Deputeti i PD, Eno Bozdo deklaroi se Shqipëria sot ndodhet përballë krizës së naftës. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bozdo theksoi se ministri duhet të japë shpjegime përse vendi ndodhet në këtë gjendje dhe se nuk ka rezerva sigurie.
Ai theksoi se çmimet e karburante në Shqipëri janë shumë të larta dhe se qeveria punon vetëm për të mbushur xhepat e saj dhe jo për shqiptarët. Ndërsa Bordin e Transparencës e cilësoi si një tallje.
“E dhimbshme të shohësh që Shqipëria nuk zotëron asnjë gramë naftë të rezervës të sigurisë dhe jo më të mendosh që ndoshta mund të na vijë ndonjë kërkesë nga institucionet përkatëse për ta liruar këtë kërkesë. Sot ne nuk kemi as rezerva sigurie.
Ndërsa kriza vazhdon ne jemi me sytë nga qielli duke shpresuar se kjo krizë do të zgjidhet. Kryeministri u detyrua të gënjejë sepse e vërteta është se jemi me duart lart dhe kjo na nxjerr shumë keq me vetveten dhe BE. Çmimi i karburantit ka shkuar në stratosferë dhe kriza ka bërë të vetën.
Por projektligji kurdo që të miratohet nuk do të zgjidhë asnjë gjë. Me çfarë do ta financoni Autoritetin e Rezervave të Sigurisë? Kemi naftën më të shtrenjtë në botë , kemi strukturën më të ngarkuar fiskale që shkojnë për të mbushur xhepat e qeverisë”, tha Bozdo.
Gazeta RD