Kush e pengon integrimin europian të Shqipërisë?!?

Nga Bislim AHMETAJ

Në procesin e integrimit europian të Shqipërisë ekzistojnë dy “gjëra” krejtësisht të patolerueshme për vendet serioze të Bashkimi Europian.
Të dyja kanë një emër të përbashkët: “mbetje”.
Për t’i thënë më butë, në gjuhën “soft”, quhen mbetje, pasi në gjuhën reale janë plehra.
Ndryshimi mes tyre është vetëm vendi ku ndodhen dhe ku veprojnë:
“Mbetjet” në politikë.
“Mbetjet” në mjedis.
Këto dy toksina janë bërë pengesë serioze për qytetarin, për zhvillimin e vendit dhe për integrimin europian.
🔹️“Mbetjet” politike gjenden në parlament, në qeveri, në ministri, në agjenci shtetërore dhe në shumë bashki.
Ato prodhojnë korrupsion, kapje institucionesh, lidhje me krimin e organizuar dhe deformim të konkurrencës politike.
Për pastrimin e këtyre “mbetjeve”, partnerët euro-atlantikë investuan për vite me radhë në reforma të mëdha: ligje speciale, SPAK, struktura të posaçme hetimi, veting në drejtësi, polici dhe institucione të tjera.
Por, pavarësisht gjithë këtij investimi, rezultati mbetet zhgënjyes.
Nga njëra anë, këto reforma ricikluan Edi Ramën dhe sistemin e tij politik në pushtet, ndërsa korrupsioni, kontrolli mbi administratën dhe lidhjet me krimin u thelluan edhe më shumë.
Nga ana tjetër, ruajtën një opozitë apatike në stanjacion, e cila në vend që të ringrihej e të reformohej, vazhdon të riciklohet brenda vetes.
🔹️Pengesa e dytë janë “mbetjet” në mjedis.
Nëse të parat i gjen në zyra dhe institucione, këto të dytat i gjen kudo: në qytete, në fshatra, në lumenj, në plazhe, në rrugë, në parqe, madje edhe në majat e maleve.
Kudo sheh pirgje plastike, mbetje të pariciklueshme dhe ndotje që rrezikojnë shëndetin e njerëzve, florën dhe faunën.
Për t’i “zgjidhur” këto probleme, “mbetjet” e politikës shpikën aferën e inceneratorëve — ndoshta skemën më të madhe korruptive të këtyre 35 viteve.
Një skemë që vazhdon të gllabërojë miliona euro nga taksat e qytetarëve, ndërkohë që plehrat vazhdojnë të grumbullohen në fusha e periferi qytetesh.
🇪🇺Vendet serioze të Bashkimit Europian nuk i tolerojnë këto dy lloj toksinash: as korrupsionin politik dhe as ndotjen primitive të mjedisit.
🇦🇱Dhe këto dy detyra shtëpie nuk mund t’i zgjidhë askush tjetër në vendin tonë, përveç qytetarëve shqiptarë të përgjegjshëm — të udhëhequr nga njerëz të lirë, të pandotur nga “mbetjet” e politikës dhe të interesave që i kanë zënë frymën Shqipërisë.

Mund të jetë një imazh i teksti

About Redaksia

Check Also

Porti i “arabit” si kështjellë në rërë

Nga Oerd BYLYKBASHI Korrupsioni shqiptar prodhon çudira. Porti i ‘arabit’ asfiksoi portin e Durrësit. As …