Nikola Kedhi, këshilltar i grupit parlamentar të PD, gjatë fjalës së tij u shpreh se Partia Demokratike po përgatitet për një rikthim të fuqishëm politik.
Ai theksoi se opozita ka vizion, ide dhe alternativën e duhur për të udhëhequr vendin, duke sfiduar propagandën e qeverisë dhe rrezikun e të shpërfillurit të rolit të saj historik.
Manifesti i Andi Mustafajt në librin e tij, u përmend si një instrument kyç për të forcuar këtë strategji.
Kedhi: Unë kam pak emocione, me thënë të drejtën, sepse Andi nuk është vetëm një bashkëpunëtar, por edhe një mik, dhe na bën të gjithëve krenarë. Kam përshtypjen se jemi të gjithë dakord për këtë gjë me manifestin që ka shkruar. Unë, pa u zgjatur shumë, doja ta vija theksin tek një element shumë i rëndësishëm në librin e Andit: tek idetë.
E djathta, jam i bindur, ka idetë e duhura për të çuar të gjithë kombet drejt prosperitetit. Kjo është provuar gjithmonë, kam përshtypjen unë, në të gjithë historinë e njerëzimit. Të gjithë kombet kanë prosperuar nga politikat e djathta dhe nga fitorja e betejës së ideve. E djathta fiton gjithmonë betejën e ideve, kurdo dhe kudo që kjo betejë zhvillohet. Ndaj përpiqen shumë ta largojnë të djathtën nga kjo fushë beteje, që e djathta fiton.
Kjo ka ndodhur në Shqipëri: gjatë 45 viteve të komunizmit, dhe ndodh edhe në këtë dekadë të diktaturës autokratike që është ngritur këtu. Është shumë e rëndësishme, mendoj unë, për ne që të rikthehemi në këtë fushë beteje, që ne e fitojmë. Partia Demokratike ka idetë e duhura, ka vizionin, ka alternativën.
Sërish, propaganda përpiqet ta fshehë këtë, duke thënë se PD-ja është pa vizion, se PD-ja nuk ka alternativë, se PD-ja nuk ka njerëzit. Dhe nuk mund të ishin më gabim se kaq. Kjo është shumë larg të vërtetës. Kjo që thonë të gjithë mediat, të gjithë opinionistët, banalistët e tjerë me radhë, është e gabuar.
Partia Demokratike provon gjithmonë, në çdo mundësi që i jepet, se ka njerëzit e duhur, ka vizionin e duhur, ka alternativën e duhur për t’i siguruar këtij vendi që ditët e tij më të mira janë ende përpara. Këtë e provon Andi me këtë manifest politik. Ndaj, shumë urime dhe faleminderit që na i riktheve edhe njëherë në kujtesë këtu ku ne jemi më të zotët: në fushën e betejës së ideve, dhe jam i bindur se do t’i bëjmë realitet shumë shpejt në pushtet.
Gazeta RD