Intervista e Vuçiç/ “Rama bën atë që duam ne…”

Altin GJETA
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq deklaroi në intervistë me Rory Stewart dhe Alistair Campbell se Ballkani i Hapur dhe propozimi për integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun e BE pa të drejtë veto/vote në Këshillin e BE ishin ide të tij. Autokratët e Ballkanit kur flasim në anglisht janë të sinqertë. Vuçiq e tha troç: Serbia në qendër të tregtisë në rajon dhe pa detyrime ndaj perëndimit.
Që Serbia ka interes ta dominojë rajonin ekonomikisht dhe politikisht pa ngarkesat e shtetit të së drejtës dhe linjëzimit me BE në politikën e jashtme, kjo nuk don as mend as kalem. Beogradi për arsye historike dhe rrethana bashkëkohore është ma së shumit anti-perëndimor. Integrimi i plotë i Serbisë në BE kalon nga njohja e Kosovës dhe distancimi nga Rusia. Prandaj, Vuçiq kërkon t’ia hedhë paq përballjen me të kaluarën shoviniste dhe lidhjet tradicionale me Rusinë duke mbajtur njërën kambë në mekanizmin ekonomik (Tregun e Përbashkë Evropian) dhe tjetrën në Kremlin dhe Pekin.
Pyetja themelore këtu është; pse ndjek Shqipëria politikën e Serbisë?
Integrimi i Ballkanit Perëndimor me faza në BE është projekt që qarkullon prej vitesh në qendrat Evropiane dhe është ringjallur fuqishëm pas luftës në Ukrainë. Ideja e BE-së me rrathë, pra e një Unioni ku disa janë më të barabartë se të tjerët mund të konsiderohet si një zgjidhje pragamtike për Serbinë apo Ukrainën që kanë çështje të hapura me fqinjët.
Për Shqipërinë integrimi i pjesshëm jo vetëm do të ishte fyes për aspiratat dhe sakrifcat e shqiptarëve këto tre dekada, por edhe strategjikisht dritëshkurtër. Shqipëria nuk ka asnjë çështje madhore me fqinjët, nuk ka dalë nga luftra siç kanë dalë shumica e vendeve të Ballkanit. Për më tepër, Shqipëria nuk ka as probleme etnike sepse është pothuajse homogjene dhe as ndikim rus apo kinez që konsiderohet me rrezik nga perëndimi.
Thënë shkurt, Shqipëria ka të gjitha kushtet objektive që të bëhej pjesë e BE këtu e dy dekada ma parë. Nuk po merrem këtu me arsyet e këtij dështimi, por kthimi në zgjatim të politikës së Serbisë në rajon shkon kundër interesave tona kombëtare. Çlirimi i Serbisë nga detyrimi për njohje qoftë de fakto të Kosovës si parakusht për antarësim në BE dobëson pozitën e shqiptarëve në rajon dhe rrezikon ta ngrijë përgjithnjë shtetësinë e Kosovës në hibriditet.
Shqipëria e ka luajtur njëherë violinën e dytë për Beogradin me Enver Hoxhën dhe ka humbur nga fuqia e vet negociuese dhe çështja shqiptare. Përsëritja e të njëtit gabim për herë të dytë nuk do të ishte kurrësesi rastësi.

About Krye Redaktor

Check Also

Deklarata e fortë e Departamentit të Shteti/ “Berisha, interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara”

Departamenti amerikan i Shtetit ka hequr të gjitha sanksionet e vendosura ndaj liderit të opozitës, …