Protesta/ Banorët e Fushmbretit në Elbasan dy javë pa drita!

Banorët e lagjes Fushmbret në Elbasan kanë dalë sot në protestë për të denoncuar mungesën e energjisë elektrike, një problem që sipas tyre vijon prej afro dy javësh.

Sipas banorëve, furnizimi me energji në zonë është i kufizuar vetëm në disa orë gjatë ditës, ndërsa nga mëngjesi deri rreth orës 17:00 mungon plotësisht.

Në këtë lagje jetojnë rreth 300 banorë, të cilët shprehen se situata u ka vështirësuar ndjeshëm jetesën e përditshme dhe aktivitetet bazë familjare e ekonomike.

Ata bëjnë me dije se kjo gjendje pritet të vijojë deri më datë 4, ndërkohë që theksojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar për ndërprerjet dhe as nuk u është ofruar ndonjë zgjidhje alternative.

Sipas tyre, u është komunikuar vetëm në mënyrë jozyrtare se ndërprerjet lidhen me punime në rrjetin elektrik.

Një prej banorëve, ish-elektricist, u shpreh se ky është një problem i hershëm për zonën, ku ndërprerjet e energjisë kanë qenë të vazhdueshme ndër vite. Ai thekson se nëse sistemi do të funksiononte siç duhet, defektet mund të riparoheshin në një kohë shumë më të shkurtër.

Banorët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë deri në momentin që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë dhe të japin një zgjidhje konkrete për situatën.

About Redaksia

Check Also

Fadromat në Theth janë fytyra reale e “Paketës së Maleve”!

Nga Luçiano BOÇI Me një dorë qeveria premton zhvillim, agroturizëm, lehtësira fiskale e “tokën e …