Balliu: “Porta e Alpeve”, porta e re e vjedhjes! Veriu u braktis për 14 vite, tani përdoret për propagandë

Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, deputeti i PD, Klevis Balliu, akuzoi qeverinë për mungesë transparence lidhur me projektin “Porta e Alpeve” dhe kërkesën për një hua prej 100 milionë eurosh, ndërsa ngriti gjithashtu shqetësime për trajtimin e studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut.

Balliu deklaroi se qeveria, sipas tij, ka “shpopulluar veriun” për 14 vite me radhë dhe tashmë po përdor propagandën për të justifikuar marrjen e një tjetër borxhi publik. Ai kritikoi mungesën e informacionit konkret mbi investimet që do të realizohen në kuadër të projektit, duke theksuar se nuk janë bërë publike projektet, kostot apo destinacioni i fondeve.

Sipas deputetit demokrat, qeveria po kërkon fillimisht marrjen e borxhit dhe vetëm më pas vendosjen e mënyrës së shpenzimit të parave, gjë që ai e cilësoi si “recetë klasike të abuzimit me fondet publike”. Balliu tha se fondet rrezikojnë të përdoren për interesa personale dhe jo për zhvillimin e veriut të vendit.

Balliu: Përshëndetje të nderuar qytetarë. Qeveria që për 14 vite me radhë ka shpopulluar veriun, sot vjen me propagandën e radhës duke kërkuar edhe 100 milionë euro hua për atë që këta e quajnë si “Porta e Alpeve”. Por Alpet i gjejnë në Lezhë, e nuk i gjejnë në Tropojë, e nuk i gjejnë atje ku janë, por i gjejnë atje ku duan. Në pamje të parë, mund të duket se ky është një projekt pozitiv. Problemi qëndron tek fakti se qeveria refuzon të bëjë edhe transparencën më elementare mbi mënyrën se si do të përdoren këto para. Kur kërkojmë të dimë se cilat janë projektet konkrete, sa kushton secili investim dhe ku do të shkojnë fondet, qeveria nuk jep asnjë përgjigje.

Dhe e pamë sot këtu me ministrin që, pavarësisht pyetjeve të shumta të kolegëve, nuk thonte asnjë përgjigje. Pra, qeveria thotë, të marrim fillimisht borxhin dhe më pas të vendosim se ku do t’i shpenzojmë paratë. Kjo nuk është qeverisje. Kjo është receta klasike e abuzimit me fondet publike, sepse këta nuk kanë projekte për Shkodrën apo veriun në tërësi, këta kanë projekte vetëm për xhepat e tyre. T’i besosh kësaj qeverie qindra miliona euro pa asnjë plan të qartë, pa asnjë projekt, është njësoj si t’i hapësh derën hajdutit dhe të presësh që ai mos të vjedhë. Propaganda e pështirë se kjo qeveri paska hallin e veriut është absurde. Këta e kanë braktisur veriun, e kanë varfëruar dhe e kanë detyruar të largohet masivisht. Pas 14 vitesh në pushtet, çfarë kanë sjellë në veri?

Asgjë tjetër përveç varfërisë, dhimbjes dhe emigrimit. Porta e Alpeve rrezikon të jetë thjesht porta e re e vjedhjes. Sa herë kjo qeveri flet për projekte strategjike, qytetarët kanë çdo arsye të alarmohen, sepse historia ka treguar se pas propagandës fshihet skema e radhës e abuzimit. Dhe fatkeqësisht, kjo gjë ka ndodhur në mënyrë të përsëritur. Mjafton të kujtojmë farsën e 100 fshatrave, ku për propagandë u kërkuan qindra miliona euro investime dhe sot nuk ka mbetur asgjë. Dhe fatkeqësisht do të ndodhë ajo që ka ndodhur gjithmonë. Paratë do të zhduken, ndërsa qytetarët do të mbeten me borxhet për t’i shlyer, me taksat e tyre që do t’i rrisin në vijim përsëri e njëjta qeveri. Njësoj do të zhduken fondet që po i merren Bankës Evropiane për Investime, siç u zhdukën fondet e IPARD-it, për të gjithë ata që na flasin se janë fonde të rëndësishme.

Kjo qeveri nuk ka pyetur se nga vijnë fondet. Kjo qeveri ka dashur t’i vjedhë fondet. Se vijnë nga Evropa, se vijnë nga Amerika, se vijnë nga kudo, se vijnë nga taksat e xhepat e qytetarëve shqiptarë, me një projekt apo një tjetër, këta kanë talentin e jashtëzakonshëm për të shpikur skema vjedhje të pafundme. Por nuk gjejnë asnjë minutë kohë për t’u marrë me hallet e qytetarëve. Së dyti, më duhet të ndalem sot në një çështje që nuk ka lidhje me këtë diskutim.

Pak ditë më parë, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestuan në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar, pasi qeveria atje ka ndërmarrë hapa që cënojnë një realitet të sanksionuar qartë nga marrëveshja e Ohrit, se gjuha e folur nga mbi 20% e popullsisë është gjuhë zyrtare. Të rinj dhe të reja shqiptare, të prekur në dinjitetin e tyre kombëtar, dolën në protestë për të mbrojtur të drejtën elementare të gjuhës shqipe. Studentë nga Kosova dhe Shqipëria ju bashkuan vëllezërve dhe motrave të tyre në Shkup, por ajo që ndodhi më pas ishte e papranueshme për çdo standard demokratik. Policia ushtroi presion, ndaloi të rinjtë në mënyrë çnjerëzore, i keqtrajtoi dhe i kërcënoi.

Disa prej tyre u mbajtën me orë të tëra pa ujë, pa ushqim dhe pa u lejuar as të kryenin nevojat personale. Më e turpshmja në gjithë këtë histori është heshtja e qeverisë shqiptare. Ministria e Jashtme nuk pati asnjë reagim zyrtar në mbështetje të studentëve shqiptarë dhe asnjë qëndrim kundër akteve të dhunshme dhe represive të qeverisë së Maqedonisë. I vetmi reagim dinjitoz erdhi nga mbështetja e ambasadorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Atë që kanë emëruar vetë, dhe ka bërë shumë mirë, ka kryer detyrën.

Çfarë ndodhi? Papritmas në portalet e qeverisë del lajmi se ambasadori duhet shkarkuar. Për çfarë arsye? Qartazi nuk i ka pëlqyer mbështetja. Pse e ngrejmë këtë pikëpyetje? Sepse nuk ka asnjë reagim zyrtar tjetër nga Tirana, përveçse ambasadori duhet shkarkuar. Kjo qeveri me heshtjen dhe nënshtrimin e saj, e dëshmon se nuk është shkëputur kurrë nga mentaliteti i vjetër jugosllav që e përfaqëson dhe nga trashëgimia politike e origjinës së saj.

Dhe pse të habitemi në fund të ditës? Në kohën kur shqiptarët luftojnë për dinjitetin dhe identitetin kombëtar, të drejtat e tyre kombëtare, Edi Rama zgjedh të bëjë propagandë dhe t’i bëjë avokatinë Vuçiçit. Sikur të kishte mbrojtur shqiptarët me të njëjtin zell me të cilin ka mbrojtur Vuçiçin në kancelaritë evropiane lidhur me luftën në Ukrainë, ndoshta sot studentët shqiptarë nuk do t’i kishin këto probleme. Kjo qeveri nuk punon as për shqiptarët në Shqipëri, as për shqiptarët kudo që ata janë. Kjo është një qeveri që punon vetëm për interesat e saj, në kurriz të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Për të gjitha këto arsye, rasti më minimal do të ishte dorëheqja e Ministrit të Jashtëm, dhe patjetër, dorëheqja e Kryeministrit. Një qeveri e cila refuzon t’i shkojë në krah dhe në mbështetje të rinjve dhe të rejave, të cilat u bashkuan nga të gjitha trevat e shqiptarisë. Por këtu ka pllakosur heshtja.

Ngrej një pyetje: Po sikur të ishte cënuar Lubi Balluku, a do kishin heshtur këta? Absolutisht jo. Po të cënohet Lubi Balluku, i gjithë grupi parlamentar mblidhet që në orën tetë të mëngjesit me urdhër direkt të kryetarit të partisë për ta mbrojtur. Ndërkohë, për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që luftojnë për një gjë që na përket të gjithëve, pllakos heshtja.

Ky është një turp i kësaj qeverie dhe një turp që do t’i ndjeki. Ne duhet t’i mbështesim ata, dhe i ftoj që ata të vijnë këtu, të vijnë në parlament, të vijnë te kryesia e kuvendit, dhe këtu edhe studentët shqiptarë të ngrihen në protestë kundër një qeverie që i bashkohet atyre që dhunojnë studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Faleminderit.

About Redaksia

Check Also

Këlliçi: BSH po fsheh dokumentacionin për licencimin e JetBank, do të kërkojmë interpelanca urgjente

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, ka ngritur akuza të forta në Kuvend lidhur me procesin …