Një video tronditëse, e bërë virale në rrjet, ka rikthyer në vëmendje një ngjarje të rëndë të ndodhur në dhjetor 2025 në Golem të Kavajës, ku një qytetar dhunohet në mënyrë barbare nga dy persona, në mes të një konflikti për pronësinë.
Por ajo që ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje është reagimi i policisë. Sipas njoftimit zyrtar, autorët e dyshuar janë proceduar penalisht… në gjendje të lirë.
Pra, për një dhunë të tillë të rëndë, të dokumentuar edhe me video, nuk është vendosur arrest, por vetëm procedim në liri. Një vendim që për shumë qytetarë duket i pakuptueshëm dhe i papranueshëm.
Policia bën me dije se ngjarja është referuar në Prokurori më 22 dhjetor 2025 dhe se dy shtetasit, D. Sh. dhe B. M., dyshohet se kanë goditur me grushte dhe shkelma Rexhep Ademin pas një konflikti verbal për çështje pronësie.
Ndërkohë, burime për JOQ Albania nga zona e Golemit hedhin pretendime të forta mbi një nga personat e përfshirë. Sipas tyre, një prej dhunuesve, shtetasi D.Sh., dyshohet se ka lidhje të forta me pushtetin lokal dhe është një person problematik i njohur në zonë.
Burimi, që kërkon të mbetet anonim, pretendon se ai ka qenë i përfshirë edhe më herët në konflikte dhe dhunë, por rastet nuk janë ndjekur siç duhet nga autoritetet. Sipas të njëjtit burim, ekziston perceptimi se ai gëzon mbështetje dhe ndikim, çka mund të ketë ndikuar edhe në trajtimin e rastit.
Theksojmë se këto janë pretendime të burimeve dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Nga ana tjetër, vetë Rexhep Ademi prej kohësh ka denoncuar publikisht konfliktin për pronën e tij, madje duke shkuar deri në grevë urie përpara SPAK, ku kërkonte drejtësi dhe hetim për çështjen.
Ngjarja në fjalë dhe zhvillimet e fundit kanë rikthyer në fokus një problematikë të hershme në zonën e Golemit: konfliktet për prona dhe akuzat për ndërhyrje të paligjshme, shpesh të shoqëruara me dhunë dhe mungesë reagimi efektiv nga institucionet.
Gazeta RD