Lideri i opozitës Sali Berisha, duke folur në ‘Foltoren’ tek kryeministria tha se, siguria fëmijëve në vend është jetike, ndërsa shtoi se vrasjet e tyre ‘po kthehen në një epidemi kronike’ në Shqipëri.
Berisha thekson se dështimi për të mbrojtur fëmijët përbën një falimentim të shoqërisë. Kur një shoqëri nuk arrin të mbrojë fëmijët e saj, ajo ka dështuar, u shpreh ai, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe të papranueshme.
Berisha: Por pasuria më e madhe e njeriut janë fëmijët e tij.
Dhe kur një shoqëri nuk arrin dot të mbrojë fëmijët e saj, ajo shoqëri ka falimentuar.
Ajo shoqëri ka dështuar.
Nuk do të doja kurrë të përmendja një tragjedi ende të freskët, por vrasja e fëmijëve po kthehet në Shqipëri vitet e fundit në një epidemi kronike.
Kjo nuk është vetëm një fatkeqësi nga më të dhimbshmet, por është një krim kur sheh se të gjitha këto vrasje i kishin të gjitha mundësitë të parandaloheshin dhe këta vogëlushë të ishin të rritur, të ishin në moshën tjetër.
U kujtoj vogëlushen Joniada Avdiaj, erdhi nga Anglia me të atin për të kaluar pushimet në Himarë. I forti me uniformë i mori jetën me skaf. Komisari i narkopolicisë.
Vogëlushi Martin Cami u vra në një shesh banal jo në një lokal, por në ambientet e shkollës së tij 9-vjeçar nga fëmija i të fortit të partisë sepse shteti dështoi të marrë masat më minimale në mbrojtje të nxënësve në shkolla, në institucione.
Dhe Edi Rama, në vend të bënte përgjegjës ata që mbanin përgjegjësi të plotë për këtë vrasje makabër, fajësoi TikTokun, shfrytëzoi një akt kriminal, një vdekje tragjike për të mbyllur TikTokun sepse të rinjtë nuk e honepsin këtë arrogant dhe janë gjithë ditën kundër tij.
Së fundmi, edhe dy vogëlushët e vrarë në Durrës dhe tjetri që po lufton me jetën, po loznin në trotuar. I forti i partisë kaloi aty i dehur, kishte pasion rakinë dhe guidimin e çmendur. U mori jetën, i la aty sikur të mos ishin njerëz.
Ishte përsëritës, terrorizonte lagjen, por kishte imunitet.
E vërteta është se fëmijët shqiptarë jetojnë sot terrorin e betonit.
Nuk kanë ku të lozin, nuk mendon kush për ta.
Janë viktima më e dhimbshme e narkoshtetit të Edi Ramës.
Gazeta RD