Faslli GOGA
Kanabizimi, kriminalizimi i institucionalizuar dhe shpopullimi janë tre arritjet më të mëdha të Qeverisë Rama në 13 vite qeverisje,
Kanabizimin si projekt politik i Ramës dhe PS-së, deklaronte në një studio televizive Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministër i qeverisë Rama.
Nëse një qeveri, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes tolerimit, lejon kultivimin masiv të kanabisit atëhere, kjo është ndër format më të rrezikshme të qeverisjes. Sepse nuk është vetëm drogë. Është hyrje e parasë kriminale në ekonomi, kapje e policisë, blerje heshtjeje, dhe më pas riciklim i këtyre parave në ndërtim, tendera, media, politikë dhe zgjedhje.
Kriminalizimi i institucionalizuar,
Pra, nëse kanabizimi kriminalizoi pjesë të ekonomisë informale, tenderët, PPP, leje ndërtimi dhe koncesionet e dyshimta kriminalizojnë vetë idenë e shtetit. E kësaj i thonë; “Kriminalitet i institucionalizuar”
Për këtë mjaftonë të shohim se pasuria publike dhe mundësitë ekonomike përqendrohen te një rreth i vogël aktorësh që fitojnë tendera, koncesione, PPP, leje ndërtimi, kontrata publike dhe favore administrative; ndërsa qytetari përballet me paga të ulëta, çmime të larta, emigrim, pasiguri dhe pamundësi për të konkurruar.
Fenomeni nuk duhet parë vetëm si korrupsion klasik, por si kapje e strukturës së zhvillimit të vendit. Është ndërtimi i një sistemi ku të ndershmit humbin avantazhin, profesionistët ikin, bizneset normale mbyten, dhe lidhja politike bëhet kapital më i vlefshëm se puna.
Largimi në mënyr masive i popullsisë në emigracion, shopullimi i vendit
Largimi masiv i popullsisë nuk është thjesht statistikë demografike; është shumë më tepër. Kur njerëzit ikin në masë, sidomos të rinjtë, profesionistët, familjet e reja, nuk po thonë vetëm “dua rrogë më të mirë”. Ato po thonë: “nuk shoh të ardhme këtu”.
Kur një vend humb popullsinë aktive, ndodh që: – Të dobësohet klasa e mesme, ajo që zakonisht mban demokracinë gjallë,
– Të rritet varësia nga remitancat, – Të plaket popullsia, dhe sistemi i pensioneve/shëndetësisë rëndohet, – Të ikë kapitali njerëzor, mjekë, infermierë, profesionistë, studentë, zanatçinj.
Politikisht, kjo është dështim i rëndë qeverisës. Jo sepse qeveria e shpiku emigracionin, por sepse pas më shumë se një dekade në pushtet, nuk mund të sillesh sikur çpopullimi është një fenomen i zakonshëm. Nëse je në pushtet kaq gjatë, nuk je më komentator i krizës. Je arkitekt i një pjese të saj.
Qeveria sot nuk ka asnjë strategji se si ta frenoi këtë fenomen.
Për mua, fakti më i rëndë nuk është vetëm që njerëzit ikin.
Është që shumë prej tyre nuk e përjetojnë më ikjen si humbje, por si shpëtim.
Kjo është katastrofa e një shteti.
Gazeta RD