Pse Orikumi duhet të jetë bashki?

Nga Deivi SINANALIAJ 
-Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike Dega Vlorë

Orikumi nuk është thjesht një njësi administrative periferike; ai është një territor me histori të thellë, potencial të jashtëzakonshëm ekonomik dhe identitet të veçantë kulturor, që prej vitesh është lënë në harresë nga qeverisja qendrore dhe ajo vendore. Kthimi i Orikumit në bashki nuk është kërkesë emocionale, por një domosdoshmëri zhvillimore.

Historia e lënë në hije

Oriku i Lashtë përfaqëson një nga pasuritë më të rëndësishme arkeologjike të jugut të Shqipërisë. Megjithatë, ndalimi i kërkimeve arkeologjike dhe mungesa e investimeve e kanë kthyer këtë trashëgimi në një potencial të ngrirë. Pa një administratë vendore të dedikuar, historia e Orikumit mbetet e pazbuluar dhe e pashfrytëzuar për turizmin kulturor.

Tragjasi dhe zhvendosja e vëmendjes turistike

Tragjas i Vjetër, me vlerat e tij historike dhe natyrore, është lënë në harresë për shkak të një modeli turizmi që ka favorizuar zona të tjera, duke e orientuar zhvillimin turistik shqiptar larg identiteteve autentike. Kjo ka sjellë braktisje, mungesë shërbimesh dhe humbje të trashëgimisë lokale.

Radhima – bukuri pa infrastrukturë

Radhimë konsiderohet ndër fshatrat me pamjen më piktoreske të Shqipërisë, por rruga e shkatërruar dhe infrastruktura e amortizuar e bëjnë aksesin të vështirë. Pa investime serioze, turizmi mbetet sezonal dhe i paqëndrueshëm.

Urbanistika e dështuar

Orikumi, i njohur dikur edhe si Paska kishte një plan urbanistik vizionar: ndërtesa deri në 7 kate dhe ulje graduale të lartësisë sa më pranë bregdetit, për t’i dhënë qytetit frymëmarrje homogjene. Ky plan nuk u realizua, duke sjellë zhvillim kaotik, pa identitet arkitektonik dhe pa respekt për mjedisin.

Bypass-i dhe izolimi ekonomik

Bashkia e Vlorës dhe qeverisja socialiste e prezantuan bypass-in e ri si mundësi zhvillimi. Në realitet, Orikumi u shndërrua nga destinacion turistik në një “Route 66” pa ndalesa: turistët që më parë ktheheshin për të vizituar zonën, sot e kalojnë thjesht si një pitstop për tualet, pa ndikim ekonomik lokal.

Energjia që nuk vjen kurrë

Investimi i Ministrisë së Energjitikës për nënstacionin 20 kV mbetet paradoksal: objekti është gati, por nuk është vënë kurrë në punë. Në vitin 2026, banorët e zonës ende vuajnë mungesën e energjisë elektrike, një situatë e papranueshme për një zonë turistike.

Monopol dhe mungesë subvencionesh

Mungesa e investimeve në infrastrukturë, si dhe e subvencioneve për parqe fotovoltaike, eolike dhe bujqësore, lidhet me një model monopolist të ndarjes së lejeve. Lejet shpesh jepen sipas dëshirës dhe jo sipas certifikatave të pronësisë, duke favorizuar paketa simbolike si “1 euro” për male, në dëm të komunitetit vendas.

Problematika të tjera thelbësore

Mungesë kanalizimesh dhe trajtimi të ujërave të zeza.
Menaxhim i dobët i mbetjeve urbane.
Shërbime publike të pamjaftueshme (shëndetësi, arsim, transport).
Centralizim vendimmarrjeje pa përfaqësim lokal.

Orikumi duhet të jetë bashki sepse vetëm një qeverisje vendore e pavarur mund të mbrojë historinë, të planifikojë zhvillimin urban, të tërheqë investime të drejta dhe të rikthejë dinjitetin e një zone që ka dhënë shumë, por ka marrë pak. Pa këtë status, Orikumi rrezikon të mbetet përgjithmonë një territor tranziti, në vend që të jetë një qendër zhvillimi.

About Redaksia

Check Also

Të gjithë duan të jenë nga pak Sali Berishë

Greta Beqiri Ka njerëz që hyjnë në politikë për një mandat, për një post, për …