të rrisë çmimin e qershisë pa rritur cilësinë, ka potencial të jashtëzakonshëm negociues.”

Vetë Komisioni po ryshqyrton me urgjencë çështjen e pezullimit të fondeve të IPARD për Shqipërinë. Teorikisht, fondet janë pezulluar prej tri vitesh për shkak të abuzimeve, tha zëvendës zëdhënësi i Komisionit, por praktikisht, realiteti në terren po sugjeron një zgjidhje inovative: Komisioni ka vendosur të mos priten më përfundimet e hetimeve dhe kthimi i fondeve, por të hapet një fond emergjence për mbjelljen e qershive.

Arsyetimi është i thjeshtë: nëse një kilogram shitet sa një darkë në Bruksel, atëherë çdo pemë është një investim strategjik.

Në një mbledhje urgjente të Bankës Qendrore Europiane, u hodh ideja që euroja të lidhet me kursin e qershisë së Tiranës. Por plani dështoi. Ekspertët dolën në përfundimin se euroja është shumë e paqëndrueshme për t’u krahasuar me një aset kaq të fuqishëm. Ndërkohë, në Shqipëri, njerëzit po presin me padurim sezonin e shalqinit, ku me gjasë, një fetë do të kushtojë sa një fundjavë në Dubai.

Në këtë pikë, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të integrimit. Sepse nëse dikur pyetja ishte “a i përmbushim standardet e BE-së?”, tani pyetja është më praktike: A mundet BE-ja të përballojë standardet tona?

About Redaksia

Check Also

Presidenti Meta në kafazin e dënimit, një skenë makabre e një drejtësie të kohëve më të errëta

Nga Ndriçim KULLA Kur drejtësia pushon së qeni një mekanizëm i ftohtë institucional dhe shndërrohet …