CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

PD gati paketën e parë për plotësimin e kritereve të anëtarësimit, Bardhi: Rama e rëndoi Shqipërinë me kushte të reja

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një dalje për mediat zbuloi se përjashtimi i opozitës nga tryeza e bisedimeve në Bruksel është një lëvizje e qëllimshme e kryeministrit Edi Rama për të maskuar dështimet dhe kushtet e rënda të vendosura nga ndërkombëtarët.

Raportohet se për herë të parë, procesi i anëtarësimit është kushtëzuar drejtpërdrejt nga mënyra e qeverisjes, duke listuar probleme madhore si korrupsioni masiv, mbrojtja politike ndaj zyrtarëve të lartë, sistemi i patronazhimit në zgjedhje, pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit dhe dështimi i funksionimit të mbikëqyrjes parlamentare.

Dokumentet e fundit e përshkruajnë korrupsionin jo më si një fenomen kalimtar, por si një rrezik real që deformon tregun dhe funksionimin e shtetit.

Përballë kësaj situate alarmante, opozita ka paralajmëruar kalimin në veprime konkrete institucionale. Gjatë ditëve në vijim pritet depozitimi i tre nismave thelbësore në Kuvend.

Deklarata e plotë

Të nderuar qytetarë,

Sot është dita kur Shqipëria duhet të përfaqësohej e bashkuar në Bruksel. Dita kur qeveria dhe opozita duhet të qëndronin së bashku në një tryezë për t’i treguar Europës se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është mbi çdo interes partiak, mbi çdo kalkulim politik dhe mbi çdo interes personal.

Për fat të keq, kjo nuk ndodh.

Nën drejtimin e Edi Ramës, opozita dhe qytetarët nuk janë trajtuar kurrë si partnerë në një proces kombëtar, por si armiq që duhen përjashtuar. Ndërsa integrimi europian është përdorur vazhdimisht si propagandë elektorale dhe si dekor politik sa herë ka zgjedhje.

Por kjo ndodh edhe për një arsye tjetër.

Sepse me opozitën në tryezën e negociatave, Edi Rama nuk do të mund të fshihte të vërtetën e plotë të këtij procesi. Nuk do të mund të fshihte vonesën 6-mujore të negociatave. Dhe këtu po i referohem vetëm kohës së raportit të fundit, pa llogaritur fare 13 vitet në pushtet apo 3 vitet në opozitë, kur me votë bllokoi negociatat.

Edi Rama e përjashton opozitën dhe qytetarët nga tryeza e negociatave, sepse kërkon të fshehë të vetmen të vërtetë sot: se Shqipëria po hyn në fazën më të rëndësishme të procesit me më shumë kushte dhe me më shumë mosbesim.

As fotografitë dhe as shampanja e propagandës nuk e fshehin dot të vërtetën se vetëm për Grupkapitullin “Themeloret”, grupi me të cilin hapen negociatat dhe nga i cili varet e gjithë mbyllja e negociatave, Bashkimi Europian i vendosi Shqipërisë në raportin e pak ditëve më parë 34 kushte. Të gjitha më të rënda. Asnjë lehtësim.

Por problemi nuk është vetëm numri i kushteve.

E vërteta është se për herë të parë, Bashkimi Europian ka kthyer në kushte zyrtare për mbylljen e negociatave çështje që lidhen drejtpërdrejt me mënyrën si qeveriset Shqipëria:

  • korrupsionin masiv dhe vendimtar
  • imunitetin politik për korrupsionin
  • zgjedhjet me patronazhistë
  • dobësimin e kontrollit parlamentar
  • pastrimin e parave në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme
  • mungesën e konkurrencës në tendera dhe koncesione

Në dokumentet e mëparshme flitej për korrupsionin si “shqetësim serioz”.
Sot, përpara Ramës në tryezë, është dokumenti që e përshkruan korrupsionin e qeverisë së tij si “shqetësim vendimtar”.

Më parë, mbrojtja politike e korrupsionit nuk ishte kusht negociues.
Sot, pasi Edi Rama rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, Bashkimi Europian ka vendosur si kusht heqjen e imunitetit sipas standardeve europiane, si dhe ngre alarmin për ndërhyrjet ndaj drejtësisë, përfshirë në nivelet më të larta. Ky akt politik ka përcaktuar të gjitha qëndrimet e mëvonshme të Bashkimit Europian, duke rënduar ndjeshëm pozicionin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit dhe duke ulur në minimumin historik besimin e Brukselit tek Tirana zyrtare.

Më parë, patronazhimi i zgjedhjeve, që Rama e mbron me aq përkushtim dhe pasion, as nuk përmendej në raportet e negociatave.
Sot, BE kërkon zyrtarisht parandalimin e rrjeteve të patronazhimit dhe përdorimit të pushtetit institucional si mjet presioni elektoral.

Më parë, zgjedhjet përmendeshin me gjuhë të përgjithshme.
Sot, BE kërkon përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Më parë, komisionet hetimore të kërkuara nga Partia Demokratike dhe të refuzuara nga mazhoranca e Edi Ramës nuk konsideroheshin problem për negociatat.
Sot, në tryezën e negociatave qëndron kushti i Bashkimit Europian për mbikëqyrje efektive dhe të papenguar të qeverisë nga Parlamenti.

Më parë, ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme nuk trajtoheshin si alarm negociues.
Sot, BE identifikon ndërtimin si sektor të ekspozuar ndaj korrupsionit, parasë informale dhe pastrimit të parave.

Kjo do të thotë se pas 13 vitesh qeverisje, Shqipëria nuk po hyn në fazën më të rëndësishme të negociatave me më shumë besim nga Europa, por me më shumë kushte, më shumë mosbesim dhe më shumë alarm.

Të nderuar qytetarë,

Duke falënderuar vendet anëtare të Bashkimit Europian për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë për të vazhduar rrugën e pakthyeshme të anëtarësimit, Partia Demokratike nuk do të humbasë kohë me retorikë boshe politike, por do të nisë përkthimin në akte konkrete të disa prej kushteve që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë si pasojë e keqqeverisjes.

Për këtë arsye, ne do të depozitojmë në Parlament tre nisma konkrete, që kërkojnë votën e deputetëve.

Së pari, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike. Këtë e kemi kërkuar edhe më parë me nisma konkrete, por Partia Socialiste e ka rrëzuar. Sepse pas këtij ligji qëndron vetë Edi Rama, interesat e tij personale dhe rrethi i oligarkëve të krijuar nga pushteti. Ky ligj special, i papajtueshëm me frymën europiane të konkurrencës dhe barazisë para ligjit, për vite me radhë ka prodhuar favorizime, mungesë konkurrence, grabitje të pronës publike dhe private dhe deformim të tregut. Pikërisht me këtë ligj lidhen drejtpërdrejt shqetësimet që sot Bashkimi Europian ngre për PPP-të, sektorin e ndërtimit dhe korrupsionin.

Së dyti, dekriminalizimin e plotë të shpifjes ndaj gazetarëve. Me këtë nismë ndërmarrim një hap konkret në mbrojtje të lirisë së medias dhe në përputhje me standardet europiane që kërkojnë mbrojtje më të fortë për gazetarët dhe fundin e presionit politik apo penal ndaj tyre. Të paktën, gazetarët shqiptarë, që sot vuajnë pasojat e autocensurës, censurës nga pronarët dhe pasigurisë për vendin e punës, të mos përballen edhe me kërcënimin e ndjekjes penale nga zyrtarë të korruptuar.

Së treti, kriminalizimin e pastrimit të parave si vepër penale të veçantë në Kodin Penal. Kjo është një nga kërkesat më të drejtpërdrejta të Bashkimit Europian në këtë fazë të negociatave, përballë alarmit në rritje për ekonominë informale, sektorin e ndërtimit, korrupsionin vendimtar dhe qarkullimin masiv të parasë së pistë në Shqipëri. Sepse sot, për herë të parë, BE-ja nuk po flet më vetëm për korrupsion si fenomen, por për rrezikun real që paraja informale dhe korrupsioni të deformojnë vetë ekonominë, zgjedhjet dhe shtetin shqiptar.

Të dashur qytetarë,

Këto janë akte konkrete që dëshmojnë vullnetin e palëkundur të Partisë Demokratike për një proces sa më të shpejtë dhe serioz të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ne jemi të bindur se negociatat nuk mbyllen duke fshehur problemet. Negociatat mbyllen duke i zgjidhur ato.

Por historia 15-vjeçare e Edi Ramës me integrimin europian ka treguar edhe diçka tjetër:

Se pa mbyllur kapitullin e Edi Ramës, Shqipëria do ta ketë të pamundur të mbyllë negociatat për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.

About Redaksia

Check Also

Ina Zhupa tkohet me senatorin italian De Rosa

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, zhvilloi një takim me senatorin …