Kryeministri Edi Rama refuzoi interpelancën urgjente e thirrur nga opozita në lidhje me Jet Bank, për të cilën opozita ka ngritur dyshime për lidhje me familjen kryeministrit.
Për të dhënë sqarime lidhur me licencimin e bankës Jet Bank nga Banka e Shqipërisë, si dhe ndikimin e mundshëm të këtij licencimi mbi vlerësimin nga MONEYVAL, dërgoi ministren e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Eriona Ismaili.
Pas licencimit të kësaj banke brenda 7 muajsh, opozita ka dyshime për pastrim parash dhe lidhje të errëta.
Deputeti i PD, Belind Këlliçi, në fjalën e tij tha se, Ismaili ka marrë përsipër detyrën e vështirë për të mbrojtur Bankën e Edi Ramës pasi as Ministri i Financave nuk ka si ta marrë këtë përgjegjësi dhe parashtroi pyetjet të cilat kishte përgatitur për kryeministrin Rama por që i pari i vendit ka frikë t’i përgjigjet.
Fjala e Këlliçit
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar Kolegë,
Të nderuar qytetarë,
Javën e kaluar kam kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin në lidhje me një shqetësim të ngritur nga unë që në janar të vitit 2026 për dhënien e liçensës për bankën e parë 100% digjitale në Shqipëri.
Jet Bank ka marrë miratimin paraprak në dhjetor të vitit 2025 dhe është liçensuar përfundimisht në mars të vitit 2026. I gjithë procesi nuk ka zgjatur më shumë 7 muaj.
Për këtë shqetësim kam nisur disa kërkesa në Bankën e Shqipërisë. Kjo e fundit për një pjesë më ka nisur informacion për e për pjesën tjetër jam ende në pritje.
Sigurisht si për çdo shqetësim tjetër të ngritur nga opozita, përgjigja apo reagimi institucional, jo vetem që lë për të dëshiruar, por kërcet leku në media ku parësor nuk është interesi publik, por pazari i rradhës apo denigrimi i opozitës.
Liçensimi i një banke nuk është dhe nuk duhet të shihet si një proces formal apo thjeshtë burokratik, por si një proçes gjithpërfshirës, pasi një vendimmarrje e tillë ka ndikim shumë më të gjërë jo vetëm në sigurinë e parave të shqiptarëve, por dhe në sistemin bankar në vend.
Institucionet tona duhet të ushtrojnë vigjilencë të shtuar në një kohë kur Shqipëria ka hapur grupkapitujt kryesorë në procesin e integrimit dhe aspiron ti bashkohet familjes Evropiane, por ndërkohë jemi edhe nën monitorimin e MONEYVAL.
Aspekti me shqetësues ku duhet të ishte dhe fokusi i Qeverisë dhe institucioneve në varësi të saj është pikërisht pastrimi i parave.
Vitet e fundit kjo sallë ka lexuar e dëgjuar shumë raporte nga titullarë të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e është pikërisht kjo strukturë e specializuar hetimore që ka ngritur alarmin për këtë fenomen, pra nuk flasim për një aludim apo akuzë të opozitës për politikë, por për një fenomen që po gërryen dhe shkatërron ekonominë e vendit.
Sot Shqipëria është bërë bazë jo vetëm e parave të pista të grupeve kriminale, të cilat marrin tendera e leje ndërtimi për ti përdorur si lavatriçe, por ajo është edhe baza e të ashtuquajturave Call Center, me anë të së cilave mashtrohen qytetarët Evropianë në vlera qindra milionë euro.
E gjitha kjo nodh nën hundn, apo e thënë troç dhe shkoqur, me bekimin e institucioneve të shtetit, ku më kryesorët janë Agjencia e Inteligjencës Financiare Policia e Shtetit dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Për miratimin e një liçense bankare, Banka Qëndrore për të certifikuar reputacionin dhe pastërtinë e figurës së aksionerëve të bankës aplikuese, komunikon pikërisht me Agjencinë e Inteligjencës financiare dhe SHISH.
Të dyja këto institucione në varësi të Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrisë.
Prandaj dhe sot kisha thërritur në interplancë Edi Ramën dhe jo Eriona Ismailin.
Unë e kuptoj që Ismaili paska marrë përsipër detyrën e vështirë për të mbrojtur Bankën e Edi Ramës pasi as Ministri i Financave nuk ka si ta mare këtë përgjegjësi, se Ministrja e Ekonomisë, mbase dhe për arsye personale, dihet që jo e jo.
Nëse kushdo në këtë sallë apo edhe qeveri do të bënte një kërkim të thjeshtë në internet se cilat janë problematikat e ngritura nga Autoritet Mbikëqyrëse Evropiane për bankat digjitale si N26, Revolut, StarligBank etj, do të konstatonte se, Autoritetet monitoruese në Evropë, si Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Autoriteti Bankar Evropian (EBA), kanë ngritur disa shqetësime kyçe për bankat digjitale (neobanks) dhe sektorin financiar që po digjitalizohet me shpejtësi për vitet 2025-2026.
Këto shqetësime kryesore konsistojnë në:
1- Pastrimi i parave
2- Siguria Kibernetike
3- Stabiliteti financiar dhe likuiditeti
Për të gjitha sa thash më sipër kam kërkuar këtë interpelancë duke i drejtuar dhe pyetjet e mëposhtme Kryeministrit:
A ka dijeni Kryeministri Edi Rama për lidhjet e dokumentuara nga autoritetet rregullatore gjermane, britanike, spanjolle dhe estoneze të shtetasit Oliver Hemmer, drejtor i shoqërisë Constador LTD (aksionar 71.52% i JET BANK), me skemën mashtruese 4XFX dhe rrjetin e Gal Barakut të dënuar në Austri për mashtrim me dëm mbi 200 milionë euro?
A mund të garantojë Kryeministri Edi Rama për qytetarët shqiptarë se depozitat e tyre në JET BANK do të jenë të sigurta, duke pasur parasysh se: i) Agjencia e Sigurimit të Depozitave mbulon vetëm shuma të kufizuara për depozitues; ii) fondi i ASD-së financohet nga kontributet e të gjitha bankave të tjera në treg, duke e kthyer riskun e një banke të re në një risk që, në rast dështimi, do të përballohej nga fondi i krijuar prej kontributeve të sistemit bankar dhe do të kishte pasoja mbi besimin e qytetarëve në të gjithë sistemin financiar; dhe iii) asnjë prej aksionarëve dhe anëtarëve të bordit të JET BANK nuk ka eksperiencë të mëparshme në drejtim bankar, as nuk ka operuar kurrë një bankë tregtare në ndonjë vend tjetër të botës?
A ka kërkuar Kryeministri, pa cënuar pavarësinë ligjore të Bankës së Shqipërisë, që Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, shërbimet përgjegjëse të sigurisë kombëtare dhe institucionet ligjzbatuese të verifikojnë burimin e kapitalit, pronësinë përfituese, lidhjet e raportuara me platforma të palicencuara financiare dhe çdo risk të mundshëm për pastrim parash që lidhet me liçensimin dhe nisjen e aktivitetit të JET Bank?
A ka kërkuar Kryeministri Edi Rama verifikime të hollësishme nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare mbi aksionarët, pronarët përfitues dhe anëtarët e organeve drejtuese të JET BANK, veçanërisht mbi shtetasit Oliver Hemmer, Idan Avishai, Rami Solomon dhe Saniel Sanilevich, duke pasur parasysh se lidhjet e disa prej tyre sipas disa burimeve të hapura, i lidhin me struktura të dokumentuara nga autoritetet policore evropiane si rrjete pastrimi parash, përbëjnë një çështje me implikime të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin financiar të vendit?
A mund të konfirmojë apo mohojë Kryeministri Edi Rama pretendimet publike se liçensimi i JET BANK është mbështetur nga “persona me ndikim pranë Qeverisë”, sipas informacioneve të raportuara nga media serioze në vend, dhe a është hetuar kjo çështje nga organet përkatëse të Qeverisë?
Çfarë shpjegimi ka Kryeministri Edi Rama për faktin se kapitali i JET BANK u rrit nga vlera nominale e blerjes prej 927 mijë lekësh në 10 milionë euro brenda më pak se tre muajve, dhe a janë vënë në dijeni organet ligjzbatuese dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave për këtë rritje të jashtëzakonshme të kapitalit?
A është kërkuar informacion nga autoritetet homologe britanike, gjermane, estoneze, qipriote, holandeze, izraelite dhe kroate për aksionarët, administratorët, pronarët përfitues dhe shoqëritë e përfshira në strukturën e JET Bank, përpara dhe pas dhënies së liçensës përfundimtare? Nëse po, cilat institucione janë pyetur dhe çfarë përgjigjesh janë marrë?
A janë vënë në dijeni partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane, Autoriteti i BE-së kundër Pastrimit të Parave (AMLA), si dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë, për licencimin e kësaj banke dhe për strukturën e saj të pronësisë?
A ka marrë Qeveria masa për të parandaluar konfliktin e mundshëm të interesit që lind nga fakti që Jet Holdings B.V. zotëron njëkohësisht JET BANK (bankë e liçensuar nga BSH) dhe JET TECH (shoqëri e regjistruar në Durana Tech Park me lehtësira fiskale), duke krijuar mundësinë e transferimit të fitimeve nga banka drejt një shoqërie së njëjtë grupi me regjim tatimor preferencial?
Faleminderit!
Gazeta RD