Nga Bedri BLLOSHMI
Revolta e Spaçit nisi në datën 21 maj 1973 dhe zgjati tre ditë dhe konsiderohet si një nga ngjarjet më të rënda në diktaturë. Revolta e Spaçit ishte mirëfilli politike dhe do të thyente për herë të parë hekurat pas vitit ’45, por që pati një fund tragjik me katër të ekzekutuar, të cilëve u mungon varri dhe deri tani s’është gjetur asnjë gjurmë.
Kush ishin 4 të dënuarit me vdekje në revoltën e Spaçit
Kush ishin këta djem, nga ç’rrethe ishin? Çfarë biografije kishin? Përse ishin dënuar për herë të parë dhe nga sa vjet? Pse sigurimi përzgjodhi këta të katër për të vrarë me një “gjykim” rrufe?
Po fytyrat e këtyre të rinjvesi janë me siguri që lexuesi dhe kushdo tjetër, do ta marrë vesh se dikush e ka zbardhur dhe kujtuar këtë tragjedi që ndodhi në kohën e diktarurës në Spaç. Unë, një i burgosur i Spaçit, i Qafë-Barit dhe së fundmi i burgut të Burrelit, i liruar më 29 mars 1991, mbasi përfundova librin “Revolta e Qaf- Barit dhe terrori komunist 1943-1990”, kurrsesi nuk mund të lija pa zbardhur revoltën e parë antikomuniste në vitin 1973, ku u ngrit flamuri pa yllin komunist dhe u derdh gjak i pafajshëm.
Më poshtë do të gjeni biografinë e gjithsecilit nga katër të vrarët me nga një fotografi të vogël në të majtë dhe në krye të secilit të pushkatuar dhe se nga ç’rreth i Shqipërisë ishin. Por më e rëndësishmja është se këta 4 heronj akoma nuk dihen se ku janë groposur. Këta trima edhe tani pas 24 vjetësh janë pa varr. Akoma familjarët e këtyre trimave enden kodër më kodër e përrua më përrua, duke qarë e ulërirë dhe betohen me fytyrë nga qielli se nuk do ndalen së kërkuari e ju lutur zotit deri sa t’i gjejnë e t’i vendosin ashtu siç u ka hije trimave në varret e mbuluara me lot dhe lule.
Edhe një herë ju lutemi tregoni vendgroposjen ku dergjen kockat e tyre. Ne e dimë shumë mirë se jeni të garantuar nga çdo lloj sundimi në Shqipëri mbas 1990. Tregoni mos na lini në ankth e pritje pa fund.
DERVISH BEJKO

Dervish Bejko ka lindur në vitin 1946 në fshatin Starovë të rrethit Pogradec. Dervish Bejko ka lindur nga prindërit Enver dhe Ikbale Bejko. Shkollën fillore e ka mbaruar në fshatin e lindjes. Ka patur profesionin e muratorit. Dervish Bejko ka qenë i martuar dhe ka lënë një fëmijë. Nga mesi i vitit 1971 Dervishi arrestohet me akuzën tentativë për arratisje dhe dënohet me dymbëdhjetë vjet heqje lirie. Dënimin, Dervish Bejko po e vuante në kampin e Spaçit. Me shpërthimin e revoltës, më 21 – 23 maj edhe Dervishi nuk qe më pak aktiv se të tjerët. U arrestua me njëmbëdhjetë të dënuarit e tjerë që bënin pjesë në grupin e parë, ndaj u radhit edhe ky me tre të tjerët për t’u dënuar më pas me vdekje, pushkatim. Këta të katër të grupit të parë, ndër të dymbëdhjetë të arrestuarit e parë që janë cilësuar si më kryesorët, më të papërkulshmit, më qëndrestarët, u vunë para togës së pushkatimit dhe u ekzekutuan. Vend – groposja e tyre akoma dhe sot pas njëzet e tre vitesh të përmbysjes së sistemit gjakatar nuk dihet. Askush nuk flet nga ata që dinë për natën e 24 majit.
Ka gati njëzet vjet e më shumë, që familjarët enden përrua më përrua e arë më arë në shkretëtirën e Rrëshenit. Asnjë shenjë nuk është dalluar se ku flenë kockat e katër heronjve të revoltës së Spaçit, ndodhur më 21 – 23 maj 1973. Madje familjarët e Dervishit (sipas një informacioni) kanë gërmuar gati një muaj rresht në rrugën Tiranë – Elabasan, në kthesën e dytë sapo fillon Qafë – Kërraba, u zhvendosën dhjetëra e qindra metra kub dhe, në një sipërfaqe mbi 4 dylym por asnjë shenjë nuk u zbulua. Z Agim Bejko (vëllai i Dervishit) i cili banon jashtë shtetit vjen çdo vit në Shqipëri dhe vazhdon të mbledhë informacione. Disa herë ka shkuar bashkë me mua (Bedrinë) në morgun e Tiranës kemi takuar doktorin për të marrë informacion. Dy herë kemi udhëtuar drejt Rrëshenit kemi takuar personat pjesëmarrës. Na kanë informuar treguar gjithë ngjarjen nga dega e punëve të brendëshme e Rrëshenit drejt rrugës Kaçinarit pranë pyllit të Gëziqit. Të gjitha informacionet që kemi marrë për 4 të ekzekutuarit të sjellin në Tiranë.
SKËNDER DAJA

Skënder Daja lindi në Tiranë në vitin 1950 nga prindërit Qemal dhe Sofije. Skënder Daja më pas ka banuar në qytetin e Fierit ku ka punuar si marangoz. Ka kryer arsimin 8 – vjeçar. Skënder Daja arrestohet më 24 dhjetor të vitit 1970 dhe dënohet me dhjetë vjet heqje lirie, dënim të cilin po e vuante në kampin e Spaçit. Skënder Daja në revoltën e kampit të Spaçit, më 21 – 23 maj 1973 ishte një nga të dënuarit kryesorë dhe më aktivët gjatë tre ditëve të revoltës. Mbas tre ditësh, më 23 maj 1973, ditë kur u shua revolta nga forcat e sigurimit të shtetit, Skënder Daja u arrestua bashkë me njëmbëdhjetë të dënuarit e tjerë, të cilët u konsideruan më kryesorët. Skënder Daja u dënua me vdekje, pushkatim nga Kolegji i Gjykatës së Lartë bashkë me Pal Zefin, Dervish Bejkon, Hajri Pashain. Faljen e jetës për të katër të dënuarit me vdekje e refuzoi dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor. Skënder Daja u pushkatua bashkë me shokët e tij më 24 maj 1973. Akoma dhe sot trupi i Skënder Dajës nuk dihet ku është groposur nga vrasësit e sigurimit bashkë me Palin, Dervishin dhe Hajriun. Familjarët e miqtë nuk i kanë rreshtur asnjëherë kërkimet për gjëtjen e eshtrave.
HAJRI PASHAJ

Hajri Pashaj ka lindur në Hekal të rrethit të Fierit, nga prindërit Zenel dhe Selime Pashaj. Hajriu ka patur vëllezër dhe motra. Hajriu ka banuar në qytetin e Elbasanit, ka punuar si hekurkthyes, ka qenë i pamartuar. Në vitin 1965 arrestohet dhe dënohet me 13 vjet heqje lirie për tentativë arratisje. Më pas ai dënohet dhe e dërgojnë për të vuajtur dënimin në burgun e Spaçit. Me rastin e shpërthimit të revoltës më 21 maj 1973, arrestohet me grupin e parë prej dymbëdhjetë vetësh dhe dënohet me vdekje, pushkatim.
Hajri Pashaj edhe tani pas dyzet vjetësh nga pushkatimi është pa varr, ashtu si dhe tre shokët e tij të pushkatuar e groposur kushedi se ku nga sigurimi famëkeq i diktaturës gjakatare. Dhe informacioni se ata janë sjellë në Tiranë të pushkatuar dhe janë dorëzuar në morgun e spitalit, nuk është i vërtetë. Pse e them këtë? Unë jam interesuar në morgun e spitalit në Tiranë dhe rezulton që në vitin 1973, apo dhe më pas nuk gjendet asnjë lloj shënimi në morg se kanë sjellë të vrarë dhe me këta katër Emra.
PAL ZEFI

Pal Zefi ka lindur në vitin 1940 në qytetin e Durrësit, nga pindërit Gjergj dhe Dile Zefi. Pal Zefi kishte mbaruar në fshatin Rrushkull shkollën fillore. Më pas vazhdon për infermier. Pal Zefi ka qenë i pamartuar. Në vitin 1971 arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Pal Zefi vuante dënimin në burgun e Spaçit. Në datën 21 – 23 maj, sa zgjati revolta, Pal Zefi ka qenë ndër më aktivët ndër të dënuarit e tjerë. Arrestohet bashkë me njëmbëdhjetë të dënuarit e tjerë dhe dënohet me vdekje, pushkatim bashkë me Dervish Bejkon, Hajri Pashain, Skënder Dajën. Sipas dokumentave arkivore të katër të dënuarit janë pushkatuar po me datë 24 maj 1973. Qysh atëherë e deri tani kanë kaluar dyzet vjet që janë ekzekutuar.
Mbas vitit 1990 e deri tani po mbushen njëzetetre vjet që familjarët e tyre janë në kërkim të vazhdueshëm për gjetjen e eshtrave të tyre, se ku i ka groposur dora gjakatare e asaj bande diktatoriale. Ata të katër, ata heronj, janë pa varr dhe deri më sot nuk janë nderuar me ndonjë ceremoni përkujtimore apo një tufë lule për t’i vendosur në shenjë kujtimi, sepse s’kanë ku të vendosen.
Po. Ne po presim që të na telefononi. Të gjithë njerëzit kanë zemër, të gjitha zemrat janë prej mishi. Nuk besoj asnjëherë në mbarë njerëzimin ndokush të ketë gurë në vend të zemrës. Gjithësesi ne po presim, po e them sinqerisht unë e kam provuar këtë plagë të pashërueshme. Nga familjarët apo të afërmit e Dervish Bejkos, Skënder Dajës, Hajri Pashajt dhe Pal Zefit do merrni falenderimet e zemrës se do ju jenë mirënjohës përjetësisht se ju kemi hequr një brengë që kurr dheri nuk do t’i tretë kur të shkojnë në botën e përtejme. Na tregoni hartën e vdekjes. Çlirohuni nga ky makth që e ruani dhe e keni parë mos e merrni me vehte. Zbulojeni enigmën e 24 majit 1973. Askush nuk do të ketë punë me cilin do që te na japë informacion se ku ndodhen. Këtë jua siguroj unë që po kërkoj që të gjenden e mos mbeten përrenjëve e varrhumbur. Kjo është e pa falshme. hajde merrni guximin dhe flisni, tregoni.
V E N D I M
N’EMER TE POPULLIT
KESHILLI GJYQESOR I KOLEGJIT PENAL I PERBERE PREJ:
HILMI TELEGRAFI ANTAR I GJYKATES SE LARTE
YMER ALIKO ND. GJYQETAR I GJYKATES LARTE
MIT’HAT GOSKOVA ND. GJYQETAR “ “
Me asistimin e sekretarit Ylli Mahmudaj dhe me pjesmarrjen e prokurorit para Gjykates Larte Zaim Miftari me daten 23/V/1973 ne qendren e Minieres “Spaç” shqyrtoi ne seance gjyqesore me dyer te hapura çeshtjen penale qe u perket te pandehurve:
- Skender Daja, i biri i Qemalit dhe i Sofijes, i date lindjes 1950, lindur ne Tirane dhe banues ne Fier, me origjine fshatar i varfer dhe profesion marangos, i pa martuar, me arsim 7 vjeçar i denuar me pare me 10 vjet heqje lirije, ne baze te neneve 64-10-12 te K.P., denim te cilin po e vuan prej dates 24.XII.1970.
- Dervish Bejko, i biri i Enverit dhe i Ikbales, i date lindjes 1946, lindur dhe banues ne Starove te Pogradecit, me origjine fshatar i mesem dhe me profesion murator i pa martuar, me arsim 6 klase fillore, i denuar me pare me 12 vjet heqje lirije ne baze te neneve 64- 10 dhe 177 te K.P., denim te cilin po e vuan prej dates 19.VIII-1971;
- Hajri Pashaj, i biri Zenelit dhe i Selimese i date lindjes 1944, lindur ne Hekal te Fierit dhe banues ne Elbasan, me origjine fshatar i mesem, me profesion hekurthyes, i pamartuar, me arsim …………., i denuar me pare me 13 vjet heqje lirije ne baze te neneve 64-10 te K.P., denim te cilin po e vuan prej dates 17.IV.1965;
- Lush (Paulin) Vata, i biri i Preles dhe Ages, i date lindjes 1933 , lindur dhe banues ne Oblik te Shkodres, me origjine shoqerore fshatar i mesem, me profesionin mekanik, i pa martuar, me arsim 7 vjeçar, i denuar me pare me 20 vjet heqje lirije ne baze te nenit 64 te K.P., denim te cilin po e vuan prej dates 11/VII/1968;
- Hodo Sokoli, i biri i Isufit dhe Aishes, i datelindjes 1930, lindur dhe banues ne Shkoder, me origjine nepunes i mesem dhe profesion arsimtar, i martuar, me arsim te mesem, i denuar me pare me 16 vjet 333
heqje lirije ne baze te neneve 64-10-14, 73/I dhe 218 te K.P., denim te cilin po e vuan prej dates 4.VI.1966;
- Syrja Lame, i biri i Estrefit dhe Ifetes, i datelindjes 1935, lindur dhe banues ne Rembec te Korçes, me origjine fshatar i pasur, me profesion murator, i pa martuar, me arsim 7 vjeçar, i denuar me pare me 13 vjet heqje lirije ne baze te neneve 64-10 te K.P., denim te cilin po e vuan prej dates 2/XII/1969;
- Dashnor Kazazi, i biri i Estrefit dhe Suzanes, i date-lindjes 1951, lindur dhe banues ne Tirane, me origjine punetor, me profesion tornitor, i pa martuar, me arsim 7 vjeçar, i denuar me pare me 8 vjet heqje lirije ne baze te neneve 64-10 dhe 305/I te K.P., denim te cilin po e vuan prej dates 7.XI.1970;
- Pal Zefi, i biri i Gjergjit dhe i Diles, i date-lindjes 1940, lindur dhe banues ne Rrushkull te Durresit, me origjine fshatar i varfer, me profesion infermjer, i pa martuar, me arsim te mesem, i denuar me pare me 10 vjet heqje lirije ne baze te neneve 73/I dhe 12 te K.P., denim te cilin po e vuan prej dates 18.VIII.1971;
- Jorgo Papa, i biri i Spiros dhe i Garufos, i date-lindjes 1941, lindur dhe banues ne Tremul te Sarandes, me origjine fshatar i mesem, me profesion bujk, i pamartuar, me arsim 7 vjeçar, i denuar me pare me 15 vjet heqje lirije ne baze te neneve 64-10 te K.P., denim te cilin e vuan prej dates 18.X.1962;
- Luan Burimi, i biri Qemalit dhe i Sanijes, i date-lindjes 1937, lindur ne Psar te Zi te Kolonjes dhe banues ne Nderninas te Fierit, me origjine fshatar i mesem, me profesion elektricist, i martuar me 2 femije, me arsim 7 vjeçar, i denuar me pare me 12 vjet heqje lirije ne baze te neneve 73/I dhe 235 te K.P., denim te cilin e vuan prej dates 2/XII/1968.
- Luan Koka, i biri Habibit dhe i Rabijes, i date-lindjes 1935, lindur dhe banues ne Vlore, me origjine tregetar i mesem, me profesion karpentier-murator, i pa martuar, me arsim 2 klase te mesme, i denuar me pare me 25 vjet heqje lirije ne baze te neneve 64-10 te K.P., denim te cilin e vuan prej dates 3/X/1960.
- Sami Danglliu, i biri Selimit dhe i Ferides, i date-lindjes 1920, lindur ne Menkulas te Korçes dhe banues ne Plug te Lushnjes, me 334;
V Ё R E N
Të gjithë të pandehurit e lartpërmëndur, duke qënë armiq të popullit dhe të Republikës Popullore të Shqipërisë, kanë organizuar në kampin ku vuanin dënimet për krime kundra Shtetit të kryera më parë, një revoltë të hapur me qëllim për të minuar Pushtetit e Popullit. Nëpërmjet një veprimtarie të organizuar kriminale të pandehurit mundën të tërhiqnin mbas vehtes të dënuarit e tjerë dhe iu kundërvunë personelit drejtues të kampit, duke përdorur dhe dhunën e hapët. Qëllimi i të pandehurvet, sikurse rezultoi gjatë zhvillimit të hetimit dhe gjykimit, ishte, nga njëra anë krijimi i çrregullimeve në kamp, paralizimi me dhunë i veprimtarisë të udhëheqjes së kampit dhe përfundimisht zgjerimi i kësaj veprimtarie edhe jashtë kampit dhe, nga ana tjetër, paralizimi i punës në minierë, minimi i planit ekonomik të Shtetit.
Sikurse rezultoi e provuar me inisiativën dhe nën udhëheqjen e të pandehurvet të lartpërmendur, me veprimtarinë e tyre praktike në datat 21 – 23 maj 1973 u bë brenda kampit organizimi i të dënuarve, u caktuan elementat drejtues të revoltës, u përcaktuan obiektivat e veprimtarisë armiqësore që përfundimisht synonin në rrëzimin e pushtetit popullor, u shkatërruan objektet e propagandës dhe pasuri tjetër e Shtetit, u vendosën parulla të shkrojtura me përmbajtje të hapët armiqësor, u përdor kundërshtimi dhe shtrëngimi me anën e dhunës në drejtim të personelit të shërbimit të kampit duke u çfrytëzuar me këtë rast dhe një seri mjetesh të pregatitura qysh më parë si xxxx copa hekuri, drunj e të tjera, u paralizua për tre ditë rrjesht prodhimi në minierë, duke i shkaktuar një dëm të rëndësishëm shtetit dhe u bënë tentativa për një zgjerim të veprimtarisë armiqësore jashtë kampit, krime këto të gjitha të parashikuara prej nenit 76 në kombinim me nenin 72 të K.P.
Gjithashtu gjatë zhvillimit të hetimeve dhe gjykimit rezultoi e provuar se që të gjithë të pandehurit me qëllim për të arritur objektivat e tyre armiqësore kanë zhvilluar në mënyrë të hapët veprimtari agjitacioni e propagande me gojë dhe me shkrim, duke hedhur parulla me përmbajtje armiqësore kundër pushtetit popullor 336
kundër Partisë së Punës së Shqipërisë dhe kundër rrendit socialist krim ky që parashikohet prej nenit 73 paragrafi i II-të i K.P.
Të pandehurit Dervish Bejko, Skënder Daja, Dashnor Kazazi dhe Jorgo Papa në vazhdim të veprimtarisë së tyre armiqësore, edhe mbasi u shtyp revolta duke qenë të paisur me mjete të tilla siç janë copa hekuri të pregaditura qysh më parë etj. u vërsulën mbi forcat e rendit me qëllim dëmtimi fizik të tyre, krim ky i parashikuar prej nenit 67 – 10 të K.P.
Gjatë gjykimit të çështjes dolli se të gjithë pandehurit paraqesin rrezikshmëri të madhe shoqërore, por rrezikshmërinë më të theksuar e paraqesin të pandehurit Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Pal Zefi. Këta të pandehur, jo vetëm kanë lozur rolin e nxitësit ose të organizatorit, por edhe vetë këta gjatë tre ditëvet 21, 22, 23 maj 1973 janë treguar më aktivët për të realizuar në praktikë veprimtarinë e këtij grupi armiqësor. Në këto kondita, të katër të pandehurit e përmëndur më lart, janë elementë të pakorigjueshëm dhe justifikohet zbatimi i llojit të dënimit më të rëndë.
Përsa u përket tetë të pandehurve të tjerë, këshilli gjyqësor për shkak të veprimtarisë së tyre armiqësore si dhe rrezikshmërisë personale të tyre, e gjen me vënd të sabotojë maksimumin e dënimit me heqje të lirisë që parashikon ligja.
Fajësia e të gjithë të pandehurve u vërtetua pjesërisht me vetë thëniet e tyre që kanë bërë para hetuesisë e para gjyqit, me atribuimet që këta i bënë njëri tjetrit, me thëniet e dëshmitarëve Fejzi Liço, Uan Ziu, Ndue Ndoja, Gjet Çupi, Miltjadh Papaj, Beqo Mahmutaj, Ilia Dhimo, Kolec Marku si dhe në relacionin e komandës së repartit 303 Spaç.
Këta dëshmitarë vunë në dukje para kësaj Gjykate se të gjithë të pandehurit kanë kryer veprimtarinë armiqësore sikundër janë akuzuar. Thëniet e këtyre dëshmitarëve janë të besueshme, mbasi këta kanë qenë të pranishëm në vendin ku është zhvilluar ngjarja.337
PËR KËTO ARЁSYE
Këshilli gjyqësor i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, në bazë të neneve 278 dhe 279 të K.Pr.Penale:
V E N D O S I
Deklaron fajtorë të pandehurit Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj, Pal Zefi, Dashnor Kazazi, Luan Burimi, Syrja Lame, Sami Dangëlliu, Lush (Paulin) Vata, Jorgo Papa, Hodo Sokoli e Luan Noka për pjesmarrje në një organizatë kundër pushtetit popullor, me qëllim për të kryer krimin e sabotimit ekonomik dhe në bazë të neneve 76, 72 e 28 të K.P. i dënon:
- Skënder Dajën, me vdekje pushkatim, me konfiskimin e pasurisë së pjesës së tija dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Dervish Bejko, me vdekje pushkatim, me konfiskimin e pasurisë së pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elekitorale për 5 vjet kohë.
- Hajri Pashaj, me vdekje pushkatim, me konfiskimin e pasurisë të pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Pal Zefi, me vdekje pushkatim, me konfiskimin e pasurisë të pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Dashnor Kazazin, 6. Luan Burimin, 7. Syrja Lamen, 8. Sami Dangllinë, 9. Lush (Paulin) Vata, 10. Jorgo Papën, 11. Hodo Sokolin dhe 12. Luan Kokën, me nga 25 (njëzetepesë) vjet heqje të lirisë me konfiskimin e pasurisë së pjesës së tyre dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Të deklarojë fajtorë të gjithë të pandehurit për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor që ka sjellë pasoja veçanërisht të rënda dhe në bazë të nenit 73/II të K.Penal i dënon:
Skënder Dajën, Dervish Bejko, Hajri Pashai, Pal Zefi, Dashnor Kazazi, Luan Burimi, Syrja Lame, Sami Dangëlliu, Lush (Paulin) Vatën, Jorgo Papën, Hodo Sokolin dhe Luan Kokën me nga 25 338
vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë të pjesës së tyre dhe me humbjen e së drejtës elektoralle për 5 vjet kohë.
Të deklarojë fajtorë të pandehurit Skënder Daja, Dervish Bejko, Dashnor Kazazin dhe Jorgo Papën, për krimin e terrorit dhe në bazë të nenit 67 – 10 të K.P. i dënon:
Skënder Dajën me vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë të pjesës së tija dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Dervish Bejkon, me vdekje pushkatim, me konfiskimin e pasurisë të pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Dashnor Kazazin dhe Jorgo Papën me nga 25 (njëzetepesë) vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë të pjesës së tyre dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Në bazë të nenit 48 të K.P. për të gjithë të pandehurit, për bashkim krimesh, i dënon:
- Skënder Dajën, me vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë të pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Dervish Bejko, me vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë të pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Hajri Pashaj, me vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë të pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Pal Zefi, me vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë së pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjetë kohë.
- Dashnor Kazazin, 6. Luan Burimin, 7. Syrja Lamen, 8. Sami Dangllinë, (Paulin) Lush Vata, 10. Jorgo Papën, 11. Hodo Sokolin, 12. Luan Kokën me nga 25 (njëzetepesë) vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë së pjesës së tyre dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Përfundimisht, në bazë të nenit 49 të K.P. për bashkim dënimesh, i dënon:
- Skënder Dajën, me vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë të pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Dervish Bejkon, me vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë së pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Hajri Pashain, me vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë të pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.339
- Pal Zefi, me vdekje pushkatim, konfiskimin e pasurisë të pjesës së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Dashnor Kazazi, Luan Burimi, Syrja Lame, Sami Dangllinë Lush (Paulin) Vatën, Jorgo Papën, Hodo Sokolin dhe Luan Kokën, me nga 25 (njëzetepesë) vjet të heqje të lirisë dhe konfiskimin e pasurisë të pjesës tyre dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Për të pandehurit e dënuar me heqje të lirisë, vuajtja e dënimit fillon nga data 24 maj 1973.
Ky vendim është i formës së prerë.
Vendimi nuk mund të vihet në ekzekutim për të pandehurit Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Pal Zefi, deri sa të kthehet përgjigja nga Presidiumi i Kuvëndit Popullor për faljen e jetës.
U shpall në Spaç, sot më datën 24.5.1973
Nd. Gjyqtari Nd. Gjyqtari K r y e t a r i
/Ymer Aliko/ /Mitat Goskova/ /Hilmi Telegrafi/
Gazeta RD