Pas daljes nga ambientet e gjykatës, Mustafa Martinaj foli për mediat, duke shprehur pakënaqësi ndaj institucioneve për mënyrën se si po trajtohet çështja e zhdukjes së Ervis Martinajt.
Ai deklaroi se, sipas bindjes së tij, autoritetet nuk kanë vullnet për të zbardhur ngjarjen, edhe pse pretendon se ka dorëzuar informacione të detajuara dhe emra konkretë pranë organeve hetimore.
Sipas Martinajt, ai ka dëshmuar më herët në SPAK me kërkesën e tij dhe ka dhënë të gjitha të dhënat që dispononte, por që prej asaj kohe, sipas tij, nuk ka pasur asnjë reagim apo interes real nga hetuesit.
Në deklaratën e tij, ai hodhi dyshime edhe mbi përfshirjen e ish-drejtuesve të policisë kriminale në moszbardhjen e rastit, duke theksuar se çështja po lihet pa përgjigje prej kohësh.
“Nuk duan ta zbardhin, prandaj e lënë në Kurbin, pasi ua kam dhënë koordinatat e sakta dhe emra konkretë. I kam thënë të gjitha në SPAK kur erdha dëshmova me kërkesën time, askush nuk është interesuar që atëherë”, tha ai.
Në tetor të vitit 2025, Mustafa Martinaj ndërmori një tjetër hap ligjor në Gjykatën e Lezhës, duke kërkuar që djali i tij, Ervis Martinaj, të shpallet zyrtarisht person i zhdukur. Megjithatë, deri më tani nuk është marrë ende një vendim përfundimtar nga gjykata lidhur me këtë kërkesë.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme mban qëndrimin se Ervis Martinaj konsiderohet ende i gjallë, pasi sipas SPAK-ut nuk ekziston asnjë provë konkrete që të vërtetojë të kundërtën.
Ndërkohë, Martinaj vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK. Emri i tij është përmendur edhe në dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka deklaruar se Ervis Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro për eliminimin e Indrit Dokles. Këto pretendime janë pjesë e dosjeve hetimore që po shqyrtohen nga autoritetet e drejtësisë./
Gazeta RD