GJKKO rrëzon SPAK, rikthen për hetim dosjen e Irena Gjokës! Avokati: Me një të rënë të lapsit u munduan të fshehë të vërtetën

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e SPAK për pushimin e çështjes ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke i kthyer dosjen prokurorisë dhe duke e detyruar të kryejë një hetim të plotë brenda një afati gjashtëmujor.

Avokati Genc Gjokutaj, në një prononcim për mediat pas seancës, e cilësoi atë si një “hap shumë të rëndësishëm” dhe një “vendim serioz” që synon zbulimin e së vërtetës.

Sipas avokatit, gjykata konstatoi se SPAK nuk kishte kryer as hetimet më elementare në lidhje me kallëzimin e bërë. Për këtë arsye, trupi gjykues i ka lënë Prokurorisë së Posaçme mbi 20 detyra konkrete që duhet të përmbushen në gjashtë muajt e ardhshëm.

“Gjykata ka konstatuar se nga ana e SPAK-ut nuk janë kryer hetimet më elementare. Janë mbi 20 detyra që gjykata ia ka vënë SPAK-ut për t’i kryer në një hark kohor gjashtëmujor. Janë veprime thelbësisht të domosdoshme, duke nisur që nga fakti se nuk kanë pyetur kallëzuesit,” deklaroi Gjokutaj.

Ai shtoi se edhe pyetja e gjyqtares Gjoka ishte bërë në shkelje të procedurës, pasi procesverbali nuk ishte firmosur nga oficeri i policisë gjyqësore.

Deklarata e plotë

“Në lidhje me kërkesën për pushim të SPAK-ut për gjyqtaren Irena Gjoka, në mënyrë të përmbledhur, gjykata ka konstatuar se nga ana e SPAK-ut nuk janë kryer hetimet më elementare. Janë mbi 20 kërkesa, detyra që gjykata i’a ka vënë SPAK-ut për t’i kryer në një hark kohor gjashtëmujor. Dhe janë veprime, veprime thelbësisht të domosdoshme, që duke nisur që nuk kanë pyetur kallëzuesit, nuk kanë pyetur Irena Gjokën sipas ligjit sepse ajo ka firmosur dhe s’ka firmosur oficeri i policisë gjyqësore.

Dhe pastaj, detyrat e gjykatës shtrihen në drejtim të organeve të qeverisjes së gjyqësorit, KLGJ-së, ILD-së, që të merren të gjithë këto korrespondenca deri në të dhëna në lidhje me pikat kufitare.

Pra, në një interpretim të zgjeruar dhe është një vendim, unë e quaj një vendim serioz, sepse vë pikërisht ato detyra që shkojnë drejt zbulimit të së vërtetës. Atë të vërtetë të cilën SPAK-u, me një të rënë të lapsit, u mundua që ta fshehë.

Ky është një vendim i cili është një hap shumë i rëndësishëm në lidhje me kallëzimin tonë dhe as më shumë dhe as më pak, gjykata kërkon që kallëzimit tonë t’i jepet përgjigje dhe jo të mbyllet, që e pushoj unë çështjen sepse ashtu mendoj unë.

Nuk është çështje bindjeje personale, këtu është çështje provash, ka një objekt të caktuar kallëzimi dhe gjykata e rivendosi në shina këtë proces duke detyruar SPAK-un që të kryejë këto veprime të domosdoshme pa të cilat ai nuk mund të konkludojë drejt në lidhje me përgjegjësinë e gjyqtares Irena Gjoka.

Prokuroria nuk mori pjesë në asnjë seancë, por Prokuroria u mjaftua me kërkesën me shkrim që kishte depozituar për pushimin e procedimit penal.

Sa për dijeninë tuaj, Prokuroria e ka filluar si procedim pa emër personi të regjistruar dhe në fund e pushon mbi bazën e dispozitës që pushohet për të pandehurit.

Pa e marrë të pandehur, e kuptoni se çfarë ngërçi procedural është kjo? Po megjithatë, unë mendoj që vendimi i Gjykatës i jep një përgjigje ligjore, e cila zbulon shumë anë të kësaj çështjeje, por në fund të fundit, ajo që është kryesorja, e vë SPAK-un para përgjegjësisë që ta hetojë këtë çështje e cila është një nga çështjet më të rëndësishme sa i përket jo vetëm hetimit, por edhe integritetit të GJKKO-së edhe mënyrës se si gjykohet dhe hetohet në raste të tilla.

Shiko, SPAK ka kryer vetëm pyetjen e Irena Gjokës edhe atë nuk e ka firmosur oficeri i policisë gjyqësore. Janë, mbi 20 detyra, sepse e dha në mënyrë të përmbledhur dhe nuk e disponojmë dot.

Ne nuk e disponojmë vendimin, në një afat shumë të shkurtër na tha gjykata, do ta kemi vendimin të arsyetuar dhe atje do t’i kemi një për një detyrat që gjykata i ka vënë.

Por, një sasi e tillë detyrash është nga gjithë praktikat që kemi parë, t’i vësh mbi 20 a 30 detyra SPAK-ut për t’i kryer, nuk është e paprecedentë, që do të thotë që këto janë të domosdoshme për t’u kryer dhe dosja ka ardhur, me dy fletë.

Kjo është një mungesë profesionalizmi do ta quaja (në një rast tjetër) por në rastin konkret nuk flitet për mungesë profesionalizmi, është një llogore tjetër e gjyqësorit edhe e qeverisë së gjyqësorit, siç kanë vazhduar KLGJ-ja e ILD-ja që heshtin, edhe SPAK-u ndoqi të njëjtën rrugë që mori mbrojtjen e Irena Gjokës në KLGJ dhe e ktheu në vendim pushimi”.

About Redaksia

Check Also

“Irena me 5 mbiemra”/ Malltezi: I shërbejnë Edi Ramës dhe mbahen peng prej tij!

Akuza të rënda janë lëshuar në drejtim të gjyqtares Irena Gjoka, duke e cilësuar rastin …