Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, u shpreh me bindje për rëndësinë e qëndrimit të opozitës dhe të kryengritjeve paqësore në Shqipëri.
Ai theksoi se përpjekjet e tyre të organizuara dhe të vendosura kanë pasur ndikim të madh mbi figurën e kryeministrit Edi Rama, duke e bërë atë “delen e zezë” të mediave ndërkombëtare.
Berisha: Së pari, u përshëndes përzemërsisht, u falënderoj me mirënjohje të pakufishme për mbështetjen, për qëndrimin tuaj të pamposhtur ndaj këtij regjimi dhe kam kënaqësinë t’u konfirmoj se është pikërisht ky qëndrim, janë kryengritjet tona paqësore, ato të cilat e kanë bërë Edi Ramën delen e zezë të medieve ndërkombëtare.
Sot, si për asnjë lider tjetër të Evropës, mediet e mëdha botërore kanë shpërthyer ndaj tij me epitete nga më të rëndat, duke e vlerësuar atë si një gangrenë që duhet të hiqet për vendin e tij.
Duke e akuzuar se mbrojtja që i bën Lubi Ballukut lidhet vetëm e vetëm me implikimin e tij në aferat korruptive.
Duke e damkosur përsëri si arkitektin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë.
Pra, çdo ditë, falë kryengritjes paqësore tuaj, mospajtimit tuaj me vendimet e tij, Edi Rama damkoset sa asnjë lider tjetër në Evropë.
Kjo është një arritje serioze, e rëndësishme për forcat demokratike, për opozitën.
Kjo është një arritje e cila dëshmon se Edi Rama politikisht është i plagosur për vdekje.
Dhe se kryengritja paqësore e opozitës, me jehonën e saj të jashtëzakonshme ndërkombëtare, ka luajtur rol shumë të rëndësishëm si në mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarëve, në hedhjen poshtë të tezes raciste se shqiptarët janë të mbrujtur me korrupsion dhe nuk reagojnë, ashtu dhe me besimin dhe shpresën tek shqiptarët dhe partnerët tanë se Shqipëria ka një opozitë të fuqishme që përballet dhëmb për dhëmb me narkodiktaturën, me regjimin autoritar të Edi Ramës.
Përballet dhëmb për dhëmb me propagandën zyrtare të medieve të kontrolluara nga Rama, të cilat si armike të egra të opozitës, marrin nga zyrat e Ramës shpifje, trillime, dezinformime dhe servirin sikur opozita është problemi.
Sikur pallati i kuq u dogj për shkak të opozitës.
Apo njëri nga krerët e grupit të strukturuar kriminal të AKSHI-t, një hajdute e pamëshirë e shqiptarëve, është një zonjë e papërlyer dhe e përvuajtur.
Pra, përballë të gjitha këtyre faktorëve, rol përcaktues vendimtar ka opozita, kryengritja e saj, alternativa e saj, programi i saj.
Dje ne paraqitëm para shqiptarëve alternativën tonë për rendin dhe sigurinë, ku shqiptarët rezultojnë njerëzit më të pasigurt pas haitianëve.
Ku specialistë të shquar faktuan me shifra dhe fakte të pakundërshtueshme pasigurinë e plotë që mbjell narkoshteti për jetën, veprimtarinë, të dhënat, punën e qytetarëve të vendit.
Toleranca zero ndaj krimit të organizuar dhe prerja me gërshërë të çelikta të lidhjeve të krimit me politikën, ndëshkimet ligjore më të rrepta, veting i plotë, çlirim i policisë nga bandat dhe krimi dhe i gjithë administratës, si dhe konfiskimi i të gjitha pasurive, pronave dhe llogarive të krimit, do të bëjnë të mundur që Shqipëria të rivendosë shtetin ligjor, sigurinë e qytetarëve.
Gazeta RD