Projekti i Marinës së Jahteve në Durrës, i cili u reklamua si një investim strategjik prej 2 miliardë eurosh që do të transformonte bregdetin shqiptar, po dëshmon një realitet tjetër financiar në terren.
Sipas të dhënave të fundit nga bilanci i vitit 2024, kompania zhvilluese “Durrës Marina sha” ka arritur të arkëtojë rreth 42 milionë euro (4.17 miliardë lekë) ekskluzivisht nga parapagimet e klientëve.
Ky volum mjetesh monetare, i cili është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar, konfirmon se motori kryesor i financimit për tre godinat e para A01, A02 dhe A04 nuk janë kapitalet e huaja, por paratë e mbledhura nga shitjet e apartamenteve që ende nuk kanë përfunduar, ose siç njihet ndryshe, shitjet “në ajër”.
Financimi: Klientët në rolin e bankierit
Në raportin e saj të aktivitetit, vetë kompania pranon se këto parapagime përbëjnë një “komponent të rëndësishëm të financimit”. Përderisa kostot e ndërtimit për vitin 2024 raportohen rreth 35 milionë euro, shifra prej 42 milionë eurosh e mbledhur nga blerësit tregon se investitori po operon me një rrezik financiar pothuajse zero, duke mbuluar çdo shpenzim direkt nga xhepat e qytetarëve.
Kjo skemë mbështetet në kontrata agresive, ku blerësit detyrohen të paguajnë 20% të vlerës menjëherë pas firmosjes dhe 20% të tjerë brenda muajve të parë nga marrja e lejes së ndërtimit, duke i siguruar kompanisë likuiditet të plotë përpara se të hidhet tulla e parë.
Favorizimet shtetërore dhe rritja e çmimeve
Ajo që e bën këtë situatë edhe më komplekse është fakti se ky projekt po zhvillohet mbi 818 mijë m² tokë shtetërore, e cila i është kaluar investitorit falas nga qeveria shqiptare. Përveç truallit, kompania është përjashtuar nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe fondi i strehimit social, lehtësi këto që llogariten në rreth 7% të vlerës së parashikuar të shitjeve.
Pavarësisht këtyre dhuratave nga taksapaguesit shqiptarë, çmimet e apartamenteve kanë pësuar një rritje galopante; nga 1,500-1,600 euro/m² që nisën në fillim, sot ato kanë kapërcyer kufirin e 3,000 eurove/m², duke u bërë të papërballueshme për pjesën dërrmuese të popullsisë.
Gazeta RD