Bozdo: Qeveria ka dështuar, Rama po shkatërron ekonominë e familjeve shqiptare!

Deputeti i PD, Enno Bozdo, në një deklaratë për mediat, tha se qeveria po rëndon familjet shqiptare me vendime të papërgjegjshme.

Bozdo kritikoi refuzimin e maxhorancës për të miratuar tre projektligjet që do të lehtësonin barrën financiare të qytetarëve. Ai theksoi se kjo është një zgjedhje e pastër politike dhe një dështim i qeverisjes përballë krizës së çmimeve.

Deputeti paralajmëroi se qytetarët nuk duhet të paguajnë për paaftësinë dhe korrupsionin e qeverisë.

Deklarata

Përshëndetje,

E kam thirrur këtë komunikim për median për një çështje thelbësore që prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, siç është ekonomia. Qeveria e Edi Ramës, përgjatë këtyre 13 viteve, ka provuar vazhdimisht se nuk qeveris për qytetarët, por për një rreth të ngushtë interesash dhe përfituesish pranë saj. Ky nuk është më perceptim, është fakt i përsëritur dhe i konfirmuar.

Kjo sjellje u shfaq sërish në mënyrë të qartë dhe të papranueshme gjatë javës së fundit, kur maxhoranca rrëzoi tre nisma ligjore të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, nisma që synonin drejtpërdrejt lehtësimin e barrës ekonomike për qytetarët në një kohë krize të thellë të rritjes së çmimeve. Në fakt, nuk ishte aspak surprizë. Ky është modeli i tyre i zakonshëm i qeverisjes.

Ata rrëzuan propozimet për uljen e çmimit të naftës përmes reduktimit të taksës së qarkullimit dhe taksave të tjera, për uljen e akcizës mbi naftën dhe dieselin, si dhe për zerimin e akcizës së gazit për industrinë prodhuese “Made in Albania”. Të gjitha këto masa u hodhën poshtë në komisionet parlamentare me votat e deputetëve socialistë.

E theksoj qartë: nuk ka asnjë surprizë në këtë qëndrim. Por ajo që qytetarët duhet të dinë është çfarë humbën nga ky refuzim:

Litri i naftës sot do të ishte të paktën 350 lekë më i lirë. Me fjalë të thjeshta: për çdo 10 litra, qytetarët do të kursenin rreth 3,500 lekë, ose do të merrnin rreth 3 litra më shumë karburant;
Gazi industrial për prodhimin vendas do të kushtonte zero lekë për kg, nga 125 lekë/kg që kushton sot;
Çdo familje shqiptare do të kursente mesatarisht rreth 70 euro në muaj;
Fermerët do të kishin mundësi reale të punonin tokën e tyre, ndërkohë që sot, me çmimin absurd prej 2,200 lekësh për litër, kjo është bërë praktikisht e pamundur;
Industria prodhuese, veçanërisht ajo eksportuese, do të ulte kostot deri në 25%, duke u bërë më konkurruese në tregun vendas dhe atë të eksportit.

Ky është realiteti. Dhe ajo që e bën më të rëndë këtë situatë është fakti se Shqipëria vazhdon të renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të karburantit në botë, një politikë që po shkatërron fermerët dhe po godet rëndë ekonominë familjare dhe prodhuese.

Refuzimi i këtyre nismave është një zgjedhje e pastër politike. Është vendimi i një qeverie që nuk ka asnjë vullnet për të ndërhyrë në mbrojtje të qytetarëve. Përkundrazi, Edi Rama ka zgjedhur të mos marrë asnjë masë konkrete për të përballuar krizën e çmimeve, duke i lënë familjet shqiptare dhe ekonominë vendase në mëshirë të fatit dhe zhvillimeve të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Kemi edhe një rekord tjetër negativ: kjo është e vetmja qeveri në rajon dhe në Europë që nuk ka ndërmarrë asnjë paketë reale mbështetëse kundër krizës. Ndërkohë, ajo ka përfituar financiarisht nga rritja e çmimeve. Vetëm nga TVSH-ja mbi karburantin, për muajt mars dhe prill, janë mbledhur mbi 10 milionë euro shtesë.

Pyetja është e thjeshtë: ku kanë shkuar këto para?

Në vend që t’i kthehen qytetarëve në formë mbështetjeje direkte, ato kanalizohen në kontrata dhe marrëveshje të dyshimta korruptive apo në shpenzime luksi. Pra, ndërsa qytetarët varfërohen dhe ekonomia ngec, qeveria pasurohet dhe refuzon të ndajë këtë barrë me njerëzit.

Megjithatë, këto tre projektligje do të paraqiten për votim në seancën e nesërme plenare. Thirrja jonë është e qartë: maxhoranca duhet të tejkalojë interesat e saj politike dhe të votojë në favor të qytetarëve.

Këto nuk janë propozime partiake. Nuk janë propagandë dhe as ide të parealizueshme. Janë masa konkrete, të provuara në vende të tjera, që japin rezultate të menjëhershme dhe të prekshme për familjet, fermerët dhe prodhuesit shqiptarë.

Është momenti për të zgjedhur: interesin e qytetarëve apo interesin e një pakice.

Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Të frymëzuar nga Skënderbeu të vazhdojmë betejën për çlirimin e vendit nga Edi Rama!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e ditëlindjes së Heroit …