Tafaj: Brezi i ri i PD mburoja kundër përpjekjeve për të dobësuar opozitën!

Ish-ministri i Arsimit, Myqyrem Tafaj, ka marrë pjesë në promovimin e manifestit politik të Andi Mustafaj, “Lule Borë”.
Ai u shpreh gjatë fjalës së tij se opozita shqiptare po përballet me një kërcënim serioz për zhdukjen e rolit të saj historik, ndërsa brezi i ri i të rinjve të shkolluar jashtë vendit dhe elitat intelektuale po shihen si shpëtimi i vetëm për të ruajtur identitetin dhe forcën e Partisë Demokratike.
Tafaj nënvizoi se ky grup i ri, duke rikthyer simbolet dhe duke kontribuar në publikime strategjike, është mburoja reale ndaj përpjekjeve për të zhbërë opozitën dhe për të monopolizuar skenën politike nga propaganda qeveritare.
Ai gjithashtu paralajmëroi se është koha për një riorganizim të thellë, duke krijuar hapësira reale për elitat, juristët dhe të përndjekurit politikë, si garanci për një opozitë të fortë dhe të pavarur.

Tafaj: Me këta djem e vajza të brain gain-it, unë e mbaj gjithmonë mirë që në fillim. Sepse e dini si është historia: kjo histori e brain gain-it ka filluar dhe është diskutuar për herë të parë në Partinë Demokratike në periudhën e vitit 2005, përpara se ne të vinim në pushtet, dhe një nga pikat e programit tonë në atë kohë ishte brain gain-i dhe ekselenca. Dhe profesor Berisha, si një nga intelektualët më të shquar të Shqipërisë, jo vetëm në fushën e mjekësisë, por edhe një njeri me një formim dhe investim poliedrik, menjëherë e kapi këtë ide dhe bëri shumë punë për ta materializuar. Sepse ishte një domosdoshmëri.
Për herë të parë, familjet shqiptare kishin investuar për vajzat dhe për djemtë e tyre, i kishin dërguar që të shkolloheshin jashtë. I kishin shkolluar edhe në Shqipëri, dhe ata ishin rrugëve. E dyta, një parti e madhe si Partia Demokratike, që ka lindur nga studentët dhe inteligjenca shqiptare, dhe nga të përndjekurit politikë, bazohet në elita dhe duhet të bazohet në elita.
Sot, dhe kur u krijua departamenti, e diskutuam që ne duhet të kishim një strukturë pranë Partisë Demokratike, e cila do ta zhvillonte këtë strategji afatgjatë. Zgjedhjet e viteve të kaluara vërtetuan që ky departament ishte tepër aktiv në media dhe shumë i pëlqyer. Flisnin njerëzit nëpër televizione dhe thoshin: “Duam t’i dëgjojmë ato djem të rinj, ato vajza, se s’duam t’ju dëgjojmë më juve”.
Tani, 4-5 vjet sa ka bërë departamenti, drejtohet nga zoti Këlliçi këtu, dhe janë shumë aktivë: djem shumë të kualifikuar e të shkolluar, brilantë, dhe vajza shumë të mira, që unë mendoj se kanë bërë një punë të madhe për Partinë Demokratike dhe, ashtu siç e tha doktori, janë bashkuar me PD-në në ditën më të vështirë. Libri nuk më befason, sepse ju kam ndjekur gjithmonë. Por imagjinoni, këta djem dhe vajza shkruajnë libra në ditët më të vështira të Partisë Demokratike. Shkruajnë edhe për rikthimin e simboleve, kur e gjithë propaganda prej 13 vjetësh synon të godasë 8 Dhjetorin. A ka mundësi të hiqet nga historia 8 Dhjetori? Nuk ka ekzistuar. Për këta nuk ekziston as Azem Hajdari, për këta nuk ekziston Sali Berisha, për këta nuk ekziston Partia Demokratike. Dhe prandaj, Partia Demokratike u përball me një skenar makabër asgjësimi. Kjo është e vërteta.
Na vjen Andi me këtë libër dhe, për mua, është vërtet frymëzim dhe e vërtetë që duhet ta lexojnë njerëzit. E kanë dëgjuar Andin dhe këta djemtë e vajzat e departamentit, dhe i kanë bërë një shërbim të madh PD-së. Tani, ne jemi në procesin e zgjedhjeve, doktor, dhe unë mendoj t’i qasemi edhe një aspekti tjetër. Një parti e përgatitjes së elitave e ka shumë të vështirë. Ne vërtet kemi 35 vjet demokraci, një parti e madhe, kemi pasur 12 vjet qeverisje, por duhet ta pranojmë që nuk kemi punuar për elitat tona intelektuale. Këtë duhet ta pranojmë.
Dhe ajo që thotë Andi, këto trupa të ndërmjetme që mungojnë dhe elitat opinionbërëse, ne i ndjejmë çdo ditë. Në qoftë se s’do të ishte PD-ja, nuk do kishin mundësi të flisnin në Parlament dhe nuk do bënin konferenca shtypi përditë. Ky realitet në Shqipëri do merrej mirëqenë, e aq mirë jemi kështu siç jemi.
Kështu që, ndërkohë, tradita e vendeve të tjera është që djemtë e vajzat që merren me politikë marrin mbështetje nga fondacionet pranë partive dhe bëhen politikanë elitarë, shumë të shkolluar, dhe mbeten elita të partive. Këtë eksperiencë e njoh mirë në Gjermani, në universitet ku kam qenë unë: të gjithë fondacionet politike kishin zyra. Të gjithë formacionet, grupimet rinore të partive kishin të drejtë të organizonin aktivitete dhe vazhdonin të ushtronin aktivitetet. Ne këtë mundësi nuk e kemi, prandaj unë mendoj, doktor, që edhe në këtë kohë të riorganizimit duhet t’i kërkojmë me qiri dhe duhet t’i kemi një pasuri të madhe për të ardhmen e Partisë Demokratike këto vajza dhe këta djem të rinj shumë të shkolluar.
Këto janë vajzat dhe djemtë e demokratëve, që kanë investuar vetë familjet e tyre dhe i vijnë si pasuri Partisë Demokratike. Dhe unë mendoj se duhet të gjenden mundësitë, qoftë edhe në statut. Për shembull, CDU-ja gjermane, doktor, ka juristët më të mirë të CDU-së. Këta janë të atashuar pranë CDU-së. Ka atë bashkimin e juristëve, por ama ligjet e CDU-së nuk kalojnë, edhe kur është në qeveri, pa kaluar te këta juristë. Ashtu siç ka bashkimin e biznesmenëve kristiandemokratë.
Ne duhet të mendojmë që edhe në statutin tonë të krijojmë hapësira për elitat, hapësira për grupet shoqërore, hapësira reale për të përndjekurit politikë. Partia Demokratike ka nevojë, si një parti e qendrës së djathtë, për një mbështetje shumë të fuqishme nga e gjithë qendra e djathtë, përtej militantëve tanë, që janë pasuria më e madhe e partisë.

About Redaksia

Check Also

Belinda shfaqet në gjendje jo të mirë

Partia Socialiste ka festuar sot 35-vjetorin në qarkun e Fierit. E pranishme në aktivitet ishte …