Dështim i shtetit, mungesë parqesh dhe neglizhenca që sollën humbjen e jetëve të fëmijëve

Nga Flamur NOKA

Dje, si prind, si qytetar i këtij vendi, por edhe si përfaqësues i popullit opozitar në Kuvendin e Shqipërisë, reagova ndaj ngjarjes së kobshme në #Durrës, ku mbetën të vrarë dy fëmijë dhe një i tretë u plagos rëndë. Pashë e dëgjova nga mediat se banorët ishin ankuar në polici për fqinjin e tyre problematik, i cili shpesh qarkullonte atje me shpejtësi të lartë. Një vesh i shurdhër, një sy i mbyllur, një gojë e heshtur, një gotë më shumë, një “varja” më shumë, të bëra bashkë sollën një tragjedi.

Sot dëgjova mësuesen që tregoi përpjekjen që bëhet për t’i larguar fëmijët nga vetmia e celularit dhe për t’i kthyer ata në lojërat në grup, në mjedise të hapura si dikur. Mirë kanë menduar, po ku? Ku po luanin ata fëmijë? A kishin një kënd lojnash? Një fushë sportive? Një mjedis që u mundësonte të ishin fëmijë, të ishin bashkë e të zhurmonin pa dëgjuar të gërthiturat e të rriturve që kërkojnë qetësi pas pune?

Po sa herë i kemi dëgjuar togfjalëshat “mos luani këtu”, “mos me top afër makinave”, mos këtë e mos atë. Fjala që dëgjojnë më shumë fëmijët #shqiptarë është “mos”. Fjalë që të përndjek edhe në moshë të rritur. “Mos e bëj politike”, më thanë disa ndjekës me ndjeshmëri të lartë politike. Njëlloj si ata që dikur ankesat e popullit i quanin “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”.

Sot i thonë një deputeti të opozitës, që detyrë ka të ngrejë çështje e të bëjë opozitë, të MOS kërkojë fajtorë të tjerë përveç drejtuesit të automjetit. Po pse kështu? Sepse partia e timonit, timonierit dhe e të gjitha pushteteve kërkon ta izolojë fajin në një person të vetëm, duke shmangur çdo formë përgjegjësie mbi atë bashkësi qytetarësh që jeton e paguan taksa atje, ankesat e të cilëve deri dje i neglizhonin.

Shteti sillej sikur problemi për të cilin banorët ankoheshin vazhdimisht, nuk ekzistonte.

Derisa ndodhi ajo që ndodhi.

Pezullimet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës janë një furtunë në gotë. Drejtuesi i dehur, me historik shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor, u la i pambikëqyrur të vazhdonte rutinën e tij të shpejtësisë së lartë në zonë të banuar.

Kjo neglizhencë e pajustifikuar e Policisë së Shtetit u bë shkak që në atë lagje të qarkullonte me shpejtësi një shkelës përsëritës.

Ai personalisht duhet të marrë dënimin maksimal dhe për të nuk duhet të kursehet asnjë gjykatë, mirëpo hipokrizia e sotme në kor e Grupit Parlamentar Socialist, me në krye Taulant Ballën, që e cilësuan shoferin “terrorist” ndërsa përplasjen vrastare një “akt terrorist”, vetëm për t’i vënë një emër e mbiemër të përveçëm një problematike të madhe dhe komplekse siç është Siguria në Rrugë dhe në Zonat e Banuara.

Kori me dirigjent Taulant Ballën është një vrimë miu për t’i ikur përgjegjësive. Për sa kohë përgjegjësitë i përkasin qeverisjes qëndrore ose asaj vendore, ato janë POLITIKE.

Fëmijët dalin luajnë në rrugë se nuk kanë ku të luajnë tjetër. Fëmijëve nuk u hyn në xhep politika, por politika e betonit i ka hyrë në hak fëmijëve.

Do harrohet pas 3 ditëve apo do vendosim gishtin në plagë e të gjejmë zgjidhjen, që tragjedi të tilla të mos përsëriten?

Mos e thjeshtoni problemin në një emër!

Shoferi do dënohet dhe problemi do të vazhdojë ende. Nëse neglizhohet thirrja e qytetarëve, nëse nuk mbikëqyren sistematikisht personat e skeduar me precedentë, siç veprohet në Perëndim me të gjitha kategoritë e shkeljeve dhe të krimeve, ne do të kemi sërish viktima, ne mund të jemi vetë viktima. Askush nuk ka imunitet ndaj pasigurisë në mjedise publike, në rrugë e trotuare.

Sa herë kemi dëgjuar për makina që përfundojnë brenda kafeneve, nëpër trotuare, duke vrarë e sakatuar kalimtarë. Një polici spektatore nuk i duhet askujt.

Një problem nuk do gjejë kurrë zgjidhje nëse autoritetet e shtetit e mohojnë, e tjetërsojnë apo e relativizojnë. Pranimi i problemit është gjysma e zgjidhjes. Për të shmangur tragjedi të tilla, fillimisht dilni nga llogoret ku disa ju ka vënë për të heshtur çdo ankesë.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Protestat tona janë bërë zëri i Shqipërisë në mbarë kombin dhe në mbarë botën!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës në Foltoren në degën nr.5 në Tiranë, tha …