Rama si tollumbacefryrës

Nga Luçiano BOÇI

Sa herë pushteti kërkon të fshihet, shpik një perde teknike.

Dikur ishte “ekspertiza”.

Pastaj doli “partneriteti strategjik”.

Pastaj “agjencia e pavarur”.

Ndërsa sot qeveria ka gjetur “lodrën” e re politike, Inteligjencën Artificiale.

Dhe si çdo lodër e re në duart e propagandës, ajo nuk prezantohet si mjet pune, por si mrekulli biblike.

Tani sipas tollumbacfryrësit i cili e ka pranuar dhe vetë që përcaktonte fituesit e siç e dëshmon SPAK me përgjime, nuk do kemi më korrupsion, nuk do kemi më tendera me fitues të paracaktuar, nuk do kemi më “dorë njeriu”.

Do kemi tollumbacen Diellë, që nuk fle, nuk gabon dhe, sipas legjendës qeveritare, nuk korruptohet por vetëm fryhet.

Kë të besosh tani, këtë që fryn apo këtë që fryhet?!

Në këtë vend ku prej vitesh vidhen miliona me letra, me firma, me VKM, me negocime pa garë dhe me kompani fantazmë, problemi papritur na qenka mungesa e algoritmit.

Pra nuk paska qenë problemi tek sistemi politik.

As tek klientelizmi as, tek kapja e institucioneve.

Jo!

Problemi paskësh qenë se hajdutët punonin pa inteligjencë artificiale.

Kjo është faza e re e propagandës moderne ku nuk shitet më suksesi real, por spektakli teknologjik.

Rama fryn fort tollumbacen e rradhës. E sa më bosh brenda, aq më shumë ajër duhet për ta mbajtur në qiell.

Na thonë se tani “asnjë nëpunës nuk do luajë më me letrat”.

Mirë!

Po kush do luajë me algoritmin?

Kush do vendosë kriteret?

Kush do programojë filtrat?

Kush do përcaktojë çfarë konsiderohet “risk”?

Kush do kontrollojë përjashtimet?

Kush do monitorojë kodin?

Sepse korrupsioni nuk zhduket kur zhduket letra.

Korrupsioni në këtë rast vetëm dixhitalizohet me kod.

Nëse më parë manipulimi bëhej në zyrë, tani mund të bëhet në server.

Madje del më elegant. Më steril. Më i padukshëm për syrin e zakonshëm.

Më i vështirë për t’u provuar.

Dhe më i lehtë për t’u justifikuar me frazën magjike sipas së cilës

“Nuk vendosi njeriu. E vendosi sistemi.”

Por asnjë algoritëm nuk mund të pastrojë një sistem ku fituesi shpesh është vendosur para garës.

Asnjë IA nuk mund të kuptojë pse specifikimet shkruhen për një kompani të vetme.

Asnjë chatbot nuk mund të zëvendësojë moralin publik.

Dhe asnjë server nuk mund të krijojë llogaridhënie aty ku mungon vullneti politik.

Në fund, teknologjia është vetëm mjet që në duar të ndershme, ndihmon shtetin, ndërsa në duar propagande kamuflon korrupsionin.

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë tollumbace që fryhen në konferenca shtypi.

Ka nevojë për institucione që nuk shfryhen sapo fiken kamerat.

About Redaksia

Check Also

E di unë ça je ti, por s’ta them dot!!!

Nga Bislim AHMETAJ Një besimtar mysliman kish dalë në pazar të gjasë së gjallë me …