Të drejtosh një opozitë…

Nga Iva V.GRILLO

Të synosh të drejtosh një grupim opozitar, nuk mjafton vetëm ambicia, dëshira, intriga apo rrjeti promovues mediatik që mund të kesh rrotull.

Të marrësh guximin të ofrohesh në mënyrë të sinqertë si drejtues opozitar duhet të paktën të kesh treguar se ke një lloj integriteti politik e moral, qëndrese të pashembullt dhe një koherencë në qëndrime.

Po duhet dhe eksperiencë, po duhet edhe autoritet…po duhet edhe dashuri e respekt për identitetin, historikun dhe sakrificat që ka bërë forca politike që do të drejtosh.

Pra, duhet që kërkesa e thirrja për marrjen e stafetës të bëhet në mënyrë dinjitoze, me respekt e maturi dhe vizion.

E pashembullt harbutëria dhe qasja e denigrimit që ndjekin disa nga kandidatët e shpallur e vetëshpallur për drejtimin e forcës më të madhe opozitare.

Padyshim një qasje që do i skualifikonte për çfarëdolloj posti drejtues e lidershipi në çdo organizatë sado të thjeshtë, por sidomos për postin e lidershipit opozitar në këtë kohë kolere politike…

Të kërkosh të bëhesh drejtues i një force politike të cilën e denigron dhe gjuan me gurë nga mëngjesi në darkë në çdo studio mediatike ku të jepet një mikrofon, do të thotë se e ke humbur fillin e përkatësisë politike dhe po punon për një objektiv që vetëm opozitar nuk mund të jetë.

Shqipëria ka një problem të madh…prodhon shumë burrecër politikë, intriga e llafazanëri që në fund të ditës çojnë ujë vetëm në mullirin e pushtetit të krimbur rilindas.

Të ndash kakofoninë e kllounëve e burrecëve politikë nga mesazhi i qendrestarëve të vërtetë opozitarë, kjo është çështja…

Por po bëhet çdo ditë e më e vështirë në një shoqëri e mjedis mediatik që normalizon intrigën, shpifjen dhe mungesën totale të koherencës.

About Redaksia

Check Also

Teatri i paturpësisë alias diplomacisë

Nga Luçiano BOÇI Ka një moment në diplomaci kur buzëqeshja nuk është më protokoll, por …