Një telefonatë nga Milano

Nga Agim XHAFKA

Qe rastësi që ndërsa në tv fliste ministra jonë e shëndetësisë mua më mori në cel Vera, kushërira ime që jeton në Milano.

-Isha një muaj në spital,-më tha.

-Po pse moj? -u shqetësova.

-Për reabilitim.

-Për reabilitim! -u çudita.

-Po. A u sëmura parvjet, a u operova?

-Po.

-Qysh atëherë më kanë futur në sistem dhe çdo vit një muaj rresht shkoj në spital. Për fizioterapi, për ushtrime në palestra, për not në pishinë…

Ndërkohë në tv kishte ikur ministrja. Fliste deputeti i Lushnjës.

-Për synetllëqe e kemi spitalin. Për një eco që nuk mundi ta bëjë një djalë i ri humbi jetën. Mungojnë ilaçet, mungojnë mjekët…

Në vesh më erdhi fjalia e fundit e kushërirës.

-Sot dola nga spitali. Falas çdo gjë. Dhe në largim mjeku më tha, Vera, mirë u takofshim vitin tjetër.

Nuk dija të gëzohesha për kushërirën, apo të trishtohesha për veten. Për gjithë shqiptarët dmth.

About Redaksia

Check Also

Revolta e Spaçit, si u pushkatuan 4 të burgosur

Nga Bedri BLLOSHMI Revolta e Spaçit nisi në datën 21 maj 1973 dhe zgjati tre …