Akuza të rënda janë lëshuar në drejtim të gjyqtares Irena Gjoka, duke e cilësuar rastin e saj si një “serial televiziv me emrin Irena në Botën e Çudirave”. Në një deklaratë për mediat Jamarbër Malltezi theksoi se ndaj gjyqtares ekzistojnë një sërë vendimesh dhe parregullsish ligjore të dokumentuara.
Sipas akuzave, Irena Gjoka ka një vendim penal të formës së prerë, dy vendime dëbimi, si dhe ka falsifikuar formularët e dekriminalizimit dhe të vetingut. Prokuroria kritikohet se është fokusuar vetëm te çështja penale, të cilën e ka mbyllur duke aplikuar një interpretim të ligjit grek, për të cilin pretendohet se nuk kishte kompetencë.
Detaji më tronditës i bërë publik është ai që lidhet me identitetin e gjyqtares. Pretendohet se ajo ka ndërruar mbiemrin pesë herë, duke përdorur tre mbiemra të ndryshëm në total, dhe se zotëron dy datëlindje të ndryshme. “Një person me pesë mbiemra dhe dy ditëlindje, në botën e zakonshme njihet vetëm nga ato çunat e Dubait,” u shpreh Malltezi.
Në deklaratë ai tha se gjykata i ka caktuar prokurorisë mbi 20 detyra të reja hetimore, çka shihet si dëshmi se hetimi fillestar ka qenë sipërfaqësor dhe se çështja ishte mbyllur në mënyrë të parakohshme. Akuzat shkojnë deri aty sa pohohet se i gjithë ky zinxhir parregullsish dhe falsifikimesh nuk është i rastësishëm, por i shërben kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas folësit, i mban këta individë “peng”.
Jamarbër Malltezi: Mirë se vini në serialin televiziv Irena në Botën e Çudirave. Këtu ndodhin kaq shumë çudira sa nuk ka. Irena Gjoka ka vendim penal të formës së prerë, ka vendim dëbimi, ka dy vendime dëbimi, ka një vendim dënimi, ka falsifikim të formularëve të dekriminalizimit, ka falsifikim të formularëve të vetingut. Dhe nga të gjitha këto, moria e falsifikimeve të Irena Gjokës, Prokuroria kishte kapur vetëm atë të çështjes penale dhe atë e kishte mbyllur duke i dhënë arsyetimin sipas variantit Dumani të ligjit grek, ndërkohë që s’e ka tagër fare.
Por, kemi parasysh që Irena Gjoka ka ndërruar mbiemrin pesë herë. Ka tre mbiemra por i ka ndërruar këto tre mbiemra pesë herë dhe ka dy ditëlindje. Një person me pesë mbiemra dhe me dy ditëlindje, në botën e zakonshme njihet vetëm nga ato çunat e Dubait zakonisht. Kjo është Irena Gjoka.
Po çudia tjetër është, ky person me pesë mbiemra dhe dy datëlindje, po ta shikoni te tabela këtu brenda gjykatës, nuk ishte emër. Emri, i cili duhet të ishte në gjykatë, nuk ka emër personi. Pse s’ka emër personi? Sepse prokurori lepe-peqe, është njëlloj si Dumani, i cili mbron falsifikimet e Dumanit, mbron falsifikimet e Irena Gjokës. Unë nuk jam jurist, por me atë që dëgjova, që gjykata i la mbi 20 detyra, tregon që Prokuroria kishte bërë sikur kishte hetuar dhe kishte mbyllur çështjen.
Avokat Genci e tregoi bukur. Ky e nisi çështjen pa emër fare. Pra pa emër ku zhvillohen hetimet. Po për ta mbyllur, e mbylli sikur ishte me emër, sikur po i mbyllej hetimet. Pra, falsifikimet janë në çdo hap. Çudirat janë në çdo hap në këtë serial Irena në Botën e Çudirave. Nuk ndodhin rastësisht, ndodhin sepse i shërbejnë Edi Ramës, mbahen peng nga Edi Rama.
Gazeta RD