PD: Berisha denoncoi propagandën qeveritare në media, jo gazetarët! Safe Journalists dhe AGSH po shmangin kapjen e mediave nga Edi Rama

PD: Berisha denoncoi propagandën qeveritare në media, jo gazetarët! Safe Journalists dhe AGSH po shmangin problemin real, kapjen e mediave nga Edi Rama

DEKLARATË

Me keqardhje u ndeshëm me reagimin e organizatave Safe Journalists dhe AGSH (Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë) mbi të ashtuquajturin “sulm publik ndaj News 24” nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Lidhur me këto deklarata të AGSH dhe SJ-së, sqarojmë:
Së pari: Në deklaratën e tij, z. Berisha nuk ka atakuar personalisht asnjë gazetar. Ai ka kritikuar me të drejtë vetëm pronarin e News24 për angazhimin e tij personal në lajme të rreme, trillime dhe manipulimet e diktuara direkt nga zyra e Kryeministrit Edi Rama kundër Partisë Demokratike.
Kështu, në mediat e tij, ai me gjithë sqarimet e dhëna direkt atij, ai ka paraqitur si zyrtar të lartë të forumeve të PD persona të larguar prej kohësh në parti të tjera.
Së dyti: Berisha në asnjë rast nuk ka sulmuar asnjë gazetar të këtij televizioni, përkundrazi, në çdo deklaratë ka shprehur publikisht respekt dhe vlerësim për punën e tyre. Sikundër ai ka falenderuar në mënyre të përsëritur të gjithë ata gazetarë që, me guxim kontribuojnë çdo ditë në hetimin dhe denoncimin e korrupsionit dhe lidhjeve të pushtetit me krimin.
Në këtë kontekst mendojmë se është tejet e dyshimtë dhe jashtë misionit të këtyre organizatave të bëjnë “avokatin” e pronarit të medias, duke anashkaluar faktet.
Së treti: Raporte serioze ndërkombëtare konfirmojnë se mbi 90% e mediave në Shqipëri janë nën kontrollin e qeverisë, qoftë në linjën editoriale, qoftë në përmbajtjen e lajmeve. Ky kontroll, i ushtruar përmes interesave të pronarëve, arrin deri në censurë ndaj opozitës dhe vetëcensurë të gazetarëve. Dokumentet zyrtare të dosjeve gjyqësore faktojnë se pronarë të mediave proqeveritare, me ne krye Top Channel, shpërblehen nga qeveria me dhjetra miliona euro në tendera, prokurime, me statusin e investitorit strategjik apo me mijëra metra katrorë troje me “1 euro” në zemër të Tiranës.
Në këmbim, këta pronarë urdhërojnë censurimin e opozitës, shpifjet e trillimet ndaj saj dhe përsërisin si papagaj në seri lajmet e ERTV të Kryeministrit apo podkastit të tij, madje pranojnë lista nga zyrat e këtij të fundit, se cilët kundërshtarë politikë nuk duhen ftuar në studio, ose kush duhet denigruar publikisht.
Kështu togfjalëshin “mafia e fjalës së lirë”, z. Berisha e përdor për të identifikuar jo mediat si institucione, por ata pronarë dhe analistë (si Sokol Balla, Adriatik Doçi, Idajet Beqiri, Carlo Bollino, etj.) që censurojnë opozitën, devijojnë fokusin e ngjarjeve, shtrembërojnë faktet, shpifin dhe përdorin një gjuhë të korruptuar në shërbim të pushtetit.
Së katërti: Kategorizimi i kryetarit të PD-së si “i ngjashëm me Ramën” është një paralele që vjen ose nga mosdija, ose nga një përpjekje shterpë për t’u dukur i barazlarguar.
Kujtojmë se PD ka qenë njëzëri në mbështetje të Focus Group kur qeveria bastisi mjediset e tyre apo shkatërroi pronat e kësaj kompanie. Z. Berisha ka kritikuar rrjetin në fjalë vetëm për mbulim të pabarabartë dhe për ngatërrimin e agjendave personale të pronarit me interesin publik.
Të thuash se kritika politike është e njëjtë me bastisjet, kërcënimet dhe shpërthimet me eksploziv të kryera nga qeveria, përbën amnisti për veprimet kriminale të pushtetit.
Së fundmi, siç është bërë tashmë traditë, Sali Berisha organizon thuajse çdo ditë takime të hapura me median. Në asnjë prej këtyre takimeve asnjë reporter nuk është fyer apo sulmuar; përkundrazi, janë falënderuar për punën dhe investigimet e tyre. E kundërta ndodh në konferencat e Kryeministrit, ku gazetarët abuzohen verbalisht apo dhe shtyhen prej tij dhe përjashtohen fizikisht.
Detyra e opozitës nuk është “gjuha politikisht korrekte”, por identifikimi i saktë i problemeve. Opozita ka si instrument parësor fjalën, dhe nuk ka gjuhë tjetër për të përshkruar kapjen e medias përveç të vërtetës, sado e ashpër që ajo të tingëllojë.
Partia Demokratike mbetet e palëkundur në besimin se media e lirë është aleate e pazëvendësueshme në dokumentimin e vjedhjeve qeveritare dhe në vënien e pushtetit para përgjegjësisë, sipas parimit: “Problemi është qeveria”.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Të frymëzuar nga Skënderbeu të vazhdojmë betejën për çlirimin e vendit nga Edi Rama!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e ditëlindjes së Heroit …