Këlliçi: BSH po fsheh dokumentacionin për licencimin e JetBank, do të kërkojmë interpelanca urgjente

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, ka ngritur akuza të forta në Kuvend lidhur me procesin e licencimit të bankës së parë digjitale në Shqipëri, JetBank, duke kërkuar transparencë nga Banka e Shqipërisë dhe institucionet financiare mbikëqyrëse.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Këlliçi deklaroi se prej janarit 2026 ka dërguar katër kërkesa zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë për të marrë informacion mbi procedurën e licencimit të bankës digjitale dhe mbi aksionerët e saj.

Sipas deputetit demokrat, kërkesat kanë përfshirë informacione mbi origjinën e kapitalit, eksperiencën dhe reputacionin e aksionerëve, aktivitetet e tyre financiare, si edhe lidhjet e mundshme me kompani Forex apo instrumente financiare derivative.

Këlliçi: I nderuar kryetar,

Të nderuar qytetarë që na ndiqni,

Që prej janarit të këtij viti, në mënyrë permanente kam kërkuar informacion nga Banka e Shqipërisë për procedurën e liçensimit të bankës së parë digjitale në vend.

Është bërë e udhës prej vitesh që sa herë një deputet i opozitës, kërkon informacion për zullumet dhe aferat e kësaj qeverie, apo kur flet për transparencë, menjëherë përballet me baltë, lukuni mediash të sponsorizuara dhe ZERO përgjigje.

Liçensimi i një banke nuk është debat opozitë qeveri, por duhet të jetë një proces tejet transparent, pasi në thelb ka të bëjë me qëndrueshmërinë e sistemit bankar dhe sidomos me sigurinë e kursimeve të qytetarëve tanë.

Të nderuar shqiptarë,

Në mënyrë të përmbledhur dua tju informojë se kam dërguar 4 kërkesa zyrtare pranë Bankës Qëndrore, konkretisht:

1- Nr.360 prot, datë 26.01.2026;

2- Nr.360/2 prot, datë 30.03.2026;

3- Nr.360/3 prot, datë 22.04.2026;

4- Nr.1932 prot, datë 04.05.2026;

Në këto shkresa kam kërkuar informacion për:

1- Aksioneret dhe eksperiencën e tyre (CV);

2- Burimin e kapitalit të depozituar, origjina e tij;

3- Nëse shtetasi Idan Avishai ka qenë i punësuar në kompani që ofrojnë shërbime forex apo jo;

4- Të dhënat financiare për 3 vitet e fundit të aksionerit Constador ltd.,

5- Të dhënat financiare të 7 viteve të fundit të shtetasit Idan Avishai,

6- A ka patur komunikim me AMF për shoqërinë Fortrade e cila ka ushtruar aktivitet të paliçensuar në Shqipëri,

7- Dokumentacionin e plotë të depozituar për dhënien e miratimit paraprak;

8- Datën e aplikimit dhe cili aksioner e ka bërë këtë aplikim;

9- Të dhëna për shtetasin Oliver Hemmer,

10- Marrëdhënien e Jet Holdings BV dhe Jet Tech të regjistruar në DURANA;

11- Sqarim për procesin e integrimit në BE dhe vlerësimi në MONEYVAL/ a do ndikojë ky liçensim;

12- Faturimin e kompanive të shtetasit Idan Avishai dhe a ka kapacitete ky shtetas për të financuar bankën 2 vitet e para;

13- Informacion për instrumentat financiar të zotëruar nga shtetasi Avishai të cilat janë shitur për të paguar kapitalin fillestar dhe ku janë shitur;

Banka Qëndrore ka sjellë 3 shkresa:

1- Nr.720/1 prot, datë 11.02.2026;

2- Nr.720/4 prot, datë 24.04.2026;

3- Nr.720/6 prot, datë 08.05.2026;

Në mënyrë të përmbledhur Banka e Shqipërisë në këto shkresa më informon se:

1- BSH nga dokumentacioni i paraqitur nga Jet Holdings BV krijoi bindjen se kjo e fundit i përmbush kriteret ligjore për tu liçensuar;

2- Emrat e aksionerëve të Jet Holdings, të cilët do të zotërojnë në mënyrë të tërthortë kapitalin e bankës,

3- Kapitali fillestar do të depozitohet nga shtetasi Idan Avishai,

4- E gjithë analiza lidhur me reputacionin financiar dhe personal, të dhënat e çertifikuara financiare dhe për burimin e kapitalit është kryer për aksionerin fundor kontrollues, shtetasin Idan Avishai,

5- Në shkresën e dytë BSH shprehet se për të ndjekur linjën e kontributit në kapital, ka disponuar dhe analizuar pasqyrat financiare të çertifikuara të 3 viteve të fundit të shoqërisë nga e cila shtetasi Avishai ka gjeneruar të ardhurat,

6- Fondet vijnë nga shitja e instrumenteve financiare në Zvicër, Austri dhe Gjermani,

7- Nuk rezulton se jane ose të kenë qenë të punësuar në kompani me aktivitet të lidhur me platformat Forex, shtetasit Idan Avishai dhe Saniel Sanilevich,

8- Louis Grant Silver rezulton të jetë i punësuar si administrator në Jet Holdings,

9- Nuk ka rezultuar asnjë informacion nga institucionet ligjzbatuese për aksionerët e tërthortë,

10- Gjithashtu gjate procesit të vlerësimit nuk ka rezultuar qe z. Silver të jetë përfshirë në ndonjë aktivitet në mospërputhje me bazën ligjore në juridiksionin ku operon,

11- Bazuar në Nenin 91, pika 1 dhe 2 të ligjit “Për bankat” dhe Nenit 58 të ligjit “Për bankat”, BSH ka detyrimin për ruajtjen e sekretit profesional për çdo informacion që merr nga “bankat” gjatë ushtrimit të funksioneve të saj, prandaj ka refuzuar të vërë në dispozicion dokumentacionin e plotë të kërkuar.

12- Aplikimi për liçensë është bërë në datën 29.12.2025, vetëm 26 ditë pasi është marë miratimi paraprak edhe pse ligji jep kohë për 12 muaj. Pyetja që lind është se ku e dinin këta që do e merrnin miratimin paraprak që kishin bërë gati një dosje të tërë???

13- Shtetasi Oliver Hemmer ka qenë drejtori ekzekutiv i Jet Holdings BV dhe Banka Qëndrore nga burime të hapura kishte konstatuar dhe vetë atë që unë kam shprehur në këtë sallë. Pas këtyre konstatimeve Banka Qëndrore ka kërkuar sqarime nga Jet Holdins dhe ata kanë depozituar dorëheqjen e këtij shtetasi duke e zëvendësuar me shtetasin Louis Grant Silver.

Pra të nderuar qytetarë,

Banka Qëndrore në abuzim me dispozitat ligjore në fuqi, refuzon ti vërë në dispozicion dokumentacion e plotë një Ligjvënësi të Republikës së Shqipërisë, ndërkohë që në vend është liçensuar një bankë digjitale, e para jo vetëm në Shqipëri por në tërë rajonin tonë, vetëm duke analizuar të dhënat e një individi.

Sipas përcaktimeve ligjore në Ligjin “Për bankat në RSH” në Nenin 19, Pika C, përcaktohet qartë se:

Neni 19

Miratimi pararak i licencës ose refuzimi i saj

  1. Banka e Shqipërisë jep miratimin paraprak për licencë vetëm kur krijon bindjen se:
  2. c) kualifikimet, përvoja e reputacioni i administratorëve të bankës dhe i degës së bankës së huaj, si dhe i aksionerëve me pjesëmarrje influencuese janë të përshtatshme për realizimin e planit të biznesit, në bazë të të cilit ato licencohen;

Pra jo vetëm administratorët e bankës siç po mashtrohet rëndom deri më tani nga mediat e paguara apo vetë Banka Qëndrore, por edhe aksioneri influencues, duhet të ketë kualifikimet dhe përvojën për realizimin e planit të biznesit.

Të nderuar shqiptarë,

Në këtë debat nuk po flasim për përvojën e nevojitur për hapjen e një dyqani rrobash apo kioske paketash duhani (megjithë respektin maksimal për këto biznese), por po flasim për përvojën në drejtimin e një BANKE.

Sot që flasim, paratë e shqiptarëve janë në duart e një individi për të cilin dihet vetëm se ka qenë drejtor marketingu në një kompani Gaming (thënë shqip bixhozi), e cila nga të dhënat paraprake është mbyllur nga autoritetet Izraelite për shkelje të ligjit, e më pas ky shtetas është marre me kompani Forex-i, ose portofole instrumentash financiare CFD, të cilat për tua bërë të qartë, janë instrumente financiare derivative që u lejojnë tregtarëve të spekulojnë mbi lëvizjet e çmimeve të aktiveve të ndryshme.

Pra sot, pronari i bankës së parë digjitale në Shqipëri, pa sportele fizike, e me ofruesin e shërbimeve të regjistruar në DURANA Tech Park, është një individ që paratë i bën si spekulant. Të paktën këto informacione jepen në disa platforma dhe prandaj i kam kërkuar Bankës Qëndrore të bëjë transparencën e duhur.

Ndaj për këtë arsye, nga dita e hënë, një grup deputetesh të opozitës do i derjtohen me disa kërkesa për informacion jo vetëm Bankës Qëndrore, por edhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe AMF-së.

Ne vijim do të kërkojmë dhe interpelanca urgjente me drejtuesit e këtyre institucioneve, sepse kjo nuk është një betejë politike siç shprehen institucionet lart e poshtë, as çështje pazari siç duan ta shesin llumë-mediat, apo të paguarit online, apo siç mund të shprehehen informalisht drejtuesit e kësaj banke.

Ky është detyrim moral dhe ligjor i çdo deputeti të mandatuar nga shqiptarët, për ti shërbyer votuesve prej të cilëve ka marrë votëbesimin, duke mos lejuar abuzimin me kursimet apo të ardhmen e tyre.

Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Revolta e Spaçit, si u pushkatuan 4 të burgosur

Nga Bedri BLLOSHMI Revolta e Spaçit nisi në datën 21 maj 1973 dhe zgjati tre …